Një bebe po vjen në shtëpi!

Lajmi është fantastik! I papritur apo i mirëmenduar, ky fëmijë i dytë në familje do ta ndryshojë krejtësisht dinamikën e saj. Padiskutim të prindërve, por ajo që mua më ka interesuar gjithmonë, është fëmija i madh i familjes, motra a vëllai i madh, fëmija i parë. Si duhet t'i komunikohet atij ardhja në jetë e një bebushi të ri? Kjo pa dyshim, ka ndikim të madh në mënyrën si ai/ajo e përjeton këtë ndryshim.
Në familjen time, kur vajza e dytë po vinte në jetë, unë kam folur me të parën, aso kohe 7 vjeçe duke u mbështetur në teorinë e psikologut Erich Fromm. Të kuptohemi, në variantin më të thjeshtë. Kam përshtatur parimin e tij se dashuria e vërtetë nuk ndahet, por shumëzohet. Kështu ndodh edhe kur vjen në jetë një fëmijë i ri, zemra e prindërve nuk ndahet mes fëmijëve, por rritet për t’i përfshirë të gjithë. Në rastin tonë, kjo formë shpjegimi pati sukses:)
Për të mbetur te mendimtarët që kanë bërë histori me qëndrimet e tyre, dua të përmend sot edhe mendimet e Maya Angelou, se një familje, është vendi ku mësojmë për dashurinë pa kushte dhe pranimin. Prandaj, kur në shtëpi vjen një jetë e re, është një mundësi që fëmijët të mësojnë se dashuria nuk është konkurrencë, por bashkëndarje. Nga ana tjetër, sipas filozofisë së Maria Montessorit, çdo ndryshim në jetën e fëmijës është një mundësi për të zhvilluar pavarësinë dhe ndjeshmërinë.
Ardhja e një bebi të ri nuk është vetëm një sfidë, por edhe një mësim i butë për të kuptuar kujdesin dhe përgjegjësinë. Mendimet janë të shumta e me vlerë. Por le të bëhem pak më praktike e shpresoj edhe të vij disi në ndihmë. Sipas specialistëve të zhvillimit fizik e emocional të fëmijëve, ka disa hapa që ndihmojnë për ta komunikuar e pranuar sa më butë dhe pozitivisht nga fëmija i madh, ardhjen e një bebeje në familje. Po i përmend shkurtimisht këtu:
1. Zgjedhja e kohës së duhur për t’i treguar
Kjo varion me moshën e fëmijës, por në çdo rast mirë është të presim ca, të paktën deri pas muajit të tretë.
Nëse fëmija është shumë i vogël (nën 4 vjeç), është më mirë t’i flasim për këtë vetëm pak kohë para lindjes, sepse koncepti i kohës për ta është i kufizuar dhe pritja e gjatë mund t’i ngatërrojë.
2. Përdorimi i fjalëve të thjeshta dhe pozitive
Duhet folur me gjuhën e fëmijës, me shprehje që ai kupton. Unë vazhdoj këmbëngul tek #tëvërtetatëthjeshta.
“Në shtëpinë e bebit te barku i mamit po rritet një bebush... Kur të dalë prej aty, do të jetojë me ne në shtëpi." Duhet patur kujdes të shmangim biseda a shprehje që mund të ngjallin frikë ose pasiguri, qetë, ëmbël e thjeshtë duhet t'ia shpjegojmë fëmijës ndryshimin e madh që po vjen.
3. Përfshirja e fëmijës në përgatitje ka shumë rëndësi.
Ne duhet ta lejojmë fëmijën të përfshihet në zgjedhjen e rrobave, të një lodre për bebin, apo dekorimin e dhomës.
Meqë jemi këtu...ju lutem, mos i thoni fëmijës që po e bëni një fëmijë tjetër që ai mos mbetet vetëm, e aq më pak mos na "çudisni" duke thënë se vendimi për një bebe tjetër erdhi si përgjigje ndaj kërkesës së fëmijës së parë. Jo, kjo nuk është fare e drejtë. Vendimmarrja për fëmijë tjetër në familje është ekskluzivitet i prindërve, është përgjegjësi e tyre. Mos të gabojmë ta etiketojmë si plotësim dëshire të vëllait a motrës së madhe.
Ne si të rritur marrim vendimin, e pjesë e procesit është edhe përfshirja e fëmijës së parë në rolin e ri që ai do të marrë. Por ne s'duhet të harrojmë në asnjë rast se fëmija i parë, edhe pse tani do të jetë fëmija i rritur, është ende fëmijë e duhet trajtuar si i tillë.
Rolin e tij të ri si vëlla ose motër e madhe ne duhet t'ia shpjegojmë duke e paraqitur si diçka pozitive e me rëndësi, duke u siguruar që ai/ajo të ndihet i/e vlerësuar e i/epërfshirë, jo i/e lënë pas dore.
4. Le të përgatitemi së bashku për ndryshimet praktike.
Ne duhet t'i tregojmë që mami do të shkojë në spital që ta ndihmojë mjeku bebin të dalë, por mami do të kthehet shpejt. Duhet t'i themi se bebi do të qajë, do të flejë shumë dhe do të ketë nevojë për kujdes, por gjithashtu që edhe ai/ajo do të ketë kohë me prindërit.
Por kujdes, le të mos bëjmë premtime që nuk do t'i mbajmë dot. Nuk mund t'i themi fëmijës sonë që gjithçka do të jetë njëlloj. Kjo nuk është e vërtetë. Ne nuk mund të rrezikojmë të humbim besimin e fëmijës sonë.
5. Ne duhet të mbajmë lidhjen emocionale e t'i kushtojmë vëmendje emocioneve dhe reagimeve.
Është normale që fëmija të ketë xhelozi, mërzi apo sjellje regresive p.sh. sa herë keni dëgjuar për 4-5 vjeçarët që kërkojnë përsëri biberon, veshin pelena apo kërkojnë të flenë me prindërit sërish?
Ne s'duhet t'i qortojmë, por na duhet t'jua shpjegojmë duke i emërtuar ndjenjat. Duhet t'i tregojmë fëmijës që e kuptojmë që ndonjëherë ndihet xheloz e se kjo na ndodh edhe ne. E mbi të gjitha, mos të harrojmë kurrë t'ia shprehim dashurinë, me çdo formë, në çdo çast.
E di që kjo do shumë vëmendje e kujdes. Tashmë e dini që fjalëkalimi për një prindërim të mirë është D U R I M.