Të vërtetat e thjeshta

Një ushtrim me yll

Një ushtrim me yll

Kur nisa shkrimin me dy pjesë për komunikimin me fëmijët dhe adoleshentët në lidhje me seksin, më besoni kam bërë gjënë më të thjeshtë të mundshme. Shpesh, si edhe në këtë rast, më duket se ajo që po shkruaj është shumë e zakonshme, apo e tejkaluar, se shoqëria tashmë duhet t’i kishte përvetësuar e t’i përdorte në përditshmëri këto këshilla.

Më është dashur kohë me veten për të kuptuar se këto këshilla të thjeshta, janë në fakt si abetarja. Gjithmonë dikush ka nevojë ta mësojë. Më është dashur kohë të vëzhgoj, lexoj, pyes, mësoj e të kuptoj se në shoqërinë tonë ka shuuumë nevojë ende në këtë drejtim.

Por e gjithë kjo, ndjesë për mungesën e modestisë, më duket si një ushtrim i nivelit mesatar. Thjesht mendoj që në 2025 ne duhet të ishim tani duke diskutuar të tjera çështje. E meqë është verë, vendosa të bëj një ushtrim për nxënësit më të mirë😊.E keni parasysh, si ushtrimet me yll që japin / jepnin dikur mësuesit e matematikës për kohën e lirë...as nuk pres të bëj bujë, as të rris klikime. Thjesht po bëj atë që di ta bëj mirë them, të shpreh qartë atë që mendoj. Kështu pra, në fakt shqetësimi im për komunikimin për seksin me fëmijët / të rinjtë është diku tjetër. Nëse meraku që shqetëson shumë kënd është si t'i përgjigjen fëmijëve të çdo moshe për pyetjet e "sikleshme mbi seksin"...epo meraku im në fakt është që ata s'po na pyesin më, e as po interesohen.

Ata mendojnë se e dinë, qasja shumë e pranishme me internetin, i ka bërë të besojnë se si për çdo çështje tjetër, edhe për këtë, dinë tashmë çdo gjë që mund t’iu duhet. Kjo në fakt, sipas studimeve në perëndim sot, ka bërë që gjithmonë e më pak të rinj të kenë interes për marrëdhënie seksuale. Sigurisht kjo ka të mirat e veta: sjelljet e rrezikshme në moshë të re, sëmundjet seksualisht të transmetueshme, shtatzënitë e padëshiruara, abortet ndër të reja, të gjitha këto po pakësohen.

Po çfarë ka këtu për t'u shqetësuar?

Ndjesë për mungesën e modestisë sërish. Para pak kohësh teksa këtë shqetësim e diskutoja me miq të mitë, rastisa ( algoritmi na vëzhgon) në një shkrim të botuar në New York Times, lidhur me rënien e ndjeshme të interesit për seksin tek brezi më i ri.

Përfundimet e disa studimeve të viteve të fundit, pasqyruar në disa prej mediave më prestigjioze në botë na tregojnë se ndërsa të rinjtë, si brezi millennial dhe Gen Z po përjetojnë një “recesion seksual”, gjenerata X (rreth të 50-ave) nuk përjeton të njëjtin fenomen.

Sociologët argumentojnë se përdorimi i shfrenuar i teknologjisë, iPhone dhe mediat sociale veçanërisht, ka krijuar pengesa për intimitetin: njerëzit dalin më pak, krijojnë pak situata “të çuditshme” ku seksualiteti mund të lindë natyrshëm dhe për pasojë kanë më pak kontakt fizik që mund të çojë edhe në seks.

Çfarë nënkupton kjo për të rinjtë?

Një simptomë e mëtejshme e asaj që sociologët e kanë quajtur “recession seksual”:

* Përdorimi i teknologjisë dhe rikthimi në ekran zvogëlon rastet sociale reale ku mund të lindë intimiteti.

* Kufizimet e ekonomisë, studimeve dhe karrierës po shtyjnë të rinjtë të jetojnë me prindërit ose të vonojnë daljen në fushën e lidhjeve romantike.

* Përdorimi më i lartë i pornografisë, më pak alkool dhe më pak natyralitet në takime spontane gjithashtu e ndihmojnë këtë trend.

Në përgjigje të këtij realiteti tërësisht jo fiziologjik, në kundërshtim me atë që natyra / Zoti ka krijuar për qëniet njerëzore, e jo vetëm në fakt, dua të besoj se sërish ne prindërit apo… tezet, xhajat…miqtë e rritur mundemi të bëjmë diçka. Aq më shumë që studimet na japin përparësi si brez në këtë fushë😊

Në një mjedis si ky i yni, ku bisedat tona për seksualitetin enden mes turpit e ndrojtjes së madhe e të pakuptimtë për të folur për çdo gjë që shqetëson tek bërja publike e detajeve krejt të papërshtashme e shpeshherë të dëmshme, na duhet të ndërhyjmë, edhe njëherë.

Le t’iu themi të rinjve se gjithë çështjet e marrdhënieve e përjetimeve fizike, duhet të jenë intime. Aty është magjia e tyre. Nuk mundet çdo gjë të jetë faqe të tjerëve, me thelbësore dukjen.

Le t’iu shpjegojmë atyre se marrdhëniet njerëzore janë të krijuara për të qenë reale, e se një prekje a përqafim i jep njeriut emocionet dhe përjetimet që nuk mund ta bëjnë tërë like-t a komentet e botës.

Është mirë mendoj, t’iu flasim të rinjve për natyralitetin, për atë që është kaq humane dhe e nevojshme, jetën seksuale mes dy njerëzve.

Duhet t’iu shpjegojmë vajzave të reja se bebet in-vitro janë një përparim i jashtëzakonshëm i mjekësisë, për t’iu ardhur në ndihmë çifteve në pamundësi të shtatzënive natyrale. Ato nuk mund të jenë zgjedhja e parë, më e thjeshta (!) kur marrëdhëniet e vërteta në çift duken si një përgjegjësi që s’po duam t’ia shtojmë vetes.

Duhet të kuptojmë të gjithë bashkë se biseda për seksin, nuk është thashethemi që furnizon show bizz-in krejtësisht të panevojshëm, as banaliteti, as pornografia.

Duhet t’iu kujtojmë atyre se ne jemi krijuar për të qenë të tillë, e asnjë evoluim teknologjik, nuk ka pse të pengojë natyrën, ku ne jemi veç një nga gjallesat, jo zotat e saj.

Duket se një natë vere mund të nxisë guximin për një bisedë të tillë, bëjeni atë.

Tregojini të rinjve sa e bukur është të rrinë bashkë, të kërcejnë bashkë, të shëtisin përqafuar, të zgjohen me njëri-tjetrin.

E nëse vërtet doni ta zgjidhni çdo kërkesë të këtij ushtrimi me yll, tregojini të rinjve se s’ka asgjë më shpërblyese, emocionuese e në daç edhe eksituese sasa një bisedë intime me dikë që vërtet pëlqen.

Duhet pak guxim, por brezit tonë i ka pëlqyer gjithmonë adrenalina😊