Të vërtetat e thjeshta

Një Mary Poppins për prindërit

Një Mary Poppins për prindërit

Nga Manjola Lloja Bushati/ E keni parasysh Mary Poppins? Dadoja aspak e zakonshme që udhëton me një çadër e që na mësonte se "veç me pak sheqer, e ilaçi shkon poshtë kollaj" ka mbërritur në Teatrin e Kukullave në Tiranë.

Më duhet të them se në fillim isha pak e habitur qê shfaqja e fundvitit nuk kishte babagjysh e dhurata. Mirëpo sot, teksa pashë premierën, habia ime u venit krejt. Do t'jua them pse. Por më përpara, le t'ju jap pak brendi atyre që mbase nuk dinë asgjë për këtë libër e më pas edhe film të famshëm.

Libri “Mary Poppins”, i shkruar në vitin 1934 nga autorja britanike P.L. Travers, tregon historinë e një dadoje të pazakontë që vjen në familjen Banks për t’u kujdesur për fëmijët, duke sjellë rregull, imagjinatë dhe aventura magjike në jetën e tyre të përditshme. Përmes këtyre përvojave, fëmijët mësojnë disiplinë, përgjegjësi dhe rëndësinë e ekuilibrit mes rregullit dhe fantazisë. Në të njëjtën kohë, libri nënkupton se prindërit janë shpesh të zënë dhe jo mjaftueshëm të pranishëm në jetën e fëmijëve, çka krijon nevojën për një figurë si Mary Poppins. Megjithatë, autorja përcjell mesazhin se asnjë dado nuk mund të zëvendësojë rolin e prindërve dhe se prania, vëmendja dhe përfshirja emocionale e tyre janë thelbësore për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve.

Kjo pra në Londrën e 1934-shit.

Po sot?

Duke parë shfaqjen, teksa ime bijë duartrokiste nën ritmin e këngëve të kënduara nga Venera Lumani,( Mary Poppins interpretohet prej saj në këtë shfaqje) mendja ime shkonte tjetêr kund.

Sa aktual është ky mesazh sot?

Sa e rëndësishme është prania e prindërve në mirërritjen e fëmijëve?

Sa të pranishëm jemi ne e sa herë mendojmë se të mirat materiale që sigurojmë mund ta " blejnë" mungesën tonë fizike?

Nuk besoj se ka ndonjë nga ne që nuk i di këto.

Prania e prindërve në jetën e fëmijëve është thelbësore sepse u jep atyre siguri emocionale, dashuri dhe mbështetje, duke ndikuar pozitivisht në zhvillimin e tyre mendor, emocional dhe social. Përmes pranisë dhe shembullit tonë, ne si prindër i ndihmojmë në formimin e vlerave, sjelljes së mirë, vetëbesimit dhe aftësive sociale. Kjo mbështetje i ndihmon fëmijët të përballen më mirë me sfidat e jetës dhe të ndërtojnë një të ardhme të shëndetshme.

Mirëpo ja që herë pas here sikur na del nga mendja...sikur e gjejmë më thjeshtë justifikimin e mungesës sonë fizike, apo vëmendjes sonë.

Kështu mes këngëve e emocioneve të artistëve të vegjël që kanë shumë peshë në shfaqje, spektatorët fëmijë kënaqen e duartrokasin. Kurse ne të rriturit? Ne na duhet të mendojmë pak më gjatë.

Shfaqja e këtij fundviti në Teatrin e Kukullave nuk ka nevojë të jetë me bredh e dhurata. Mary Poppins, na vlen edhe thuajse 100 vjet më pas. Ajo na kujton se dhurata më e madhe që mund t'i bëjmë fëmijëve tanë, është koha që duhet të kalojmë me ta. E fundviti është periudha më e mirë për ta nisur këtë dhuratë!