
Tri ngjarje në javën që po lëmë pas, e ndikojnë drejtpërsëdrejti atë që dua të shpreh sot.
Së pari, të mërkurën isha e ftuar për të folur mbi dështimet e mia, në mbyllje të një dite të gjatë gare mes gjimnazistëve të Tiranës. Al@WorkHakathon i organizuar në Albanian ICT Academy nga Qendra STEM Hub me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Rinisë, mblodhi 70 të rinj në një garë idesh,të ndarë në 13 grupe. Sigurisht që pati fitues, por pa u ndalur në emra të përvetçëm, vëmendja ime ndaloi në mundësinë që këta gjimnazistë patën për t'i dhënë hapësirë ëndrrave të tyre. Për të garuar, për të shprehur veten, për të bashkëpunuar, për të mësuar nga dështimet e të tjerëve, e duke bërë këto në fakt ata mësojnë më shumë sesi ta njohin, ta shprehin veten e pse jo të ëndërrojnë më të mirën për të.
Ngjarja e dytë ishte të enjten. Premiera e shfaqjes "Kaini dhe Abeli" në sallën e teatrit eksperimental. Regjia e Rafael Hoxhajt, kishte bërë bashkë ndoshta një dyzinë artistësh fare të rinj, teksa salla ishte plot e përplot me të rinj. Nuk mbaj mend kur kam parë aq shumë të rinj në një sallë teatri. Kam kaq shumë gjëra që mund të them mbi shfaqjen, për kritikë pozitive apo sugjerime si mund të ishte më mirë, por kur shfaqja mbaroi, gjithë sa më sillej në mendje ishte emocioni i atyre të rinjve, edhe mundësia që Rafaeli, një artist i ri në moshë për vete, iu dha aktorëve në shfaqjen e tij. Ai iu kultivoi atyre ëndrrën për të prekur skenën, kjo është gjëja më me vlerë.
E këtu ndalem tek ngjarja e tretë. Falë sugjerimit të një mikeshe, u njoha nga afër me veprën dhe qëndrimet e psikiatrit italian Paolo Crepet.
Ai thekson se të rinjtë kanë nevojë të inkurajohen të gabojnë, të kërkojnë dhe të ëndërrojnë pa frikë, sepse vetëm përmes kësaj lirie mund të ndërtojnë identitetin e tyre të vërtetë. Ai e konsideron rrezik të madh një shoqëri që ua zbeh të rinjve imagjinatën, duke i shtyrë drejt konformizmit dhe mungesës së guximit.
E pra këtu dua të ndalem unë.
Nuk është e vërtetë që të rinjtë nuk ëndërrojnë më.
E vërteta është që shpesh nuk i lejojmë.
I mësojmë të jenë “realistë” shumë herët.
Të zgjedhin sigurinë para pasionit.
Të mos gabojnë.
Të mos humbin kohë.
Por si mund të lindë një ëndërr pa kohë të humbur? Ëndrrat rriten në heshtje, brenda një të riu që shpesh nuk e di ende sa vlen.
Kultivimi i ëndrrave tek ata nuk është një "luks" emocional, por një domosdoshmëri për zhvillimin individual dhe shoqëror. Në një kohë ku pasiguria dhe presionet sociale shpesh i zbehin aspiratat, mbajtja gjallë e ëndrrave bëhet një akt rezistence dhe shprese.
Këtë javë, akte të tilla unë i pashë nga afër...në një garë teknologjie a në skenën e Teatri Eksperimental, disa të rinj zgjodhën të mos dorëzohen.
Sollën veten, me pasiguri, edhe me guxim.
Me ëndrra që duken më të mëdha se vetë skena apo vlera e një çmimi.
Dhe kjo mjafton për të kuptuar diçka të thjeshtë: kur të rinjtë besojnë, krijojnë.
Duke krijuar, ata ndryshojnë. Të rinjtë nuk kanë nevojë për perfeksion, por për hapësirë.
Nëse ne themi se të rinjve iu mungojnë ëndrrat, nuk është problem i tyre.Është dështim i yni.Të rinjtë nuk kërkojnë shumë.
Vetëm dikë që të mos u thotë “nuk bëhet”.
Paolo Crepet thotë se një i ri pa ëndrra është një i rritur i dorëzuar para kohe.
E detyra jonë është t'iu japim fëmijëve tanë hapësirat e mundësitë për të ëndërruar.