Lexo, që të mos ndihesh vetëm!

“Një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bësh në këtë jetë është t’u tregosh njerëzve që nuk janë vetëm në këtë botë.”
Më doli në Instagram në një nga këto faqe me përmbajtje që unë ndjek. Shprehja ishte e Shannon L. Alder. Meqë më pëlqeu, vijova kërkimin tim dhe mësova se ajo është një autore bashkëkohore amerikane, e njohur për shkrime të shkurtra dhe citate reflektuese mbi jetën, empatinë dhe marrëdhëniet njerëzore. I hodha një sy disa shkrimeve të saj; nuk duket të vijë nga auditorët e letërsisë klasike, por si vëzhguese e marrëdhënieve njerëzore, që më pas i përmbledh ato në fjali thelbësore. Me një stil të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë, ajo trajton tema të rritjes personale dhe ndërgjegjësimit. Sigurisht kishte shumë, shumë ndjekës.
Po si mund ta bëjmë këtë? Cila është një mënyrë për t’ua thënë këtë njerëzve (lexo sidomos fëmijëve që nuk janë vetëm në këtë botë)?
Padiskutim, për bindjen time të plotë, nuk ka një mënyrë më të mirë, që të bën të mos ndihesh vetëm në botën e madhe, sesa të lexuarit. Jo ndjekja e jetës së tjetrit, përpjekja për ta imituar në stil e formë, jo. Ashtu gjithnjë e më shumë do e gjesh veten të largohesh nga tjetri. Njohja do të jetë krejt sipërfaqësore e për pasojë, e pavlerë. Leximi na shpëton nga vetmia. Nuk na duhen shumë ndjekës në rrjete sociale për mos t’u ndjerë vetëm. Na duhet përmbajtje, kuptim, të menduarit ngjashëm me tjetrin. Nuk e them unë këtë. Unë veç mbështes atë që e kanë thënë ndër vite njerëz të zgjuar e që koha ka provuar se kanë të drejtë. Librat janë dëshmi se dikush tjetër, diku, ka menduar, ka ndjerë, është frikësuar, është ndier i humbur apo i papërshtatshëm njësoj si ne. Dhe kjo krijon një lidhje të heshtur, por shumë të fortë: ndjesinë se përvojat tona nuk janë të izoluara.
Këtë për shembull e ka thënë shumë qartë C. S. Lewis, një nga mendimtarët dhe shkrimtarët më me ndikim të shekullit XX. Ai ishte profesor letërsie në Oxford dhe Cambridge, eseist, kritik letrar dhe autor i veprave që ndërthurin imagjinatën me reflektimin filozofik. I njohur gjerësisht edhe për serinë "The Chronicles of Narnia", Lewis e shihte letërsinë jo si arratisje nga realiteti, por si mënyrë për ta kuptuar më thellë atë. Librat e tij të shkruar pas Luftës së Dytë Botërore u ekranizuan si filma super të suksesshëm në vitet 2000. Njerëzit i bashkoi imagjinata e tij edhe pas më shumë se 50 vitesh. E pra, ai thoshte: “We read to know we are not alone.” Ne lexojmë për të kuptuar se nuk jemi vetëm.
Leximi kërkon përqendrim. Dhe pikërisht për këtë arsye është kaq i rëndësishëm. Të mëson të ndalosh, të mendosh, të lidhësh ndjenjat me fjalët. Të kuptosh veten përmes tjetrit. Librat dhe historitë, në forma të ndryshme, krijojnë lidhje njerëzore dhe u japin kuptim përvojave të përbashkëta.
Tani e gjitha kjo, në zhurmën e kotë shpesh herë të infromacione të shpejta e interesit në ulje tek të rinjtë për librat, mund të tingëllojë pak e vjetër apo edhe e pamundur mbase. Por teknologjia mund të na ndihmojë t’ua bëjmë të njohur këto gjëra fëmijëve tanë.
Ta shpjegoj pak më në detaje:
Unë, e para, mendo vetë të rinjtë; jam lodhur duke dëgjuar gjithë të këqijat që na sjell teknologjia në botën e komunikimit. Mendoj se boll vëzhguam, u trembëm, gjykuam e paragjykuam; tani është koha të veprojmë. Dhe jo, unë nuk besoj se ne do ta fitojmë “luftën” me dëmet që sjell teknologjia duke ua hequr atë tërësisht të rinjve. Tjetër gjë fëmijët deri 12, 14 a 16 vjeç. Ama të rinjve sigurisht që nuk mund t’ua heqim nga dora as celularët, laptopët, ekranet në përgjithësi. E para, ne duhet të duam që fëmijët tanë të vijojnë të lexojnë. Kjo është e vetmja mënyrë për t’u bërë të ditur, mënyra më e mirë për të pasur fuqi intelektuale, apo edhe si një formë që t’i bëjë ata të mos ndihen vetëm duke u përballur me dukjen a pasjen, por të ngjashëm në mënyrën si mendojnë e ndjejnë.
E dyta: ajo që ne duhet të bëjmë, sipas mendimit tim, është të fillojmë të krijojmë përmbajtje. Rrjetet sociale nuk janë domosdoshmërisht armiku i leximit. Aty fëmijët tanë mund t'i orientojmë të gjejnë “kafshata të vogla”: citate, fragmente, ide që zgjojnë kureshtjen dhe të çojnë drejt librit. Jo zëvendësim i leximit, por hyrje drejt tij. Na duhet të ndjekim shembuj të suksesshëm në botë ku biseda rreth librave, klubet në shkolla, garat mes bashkëmoshatarëve orientohen nga brendia.
Dhe së treti: ne të rriturit duhet të kuptojmë se ajo që është vlerë, jo domosdoshmërisht duhet të jetë e vjetër, e jona. Ne duhet t’i drejtojmë fëmijët tanë të njohin, prodhojnë, përhapin e shfaqin vlerat e tyre. E parakusht për këtë është që ne të rriturit të vijojmë të lexojmë vetë, më shumë, më me cilësi, më në kohë, që ne të parët të mos ndihemi vetëm në përpjekjen tonë për prindërim të mirë.
Por për këtë...do të flasim pak më gjatë në shkrimin e radhës, të shtunën e ardhshme. Ju pres tek @TiranaPost, si prej një viti tashmë, tek #tëvërtetat e thjeshta.Faleminderit!