Martesa, valixhet dhe ngarkesat e tjera

Kisha një takim trajtimi estetik sot, e arrita 10 min me vonesë. Kjo nuk para më ndodh. Të organizoj kohën që të mundem të bëj gjithë sa kam në plan, është superfuqia ime.
Mirëpo, meqë te takimi me estetisten do të kisha rreth një orë bosh ( nënkupto ajo do të bënte punën.. po si çdo gjë artizanale, do ca kohë të bëhet) unë do të rrija duke pritur rezultatin.
Kështu që, në minutën e fundit, e ktheva rrugën drejt librari " Onufri".
Këtë "kohën për vete" që po mjeshtëroj me e gjetë çdo ditë, thashë po e bëj 100% të tillë duke lexuar një libër të ri.
Meqë kohë s'pata shumë, por jo vetëm për këtë arsye, librin e ri të Vlora Konushevcit "Martesat, valixhet dhe ngarkesat e tjera" shkova ta marr te libraria që e ka shtëpia botuese e veprës. Nuk di pse te ne, po e deshe shpejt një libër të ri, mirë bën të shkosh direkt te libraria që ka shtëpia botuese, ose te zyra e tyre nëse njeh dikë. Shpërndarja nëpër librari, zakonisht merr pak kohë, ose punonjësit e të gjithë palëve s'e kanë fort me qejf atë punë, ose se e dinë mirë që s'po ka aq shumë të ngutshëm me ble një libër.
Nejse, temë tjetër kjo.
U nisa të them që u vonova 10 minuta, sepse...le të çuditemi të gjithë bashkë...kishte rradhë në librari.
E harrova që po vonohesha, prej gëzimit që diku 5-6 vetë ishin në librari, para meje.
Për të ruajtur këtë gëzim, nuk po iu them që në mos turistë, ata ishin shqiptarë që jetonin jashtë...dallohen dreqin, qoftë edhe thjesht se futen, blejnë libra, buzëqeshin e nuk ankohen edhe pse është zheg.
E mora pra librin, 800 lekë. Mendimi i parë: sa mirë e ka kuptuar tregu çfarë duam..trajtimin tim estetik do ta paguaj sot gati 8-10 fish më shtrenjtë...
Mezi prita me pasë mundësinë me fillu leximin.
Tregimet e Vlorës janë një pasqyrë e vënë përballë realitetit. Thjesht, me gjuhën që rrjedh pastër e mendimet që duan veç me tregu, pa rënduar, edhe pse shpesh realiteti është boll i rëndë vetë. Ose ndoshta fiks për këtë.
Koha më mjafton herën e parë të lexoj 4 prej tyre. Sa mirë që janë tregime, se ia dal me i lexu pa u shkëputë shumë...është hall i madh kur lexon roman, ndërprerë nga 100 gjërat e ditës.
Tesh po kthehem te tregimet. Nuk dua të tregoj asgjë për ta, se dua shumë të shkoni edhe ju për ta marrë e për ta lexuar këtë libër. Dua t'iu them se prej kohësh, nuk di të kem lexuar një libër të një autori shqiptar, që bën këtë përshkrim kaq lehtësisht real të kohëve që kemi jetuar, e njëkohësisht të të bëjë ta ndjesh veten bashkëjetues i do kohëve aspak të zakonshme, se të lehta jo se jo.
Personazhet e Vlorës i njohim, i kemi takuar, kemi qenë vetë...e mua kjo më duket një ndër format më interesante e të guximshme të artit këto kohë.
Teksa çdo gjë përpiqet të tregojë të jashtëzakonshmen, të paarritshmen që çuditërisht e arrijnë ta gjejnë të gjithë nëse ndjekin hapat që sugjeron influencuesi ( ku është ajo ikona që tregon se të vjen për të vjellë?)...të bësh art në shqiptari me të përditshmen, duke e pasqyruar atë pa filtra, është një përpjekje që meriton gjithë vlerësimin tim, modest, por krejt të sinqertë.
Ndaj ndoshta nuk do të ishte e tepërt që në këto kohë të përmendej nga kritika...autori/autorja shkruan me thjeshtësi për të përditshmen, duke u bërë përçues i saj, duke i dhënë lexuesve dyshimin, pasiguritë, nevojën për liri, drojen, njerëzoren.
Deri tash libri më duket si një himn për jetën e grave...pa asnjë përpjekje me ra në kurth të feminizmit konsumator...e më kujton se shumë njerëz ia dalin me i mbrojtë kaq mirë të drejtat e njerëzve, të vetes e të të tjerëve, kaq mirë e kaq thjesht, veç duke shkruar për ta.
Seanca ime mbaroi. Kaq munda të lexoj.
Pjesën tjetër në vijim...tesh më presin pazaret për t`u bërë, gatimi, një material pune për t`u mbyllë në laptop...edhe 100 ngarkesa të tjera të ditës.
Mundem veç me thënë që mezi po pres me iu kthy leximit, ashtu siç mezi prita t'i them këto mendime...ndaj e shkruajta këtë shënim #tëvërtetatëthjeshta, edicion i limituar😁, teksa jam duke ecur... në notes të celularit...Më vonë do të ankohem se më dhemb qafa...po asgjë të re s'ka këtu...në kohën për vete, tesh po e gjej edhe pak hapësirë me i bë prapë ato ushtrime relaksimi për muskujt...
p.s. Në foton shoqëruese kopertina e librit të Vlorës, edhe Vlora vetë...jo thjesht që ta gjeni më kollaj librin, por edhe se ajo është goxha grua, e se postimet me fytyra të bukura njerëzore, e kanë më të lartë shikueshmërinë! (!)