Manuali i ngutjes që s’i duhet askujt

Sipas një rregulli të pashkruar, por shumë të respektuar tashmë në jetët e në familjet tona, jeta duhet të ecë shpejt. Jo thjesht mirë, shpejt.
Prindërit vrapojnë, nga puna te puna tjetër, te shkolla, te gjyshja, te pas-shkolla, te kursi… fëmijët pas tyre, shpesh me kërkesën e pritshmërinë që duhet ta bëjnë edhe më shpejt.
E kështu nga njëri vrap në tjetrin, e mira është që edhe fëmijët të sqarohen çfarë duan të bëjnë.
Psh. në moshën 15-vjeçare duhet të kenë një ide të qartë për të ardhmen, që prindërit të dinë çfarë kursesh duhen ndjekur e cilës mësuese duhet t’i “vardisen”... 18 duhet ta kenë vendosur. 21 vjeç kur mbaron bachelor duhet të ketë filluar tashmë zbatimi i planit për jetën e shpesh kur janë 25, nëse nuk janë “dikushi” “diku”, fillojnë pyetjet serioze: Po ti, çfarë po bën me jetën?
Ne prindërit, natyrisht, duam më të mirën, e shpesh kemi bindjen se suksesi është një tren që kalon vetëm një herë, ndaj duhet kapur ajo mundësi, duhet bërë ai konkurs, duhet takuar ai njeri… dhe fëmija duhet të jetë në stacion që 10 minuta përpara. Deri këtu gjithçka duket e mirëmenduar, pak e ngarkuar, por me qëllimin e mirë… por… se ka gjithmonë një por… këtë trenin që të çon te suksesi s’e ka parë askush, e pavarësisht kësaj, të gjithë nxitojnë për të.
Në këtë garë të padukshme, (për mendimin tim edhe krejt të panevojshme të them të drejtën), fëmijët tanë mësojnë shpejt një gjë: krahasimin. Gjithmonë është dikush që ka arritur më shumë, më shpejt, më herët. Theodore Roosevelt thoshte se “comparison is the thief of joy”, por duket se këtë hajdut të gëzimit, ne në praktikë e bëmë motorin e jetës.
Kurse anglishtjeje, kurse arti, kurse kodimi, matematike, fizike, biologjie, kurse për kurse të tjera. Ku ta kapësh një fëmijë… ai është në vrap… dhe duhet të mos mbetet pas. Edhe pse nuk është shumë e qartë pas kujt po vrapon, sepse shpesh gara është e paidentifikuar, ama shumë serioze.
E vjen një çast kur fëmijët tanë, tashmë të rinj, fillojnë të marrin vendime të mëdha me një siguri që nuk e kanë. I takoj shpesh dhe mund ta kuptoj fare mirë këtë kur flas me ta: ata marrin vendime të mëdha jo sepse janë të bindur, por sepse nuk kanë kohë të mos jenë. Të zgjedhësh një degë studimi bëhet si të zgjedhësh një jetë, e idealisht, duhet ta zgjedhësh saktë në tentativën e parë.
I kemi bindur fëmijët tanë se jeta nuk është vend për prova. Për ironi, ata janë thjesht duke filluar, e në nisje ne u bëjmë presion që të mos bëjnë prova. Mos ndërroni mendim, se do të humbni kohë; mos ndaloni se do të ngecni në vend; mos kini dyshime, se nëse nuk jeni të sigurt për veten, epo kjo sigurisht që është problem… I shtyjmë pafund fëmijët tanë të nguten. Dhe ata nguteeeennnn dhe këtu ndodh përplasja e parë me realitetin: njeriu nuk funksionon shumë mirë nën komandë të vazhdueshme. Të paktën jo sipas asaj që thotë Self-Determination Theory nga Edward Deci dhe Richard Ryan, që e lidh zhvillimin e shëndetshëm me autonominë, jo me shtyrjen konstante.
Pra fëmijëve tanë, teksa rriten, u duhet autonomi, mirëpo ajo e shkreta kërkon kohë. Kohën pra, siç po na del e qartë, ne nuk e kemi. Ndërkohë, sipas Erik Erikson, kjo është pikërisht mosha kur duhet të ndodhë e kundërta: faza e Identity vs. Role Confusion, një periudhë ku njeriu duhet të kërkojë, të provojë, të mos jetë i sigurt. Pra, në thelb, po u kërkojmë qartësi… pikërisht në fazën kur konfuzioni është normal.
Pra, për ta përmbledhur, vajza ime 16-vjeçare duhet të dijë çfarë do të bëjë me jetën e saj profesionale për 40 vitet e ardhshme që të zgjedhë saktë cilin drejtim të marrë në gjimnaz e çfarë dege, kursi, gare t’i nënshtrohet… ndërsa unë, mami i saj thuajse 48-vjeçe, ende po mendoj a kam zgjedhur drejt. Por për të dyja ne urgjenca mbetet, sepse e thamë pra… nuk kemi kohë. A s’ju duket edhe juve se ka diçka thellësisht qesharake në të gjithë këtë?
Sigurisht, shumë qesharake do të thosha. E përtej saj, si gjithmonë ka një të vërtetë shumë të thjeshtë, që J. R. R. Tolkien e ka thënë shumë më bukur: “not all those who wander are lost”. Ndaj ne ndoshta thjesht duhet të vendosim se çdo kthesë pa plan s’është humbje, por kërkim.
Ndoshta problemi nuk është që të rinjtë po humbasin kohë, problemi është që nuk po u lejojmë ta humbasin siç duhet. Jeta, për fatin e keq të të gjithëve ne që shkruam këtë manual ngutjeje, nuk është një garë me kronometër, e madje akoma më keq, nuk ka as medalje për ata që mbërrijnë të parët.
p.s.: teksa po editoj këtë shkrim: nga dhoma e saj dëgjohet vajza ime e vogël që më thotë: mami unë dua të bëhem doktoreshë kur të rritem.
Doktoreshë? E pyes unë me njëfarë habie nga doli ky hobi i ri këtë të shtunë në mëngjes.
Po, po, më përgjigjet ajo e sigurt, doktoreshë për kukulla. 😊