Të vërtetat e thjeshta

Minimatura-Maksimarrëzia

Minimatura-Maksimarrëzia

Shpesh herë kam një pyetje që më mundon: çfarë ndodh kur saktësisht ne të rriturit i "detyrojmë" fëmijët që nga fëmijë simpatikë e plot interesa, të kthehen në modele të pakëndshme të të rriturve konformistë? Kur arsyetimit "po kështu bëjnë të gjithë", ne i dorëzohemi apo edhe më keq akoma, e përligjim dhe e ngremë në piedestalin e një sjelljeje të pranueshme?

Këtë vit, më duket se e kam kuptuar çastin apo ceremoninë, që duke e keqorganizuar e keqpërdorur, ne prindër, mësues e tregtarë bashkë e kthejmë në një "portë drejt sjelljeve të papërshtatshme e të gabuara".
Zonja e Zotërinj: Minimatura!

Kjo përvojë që simbolizon mbylljen e një etape shkollore për nxënësit e klasës së nëntë, ka vite që është bërë pjesë e traditës edhe në Shqipëri. Në origjinë është një festë e thjeshtë, modeste, që synon të përmbledhë kujtimet e bukura të fëmijërisë shkollore dhe të krijojë një moment ndarjeje dinjitoze para hapit të madh drejt gjimnazit.

Përvoja europiane dëshmon se maturantët e vegjël mund të festojnë edhe me uniformën e shkollës, me lojëra, me kujtime të bukura dhe mesazhe për të ardhmen, në mjediset shkollore ose në formë pikniku me mësuesit dhe prindërit, duke vënë theksin te miqësia, falënderimi për arsimimin dhe përgatitja për etapën e re që i pret adoleshentët. Një piknik në natyrë, një lojë me tullumbace me ujë a gjuajtje me bojëra, një festë me biskota e limonada, një ekskursion në plazh...ka 100 mënyra si mund të celebrohet përfundimi i kësaj periudhe shkollimi e fëmijërie.

Në Shqipëri...ncuq. Në shumë raste ajo që duhet të ishte një festë fëmijësh 15-vjeçarë, është kthyer në një garë drejt rritjes së pakuptimtë, në të gjitha kuptimet, shpesh e tepruar dhe larg qëllimit të saj edukativ.
Vajzat shfaqen me veshje ekstravagante, takë të larta, grim profesional dhe thonj artificialë, një imazh që nuk përfaqëson as moshën, as rrugën e shkollës që lënë pas. Djemtë, më pak në stres për veshjen, duhet të gjejnë lekët për të marrë makina me qira ose kushërinj me makina vezulluese....Vajza të vogla që nuk ngjajnë fare me moshën që kanë, hipur në makina të shtrenjta, mbi rrugët me pluhur të periferive ku shpesh festa bëhet edhe vonë në darkë 🙈🙈🙈

Muzika që dëgjohet në këto evente: këngë me tekste banale, me ritme që më shumë i përkasin klubeve të natës sesa një salle festive për nxënësit.

Gjatë ditës në kufjet e tyre, apo edhe në biseda a koncerte 15 vjeçarët mund të kenë " on repeat" Sardin a Alisin, Maneskin apo Alban Skënderajn, Mc Kreshën... popin korean, Taylor Swift apo edhe të tjerë plot si këta...në festën e Minimaturës, jooo aty po s'u vu dy herë " Qyqeku" nuk thua dot që erdhi koha për të ikur..

Nëse keni dyshime për këto, bëni një vëzhgim në rrjetet sociale e shihni ç'postojnë fëmijët e prindërit e mësuesit bashkë... ( Franca sapo i ndaloi me ligj për fëmijët deri 15 vjeç llogaritë në rrjete sociale), ose hyni e pyesni për një palë këpucë/sandale për minimaturë...shihni çfarë takash të tregojnë tetat e dyqaneve pa iu dridhur dora...

Kjo tendencë për të kopjuar maturat e të rriturve tregon një ngatërrim të rrezikshëm mes festës së fëmijërisë dhe botës së të rriturve. E menaxhuar pastaj nga vetë prindërit e mësuesit, është thjesht faj.

Një presion i jashtëzakonshëm për fëmijët, që iu bën veç dëm, një garë pamjesh dhe shpenzimesh, që për shumë prindër janë të papërballueshme, e që prapë rropaten ta plotësojnë, pa menduar se sa gabim po bëjnë me fëmijët e tyre.

Mbarimi i klasës së nëntë, apo i sistemit të detyrueshëm shkollor në vend, është një moment që duhet të ngjallë kujtime të bukura të fëmijërisë së kaluar në bankat e shkollës dhe të japë mesazhin e rritjes me maturi, jo me grim.
Mos t'ua vëmë fajin fëmijëve, janë vetëm 15-vjeçarë.

Është koha që shoqëria, shkollat, vetë ne prindërit të reflektojmë: çfarë lloj modeli duam t’u japim fëmijëve tanë në këtë fazë të ndjeshme të jetës?
Më vonë, do të jetë realisht shumë vonë.