Të vërtetat e thjeshta

Let's make "bukë me vete" great again!

Let's make "bukë me vete" great again!

Shpesh mendoj se këto shënime ngadalë do duhet t'i ndërpres. Them me vete se temat që trajtoj në to, do vijë dita e do të jenë ezauruar, e nuk do të doja kurrë të bëhesha e bezdisshme apo përsëritëse..mirëpo ja që më ndodh të jem në prani të situatave apo të dëgjoj dialogje si këto më poshtë:

Është ditë jave, mëngjes herët. Unë po bëj gati ca gjëra që do të marr me vete në zyrë, për të ngrënë gjatë ditës. Nga dera e hapur e ballkonit në kuzhinën time, dëgjoj zërin e një mamaje që ndjek pas vajzën duke i thënë: po të lutem, mos ik prapë pa ngrënë, merr të paktën vezën, haje rrugës...

E vajza që përgjigjet: o ma, mos lër nam, ku të shkoj me vezë se më vjen zor, po marr një byrek te furra..mos ki merak kot!

Kthehet mami me vezë në dorë, vajza ikën me vrap të marrë byrekun para se të hipë në furgonin e shkollës. Unë, që nga kureshtja kam dalë të shoh moshën e vajzës që ka turp nga veza...mbetem në ballkon me disa pikëpyetje.

Çfarë domethënë të lësh nam se po ha një vezë të zier? Pse veza qenka turp, kurse byreku i furrës së cepit të lagjes jo?

Pse mendon vajza që byreku i bën më mirë?

Pse mami s'ka arritur ta bindë ndër vite se është mirë të mos dalë pa ngrënë në mëngjes?

Pse pranë shkollave lejohen të shiten lloj-lloj artikujsh të paketuar apo edhe prodhuar në çast, për cilësinë e të cilëve askush s'mban përgjegjësi?

Pse nuk po arrijmë të "normalizojmë" normalen në këtë vend?

Po pse dreqin u bë kaq e ndërlikuar?

Thua ka vlerë që unë të përmend sot disa gjëra që më duken kaq të qarta e mendoj se duhet t'i dijë çdokush?

Përditë e më shumë dëgjojmë për obezitetin, për mungesën e veprimtarisë fizike të fëmijëve dhe dhjetëra problemeve që kjo sjell në jetën e tyre shëndetësore fizike dhe emocionale, duke çimentuar shqetësime që do t'i shoqërojnë edhe në jetën e tyre si të rritur.

Po atëherë pse dreqin na del nga mendja se t'i mësojmë fëmijët të hanë ushqimin e gatuar në shtëpi, është zgjedhje më e mirë?

E sigurtë që ajo që gatuajmë vetë përmban më shumë vlera ushqyese. Mund të kontrollojmë jo vetëm sasinë e cilësinë, por edhe të shmangim çdo përbërës të tepruar, sheqernat, kripa, yndyrnat.. për të mos folur për koncentratet, ngjyrat e aromat shtesë që kanë gjërat e gatshme a fast food. Pra 1 në dorë: çfarë gatuajmë vetë është shumë më e shëndetshme. Kështu japim një ndihmesë të fortë kundër sëmundjeve dhe obezitetit.

Jo më pak e rëndësishme: duke gatuar në shtëpi e duke u mësuar me ushqime të bëra vetë, kemi mundësinë për të forcuar komunikimin ( nuk po e shtoj nga fiksimi im për ndërveprimin me fjalë prindër-fëmijë, e thotë shkenca:), të nxisim marrëdhëniet në familje si dhe të krijojmë zakone të mira të ushqyerjes që në fëmijëri.E së treti, e këtu biem dakord të gjithë besoj: të gatuash në shtëpi, është shumë më ekonomike. Të kushton shumë më tepër ushqimi i blerë gati, për xhepin, për shëndetin e për të ardhmen e imunitetit.

Tani e di unë që ka prindër plot që thonë që s'kanë kohë të gatuajnë. Mirëpo këtë logjikë nuk dua ta pranoj. 10 minuta më pak gjumë mëngjesi për të bërë një sanduiç të thjeshtë a për të zier një vezë, janë kostoja oportune e shumë problemeve që mund t"i zgjidhim vetë, e të edukojmë edhe fëmijët.

Nuk dua fare të zgjatem. Unë s'jam eksperte ushqimi, ama kjo më duket një çështje edukimi, mirërritjeje e komunikimi normal në familje.

Kështu mendoj, teksa qëroj nja dy karrota e qesh me vete...brezi ynë ka sfida nga ato më të çuditshmet... na duhet punë e strategji edhe për këtë...na duhet të kthejmë në modë vezën.