Të vërtetat e thjeshta

Magjia e një kutie me lapsa

Magjia e një kutie me lapsa

Je në plazh, në mal, në lokal, në një dalje me miq, por ke edhe fëmijët me vete?

Kam një zgjidhje për ty!

Ata do kënaqen, e vetë do të jesh krejt rehat, të paktën 30 minuta.

Më besoni, kam kohë që e përdor vetë.. e gjatë kësaj vere, po e vërtetoj sërish, kudo që jam bashkë me vajzën e vogël.

Mjaftojnë disa fletë...një fletore, shami letre, fletë e brendshme e ndonjë paketimi që rastësisht e ke me vete....e sigurisht NJË KUTI LAPSASH ME NGJYRA.

Kjo s'duhet të mungojë asnjëherë.

Krejt papritur, fëmija juaj do të fillojë të vizatojë a ngjyrosë e madje do të tërheqë pranë edhe fëmijë të tjerë. E kështu 3-4 vogëlushë do të ulin kokat, do të bisedojnë me njëri -tjetrin, do të mësojnë të presin radhën sa shoku të mbarojë me ngjyrën që i duhet edhe atij.

Ime bijë u njoh kështu me Mein, Andrean, Mian, Emarën, u argëtua me Herën e Ninën....ngado që ishim këtë verë...

Tani, që të jem e sinqertë, arsyet pse duhet që të nxisim fëmijët të vizatojnë e të ngjyrosin janë shumë më shumë se 30 minuta "rehat" për ne prindërit😁

Pse duhet ta bëjmë këtë, përveç arsyes së parë që na vjen ndërmend...heqjes së celularit, tabletit nga dora?

Vizatimi dhe ngjyrosja janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e fëmijëve. Ato ndihmojnë në zhvillimin e aftësive motorike për duart dhe gishtat, por edhe për koordinimin e syve me dorën. Duke punuar me lapsat me ngjyra, që duket thjesht argëtuese, ata në fakt po përgatiten për të tjera detyra me shkrim, ( sistemi ynë arsimor i ka me qejf të madh detyrat me shkrim).

Kështu vogëlushët tanë mund të mësojnë format, ngjyrat dhe raportet me hapësirën. Ata mundet të rrisin përqëndrimin e të mësohen të durojnë, por edhe të kuptojnë procesin dhe kënaqësinë e përfundimit të një pune me duart e tyre. Shpesh kjo ua miklon edhe vetëbesimin.

Vizatimi dhe ngjyrosja padyshim i nxisin fëmijëve imagjinatën dhe aftësitë krijuese, por edhe i ndihmojnë ata të shprehin emocionet e tyre. Meqë jemi këtu: përdorimi i ngjyrave mund të përdoret edhe si mjet për të kuptuar ndonjë shqetësim që ata kanë. Psikologjia e zhvillimit të hershëm na sugjeron se vizatimet e fëmijëve mund të na tregojnë varësisht moshën e zhvillimit, sa të stimuluar e kanë imagjinatën, çfarë emocionesh po përjetojnë apo edhe sa të gatshëm janë për të nisur një tjetër proces nxënieje si shkrimi, e aq më shumë ai i dorës.

Kështu pra, sugjerimi im për këtë të shtunë:

Ca letra e ca lapsa me ngjyrë, mbi tavolinë, peshqir plazhi, prehër...e fëmija juaj do ketë një botë për të zbuluar.

E kur të jeni edhe vetë i lirë, gjoja si pa mendje, filloni të shkarravisni. Më besoni do ndiheni mirë edhe vetë, veç kujdes: merrni leje më përpara nëse mundeni të përdorni lapsat...përndryshe magjia mund të prishet.😁