Një ekspozitë në dhomën e gjumit

Teksa rrisim një fëmijë, shpesh duam të gjejmë tek ai talentin që edhe mund të mos jetë. Por shpesh bëjmë gabimin e madh që të kërkojmë të arrijmë përmes tij llojin e suksesit që nuk arritëm vetë, t’i japim me çdo kusht mundësinë që nuk e patëm kur ishim sa ata, e të na “errësohen” sytë ndaj çdo realiteti. Në emër të vlerësimit që nuk e përligj talenti apo aftësia e munguar e fëmijës sonë, ne shkelim jo thjesht mbi hapësirën që duhet të marrë një fëmijë më i zoti se i yni. Duke kërkuar me çdo kusht fitoren e fëmijës sonë, ne jo thjesht krijojmë presion e pengojmë punën e drejtë të mësuesit, mentorit a vlerësuesit të fëmijës sonë.
Ne, padashje, po pengojmë dy nga gjërat themelore të zhvillimit psikosocial të fëmijës sonë: vetëvlerësimin dhe aftësinë e tij për të ndërtuar marrëdhënie sociale.
Të rritësh një fëmijë nuk është një përpjekje për të korrigjuar jetën tonë përmes tij. Është një proces më i vështirë; duhet të pranojmë që ai nuk na përket plotësisht. Siç shkruan Kahlil Gibran, “fëmijët janë bijtë dhe bijat e dëshirës së jetës për veten e saj”, jo vazhdimi i ëndrrave tona të pambërritura.
Ne kërkojmë maksimumin nga fëmija ynë, edhe kur ai nuk e jep dot.
Në familje, aty ku duhet të ndërtohet besimi i parë, shpesh lind pa u vënë re një formë e heshtur bullizmi: krahasimet, pritshmëritë e larta, zhgënjimi i shprehur me fjalë të vogla, por të përsëritura. Janë ato momente kur fëmija nuk ndihet i mjaftueshëm siç është, por vetëm siç duhet të ishte. Dhe pikërisht këtu fillon çarja e parë e vetëvlerësimit.
Studimet psikosociale e konfirmojnë këtë realitet të përditshëm: kontrolli psikologjik dhe presioni prindëror lidhen drejtpërdrejt me uljen e vetëbesimit tek fëmijët, ndërsa mbështetja dhe pranimi i ndihmojnë ata të ndërtojnë një ndjenjë të qëndrueshme vlere për veten. Me fjalë të tjera, mënyra si i shohim dhe si u flasim bëhet mënyra si ata do ta shohin veten.
E shpesh, kur nuk ia dalim të “realizojmë planin A”, kalojmë te “plani B”. Në sulm për ta marrë fitoren me çdo mënyrë, me presion, me korrupsion, me krijimin e situatave që mbase në çastin kur krijohen nuk arrijmë ta kuptojmë, por në fakt...
Duke i dhënë me çdo kusht një hapësirë të pamerituar, po i heqim fëmijës nevojën për t’u përmirësuar, imagjinatën për ëndrrat që jo gjithmonë bëhen realitet, ndaj duhet punuar më fort. E nga ana tjetër, po a mund të mendojmë për pak si do të jetë fëmija ynë në sytë e moshatarëve të tjerë, mbase më të talentuar, mbase më të zotë?
Ne po ia “blejmë” fëmijës mundësinë, fitoren, trofeun... por a vërtet mendojmë se mund t’ia blejmë vetëvlerësimin e shoqërinë e vërtetë?
Në murin e dhomës së gjumit, një fëmijë i vogël ngjit herë pas here vizatime të tij. I ka treguar edhe shokëve, ndaj shpesh ata i japin edhe vizatimet e tyre për t’i ngjitur po aty, te i njëjti mur. Një ekspozitë talenti, mundësie, miqësie, që vizitorë ka prindërit, kushërinjtë, shokët, të cilët e përkrahin, e ai vijon të përpiqet të vizatojë diçka edhe më të bukur. Një vizatim hiqet, një më i bukur se ai ngjitet prapë. Kështu ditë pas dite.
E ky fëmijë, teksa rritet duke ndjerë se është i mjaftueshëm, nuk ka nevojë të bëhet dikush tjetër për të merituar dashurinë. Pranimi, ashtu si edhe bullizmi, lind në familje. Dhe pavarësisht nga qëllimi ynë i mirë, bullizmi a pranimi do ta shoqërojnë gjatë.
Është shpesh më e thjeshtë se duket: le t’i pranojmë fëmijët tanë si janë; ashtu lind besimi tek vetja, që do t’i shoqërojë gjithë jetën.