Të vërtetat e thjeshta

Një histori për t'ia treguar fëmijës brenda meje!

Një histori për t'ia treguar fëmijës brenda meje!

Sot, teksa kudo ku shoh flitet, shkruhet, mbështetet, bëhet tifo për " Zjerm" të Shkodra Elektronike në Eurosong Contest, po kam dëshirë të tregoj një histori.

Beatriçja e Kola jetojnë jashtë. Atje janë formuar si artistë e kanë nisur përvojën e tyre. Kjo nuk i ka penguar që i gjithë frymëzimi të frymojë shqip. Përkundrazi, që në emër grupi i tyre e thotë fare qartë, janë nga Shkodra, muzika shqiptare iu sjell muzën dhe e përforcojnë atë me rrymën që i përkasin, elektronike.

Unë i kam njohur artistikisht që herët. I kam pëlqyer prej ditës së parë. I kam ndjekur teksa kënduan në lokalet e vogla të Tiranës, në sallën gjysmë bosh të teatrit, në video kolazhin thellësisht artistik e novator që prodhuan me Kube Studio, në skenën e improvizuar të ZaFest në Kështjellën e Rozafës, ku qindra duart mbanin ritmin e " Vaj si kenka ba dynjaja", e Beatriçja i bëri homazh një figure emblemë në muzikën popullore shkodrane si Bik Ndoja.

E pastaj i pashë në Festival.

Në atë festival që shumë kush e pa si skenë krejt të papërshtatshme për ta, që shumëkush e paragjykoi se e kishte shpallur fituesin muaj para se të mbahej.

Mirëpo e kundërta ndodhi. Ata fituan.

E kam thënë shpesh, por le ta lë me shkrim këtu. Festivali i fundvitit në RTSH, jo vetëm prej këngës që zgjodhi për të përfaqësuar vendin tonë, mundet me qenë sinonim i fjalës dinjitet.

Mbaj mend të kem folur me miqtë e mi artistë e jo vetëm, se fitorja e " Zjerm" nuk ishte thjesht për këngën. Pati një valë gëzimi e përmbushje që fitoi e mira, e drejta, që mundësia iu dha dikujt që për të arritur në atë skenë, nuk duhej të kishte kaluar domosdoshmërisht në skenat ( lexo skemat) e garave që shpesh ndodhin në vendin tonë. A patën zëra kundër? Yff,sa të duash.Ende kanë. Madje kanë kundër shpesh ata që artin e mbajnë peng në këtë vend. ( Çdo ngjashmëri me persona konkrete është e qëllimshme).

Sot thuajse 5 muaj më pas, duket se "Zjerm" i Shkodra Elektronike ka përfshirë shumë kënd. Po teksa kam dëgjuar e lexuar kaq shumë vlerësime e analiza për muzikën e tekstin ( nga maestro Robert Prendushi e deri te CNN), nuk dua të ndalem fare te kënga. Nuk ndihem në lartësinë/aftësinë e duhur për ta komentuar aq shumë sa e shijoj.

Dua të flas për këtë përfaqësim me syrin e një sociologeje, siç jam.

Dua ta sjell vëmendjen te përqafimi i Beas kur baba Mario arrin në Bazel, te fustani i saj ku artistja Irina Dema, (që jo rastësisht është mami i saj) ka mbledhë gjithë "muzeun" e shtëpisë së gjyshes, te lotët fëminor kur sheh postimin e Ermonela Jahos kushtuar përfaqësimit të tyre.

Dua të ndalem te sjellja prej një zotnie gati të zënë në turp prej suksesit në një moshë disi të pjekur për t'u gëzuar si fëmijë, që lexohet kaq qartë te Kolë Laca.

Dua të veçoj aftësinë e jashtëzakonshme që ka arti për të bashkuar njerëzit, për të nxjerrë në pah të mirën. Dua të them se sa rëndësi ka familja ku rritesh, komunikimi mes vedi, liria e mendjes, heqja e çdo inferioriteti, sado i vogël të jetë vendi prej nga vjen.

E dua t'i them vetes se edhe në mos fitofshin sonte vendin që iu takon, e të gjithë shpresojmë, me ta ka fituar një ëndërr, edhe një shpresë.

Në botën tonë që tronditet lehtë, me Shkodra Elektronike ka fituar njerëzorja, edhe bindja e paargumentuar shpesh se mundesh me ia dalë duke qenë vetja, duke u frymëzuar nga e shkuara, duke ndërtuar të ardhmen ashtu si di, ashtu si do, ashtu si je.

Dua që sot këtë histori, t'ia tregoj fëmijës brenda meje, që e mbaj me shumë mund me vete.

Dua t'ia tregoj vajzave të mia.

Faleminderit që më/na dhatë mundësinë për ta besuar!