Nuk po bërtas, po flas si zysha

Kështu m'u përgjigj një vogëlushe, kur e pyeta pse iu bërtiste aq fort kukullave. Po luante shkollash, kukullat nxënëse, ajo vetë mësuesja. Veç se po fliste me zë shumë të lartë, edhe me një nerv që përshkonte çdo fjali. Po ky s'është rasti i vetëm, në parkun e qendrës së Tiranës...fëmijët shpesh bërtasin, po të rriturit bërtasin më shumë.
Shpesh më ndodh të dëgjoj prindër që iu bërtasin fëmijëve në publik. Nganjëherë, përveç keqardhjes, është e vështirë të mos habitem me arsyet pse bërtasin...mos ec andej, mos e fut këmbën në llaç, mos prek dheun me dorë, mos bëj pis rrobat... por s'desha të ndalem te kjo sot. Meraku im, është e bërtitura, toni i zërit, nervi.
Që shumë prej nesh nuk janë të qetë, kjo është e qartë. Por çfarë faji kanë fëmijët për këtë?
Pse po zgjedhim këtë formë komunikimi?
Pse me nerva? Pse me zë të lartë?
Si mundet të bërtasim vetë, e pastaj të presim që ata të jenë të qetë e të reagojnë pozitivisht?
Në marrdhëniet me fëmijët, qofshim prindër, mësues, edukatorë...forma e komunikimit që ne zgjedhim, është në fakt mjeti kryesor që ndikon drejtpërdrejt marrdhënien tonë me ta, por edhe formimin e tyre.
Të komunikojmê qetë me fëmijët është thelbësore. Ashtu mundemi të ndërtojmë besim dhe siguri emocionale për marrdhënien tonë. Fëmijët duhen bërë pjesë e bisedës, ata duhet të ndihen të dëgjuar e të respektuar. Komunikimi i qetë modelon sjellje pozitive, e iu mëson fëmijëve menaxhimin e emocioneve dhe konflikteve në mënyrë të shëndetshme. Duke iu folur atyre qetë, ndihmojmë të ulim stresin dhe frikën e duke krijuar një mjedis të sigurtë në familje, shkollë a kopsht i nxisim fëmijët të jenë edhe më të qetë edhe të performojnë më mirë dhe të dashur në familje. Komunikimi i qetë favorizon vetëkontrollin dhe inteligjencën emocionale, e kështu fëmijët rriten si individë të ekuilbruar e të përgjegjshëm.
E di që shpesh kur iu bërtasim fëmijëve, mërzitemi më shumë vetë, por fatkeqsisht shumë prej nesh shpesh as nuk po e kuptojmë që nuk po iu flasim siç duhet.
Ndaj, lutja ime (jo këshillë, lutje) është që të ulim pak volumin...pastaj edhe tonin, edhe përmbajtjen...e t'iu flasim lehtë fëmijëve tanë. E sigurtë që ata do të ndihen më mirë, por edhe ne vetë do të përfitojmë nga kjo. Si thoni, e provojmë dot këtë javë?
"Mua më ka thënë dy herë mësuesja zemër...kam shumë qejf të shkoj prapë te parashkollori".