Në një garë fëmijësh, lojën e vërtetë e bëjnë të rriturit

Këtë shkrim po e shkruaj teksa ka kaluar mesnata.
Dita që lamë pas ishte e mbushur me takime, biseda dhe shumë diskutime rreth Festivalit të Fëmijëve. Prej disa ditësh, një grup profesionistësh të fushës po punon për të dëgjuar dhe përzgjedhur këngët që do të vijojnë garën në skenën e Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë. Janë shumë zëra të vegjël, shumë këngë dhe pas secilës prej tyre shumë punë, shumë emocione dhe shumë pritje.
Bashkë me këngët, më kanë ardhur edhe shumë mesazhe dhe telefonata nga prindër. Shumica me një dëshirë krejt njerëzore, që fëmija i tyre të dëgjohet me
vëmendje, të vlerësohet drejt, të ketë një mundësi më shumë. Personalisht kam mbi 25 vjet që them se ky i yni është festivali i krijuesve...i këngëve për fëmijë, por në fund të bisedave shpesh mbetet fjalia e butë që çdo prind e thotë me zemër:
“Thuaj një fjalë më shumë për fëmijën tim… është shumë i talentuar.”
E kuptoj mirë atë ndjenjë. Kur bëhet fjalë për fëmijët tanë, të gjithë duam që bota t’i shohë ashtu siç i shohim ne, si më të mirët.
Në mbrëmje, pasi u mbyll dita e gjatë e punës, u ula me vajzën time të madhe për të parë një tjetër garë televizive. Edhe aty fëmijë që këndonin, ëndërronin, prisnin vendimin e jurisë. Kur u eliminua një nga talentet që premton shumë, ime bijë, ashtu si edhe shumë fëmijë të tjerë, edhe vetë ata në garë, u mërzit vërtet. Për të, talenti ishte i dukshëm dhe rezultati dukej i padrejtë.
Duke e parë atë reagim kaq të sinqertë, mendova sërish për një pyetje që e dëgjoj shpesh në diskutimet për edukimin: a janë të mira garat për fëmijët?
Nga përvoja ime e gjatë në një garë muzikore për fëmijë, mund të them se vetë gara nuk është problemi. Në formën e saj më të mirë, ajo mund të jetë një përvojë shumë e bukur ku fëmijët përgatiten, dalin në skenë, ndajnë emocionin dhe provojnë veten.
Parimisht kështu duhet orientuar çdo lloj gare qoftë në muzikë, sport, shkollë apo art.
Në një garë fëmijësh, ajo që e bën përvojën të bukur ose të rëndë për ta, nuk është vetë gara. Janë të rriturit.
Prindërit, mësuesit, organizatorët dhe juritë me mënyrën si e ndërtojnë dhe si e trajtojnë lojën, vendosin nëse ajo do të jetë një përvojë që i rrit fëmijët apo një peshë
mbi supet e tyre.
Nëse gara kthehet në një mundësi për të provuar veten, për të mësuar të përgatitesh, për të dalë me guxim përpara të tjerëve, atëherë ajo është një shkollë e vogël jete. Fëmijët mësojnë se për çdo sukses ka punë dhe për çdo arritje ka përpjekje të mëdha.
Por nëse gara kthehet në një vend ku çdo vend i parë shihet si prova e vetme e talentit dhe çdo humbje si dështim, atëherë ne të rriturit kemi ndryshuar rregullat e lojës.
Sepse në çdo garë ka vetëm pak fitues dhe shumë fëmijë që nuk marrin një çmim.
Por kjo nuk do të thotë se ata kanë humbur. E kjo nuk është thjesht një fjali për t'u thënë. Duhet punë që kjo të jetë parimi si jua ndërtojmë fëmijëve garën, si t'i nxisim ata të besojnë te vetja. Si t'i bëjmë fëmijët të bashkëpunojnë më shumë mes
tyre, teksa nxjerrin më të mirën e vetes? Psikologu amerikan Alfie Kohn, i cili ka studiuar gjatë ndikimin e konkurrencës tek fëmijët, shkruan se, sa më shumë të theksojmë konkurrencën, aq më pak hapësirë u lëmë fëmijëve për të mësuar bashkë.
Këtu mendoj unë qëndron përgjegjësia jonë më e madhe si të rritur.
T’u mësojmë fëmijëve se garat janë një lojë ku provohet vetja, jo një peshore ku matet vlera e tyre.
Sepse në një garë fëmijësh, në fund të fundit, lojën e vërtetë e bëjnë gjithmonë të rriturit.