Një bluzë pa personazhe, të lutem!

Një fletore me Stitch, një bluzë me Frozen, një çantë me Balerina Capuchina. Është krejt e zakonshme një listë e tillë në kërkesat e një fëmje. Gara është e hapur e prindërit sipas mundësive, kush në treg e kush në qendër tregtare, vrapojnë të përmbushin kërkesat e fëmijëve.
Në një botë ku preferencat e tyre i dikton marketingu, a mund të ndalemi sot të shohim pak se çfarë ndodh me produktet e përdorimit të përditshëm të fëmijëve?
Si ndikojnë modelet e gatshme te ta? A duhen të jenë të mbushur me personazhe të gjithë produktet për ta? Edhe vëzhgimi im me shumë kureshtje: pse kompanitë e vendeve nordike, të vlerësuara gjithmonë për edukimin e fëmijëve dhe cilësinë e jetesës, nuk përdorin personazhe të famshme në produktet e tyre për fëmijë?
Le ta shohim bashkë pak më me vëmendje.
Modelet e gatshme si superheronjtë, princeshat, personazhet e filmave apo yjet e mediave sociale kanë ndikim të fortë te fëmijët. Këtu besoj biem dakort të gjithë. Fëmijët identifikohen me personazhet që admirojnë dhe duan të imitojnë sjelljen, mënyrën e veshjes apo preferencat e tyre. Konsumatorët e vegjël e perceptojnë një artikull nga personazhi i preferuar, e gjykojnë më të mirë e me vlerë. Edhe pse cilësia mund të jetë e njëjtë me produkte pa të tillë, madje shpesh edhe ndjeshëm më e dobët.
Sipas studiuesve të zhvillimit mendor e emocional të fëmijëve nëse çdo lodër, veshje apo artikull shkollor lidhet me një personazh ekzistues, hapësira për të zhvilluar histori dhe role origjinale gjatë lojës është shumë e ngushtë. Fëmijët përsërisin personazhet e tyre, imagjinata dëmtohet rëndë. Por jo vetëm. Fëmijët bëjnë "çfarë duhet bërë" me preferenca të ndikuara nga marketingu, jo nga përvojat që zbulojnë vetë. Nuk ndodh kështu nëse produktet janë pa personazhe e figura fikse.
Produktet pa personazhet e famshme i ndihmojnë fëmijët të përdorin më shumë imagjinatë dhe të jenë ata krijuesit e situatave. Sigurisht edhe vlerësimi si konsumatorë për cilësinë, funksionalitetin dhe bukurinë natyrore të objekteve zhvillohet më mirë pa ndikimin e personazheve të famshëm. Vetë vlerësimi dhe pavarësia zhvillohen më mirë nëse zgjedhin duke u mbështetur në nevojat dhe shijet personale, jo ato të marketingut.
Në vendet nordike si Suedi, Norvegji, Danimarkë, Finlandë, Islandë, kjo përvojë ndiqet rregullisht pasi në shoqëri të tilla është shumë e fortë kultura e thjeshtësisë dhe e barazisë. Glorifikimi i famës dhe i konsumizmit tenton të shmanget.
Por edhe ndikimi i politikave të shtetit nuk mbetet pas. Ligjet në mbrojtje të fëmijëve janë shumë më të rrepta. Për shembull, në Suedi ndalohet reklama televizive e drejtuar fëmijëve nën 12 vjeç. Për të mos folur për qëndrimet e rrepta ndaj përdorimit të paisjeve teknologjike e të internetit. Qasja edukative në sistemin shkollor është e fokusur drejt zhvilimit emocional, aftësive krijuese dhe empatisë. Personazhet e gatshme e kanë të vështirë të "turbullojnë" fëmijët në një mjedis të tillë.
Tani unë e kuptoj që në shoqërinë e sotme , në përgjithësi fëmijët janë vazhdimisht të ekspozuar ndaj personazheve të famshëm përmes televizionit, filmave, lojërave dhe produkteve të ndryshme. Aq më tepër në tonën ku rregullat e lojës nuk janë fort të qarta. Por unë kam gjithnjë prirjen për të treguar anën tjetër të medaljes. Me fjalë të thjeshta të mendojmë pak më shumë mbi atë që po lejojmë të formësojë fëmijët tanë. Ndoshta do të zbulojmë rrugë të reja, edhe origjinalitet. E kjo s'mund të jetë veçse diçka e mirë për fëmijët tanë. E kjo besoj është pika e dytë ku biem dakord të gjithë në këtë shënim :)