Të vërtetat e thjeshta

Ku "blihen" shokët e fëmijëve?

Ku "blihen" shokët e fëmijëve?

A kanë shokë fëmijët tuaj? A flasin me ta?

A vrapojnë për në shkollë a kopsht prej qejfit se i presin shokët/shoqet?

A blejnë një lojë të re, mjete shkolle, ëmbëlsirë a çamçakëz me dëshirën për ta ndarë me shokun?

A e dëgjoni nga dhoma tjetër teksa qesh duke folur me miqtë e vet në telefon?

Nëse po, më besoni, jeni me fat.

Sepse përditë e më shumë po shtohen rastet e fëmijëve të vetmuar. Edhe të prindërve të dëshpëruar për t'ua gjetur shokët...Po a po kërkojmë në vendin e duhur?

Për plot arsye sigurie, kohe, largësie, rutine, frike, edhe neglizhence....shumë prej nesh po gabojmë edhe në këtë drejtim.

Kaq kisha të ruajtur unë në "notes" të celularit tim...më vijnë në mendje herë pas here ide që i hedh e i ruaj aty, derisa vjen radha për t'i plotësuar në vijim. I jam kthyer disa herê këtë javë, por në asnjë rast nuk desha të bie në trishtimin a pesimizmin e rasteve që vijojnë publikohen si kambana alarmi se shumë po i hyjmë në hak fëmijëve duke i lënë vetëm. Rastet e trishta e fatkeqe nuk janë veç në vendin tonë..por në këtë situatë ku përballemi ditë pas dite, dua të besoj se për këto tema duhet folur e diskutuar jo veç kur bëhen titra lajmesh...e pastaj jeta vijon njëlloj.

* * *

Sot isha në Teatrin Kombêtar të Kukullave për të parë bashkë me vajzën e një shoqe të saj, shfaqjen "Djali miliarder".

Librin e mbaja mend vite më parë kur e pati botuar në shqip "Botart". Çuditërisht s'kam dëgjuar asnjë rast që në shkolla fëmijëve t'iu sugjerohet ta lexojnë, edhe pse tema e mësimet prej tij janë kaq aktuale.. e libri është një best seller ndërkombëtar i autorit David Williams.

Mirëpo ja që disa artistë të rinj e kanë kthyer subjektin e këtij libri në një shfaqje simpatike për fëmijë. Me kukulla plot ngjyra, skena dinamike e shumë muzikë të mirë, spektatorëve fëmijë, por edhe prindërve, iu thuhet ajo që teorikisht duhet ta kishim shumë të qartë të gjithë: shokët, ata të vërtetët, nuk blihen. Me ata të njeh jeta, përvoja që bëjmë bashkë, koha e kaluar, interesat që na bashkojnë...e këto duhet t'i kthejmë sa më parë në jetën e fëmijëve tanë. Ndaj pas shfaqjes, vendosa ta vijoj shënimin tim..me pak më shumë optimizëm e energji të mirë që më dhanë ata thuajse 100 vogëlushë që duartrokitên kur perdja e skenës ra. Pastaj mësova se tradita aq argëtuese e edukuese e shfaqjeve për fëmijë në ekranin e RTSH, rikthehet prej nesër pas shumë e shumë vitesh. E di, dukem emotive, ndoshta edhe nostalgjike. Me thënë të drejtën, nuk e kam hiç problem. Kur një nismë e duhur për fëmijët merr jetë, unë jam aty, gati për ta mbështetur.

Ndaj ja ku jam, me ca shembuj të thjeshtë, e brenda njohurive të mia edhe me ndonjë sugjerim.

Si fillim... asnjë lojë e blerë nuk nxit imagjinatën e forcon inteligjencën sociale sa një lojë me shokë të vërtetë.

Ndaj në vend që të kërkojmë dyqanin e radhës për lojë, le të mendojmë si ta vëmë fëmijën tonë përballë moshatarëve të tij.

Si mund të bëhet kjo?

A dalim ne me fëmijët tanë? Le të kuptojmë se në kohën e lirë me ta nuk duhet t'i çojmë në bare e restorante..por në park...në aq pak parqe sa ka në qytetet tona. Edhe t'i nxisim tê rrinë me njëri-tjetrin..edhe t'i ftojmë të bashkëveprojnë.

E le të bëhen pis, le të gërvishtin pak gjunjtë, do mbijetojnë, si kemi bërë edhe ne:)

A i çojmë ne fëmijët në kurse passhkollore?

Epo le të zgjedhim kurse në grup, jo individualë. Për shembull, nëse fëmija ynë ka prirje për muzikë, të kërkojmë për një kor fëmijësh, jo për një mësuese që vjen te dhoma tjetër e i mëson domosdoshmërisht solfezh në seanca individuale.

A mund të nxisim fëmijën tonë që shokët e e tij të klasës, pallatit, kursit t'i ftojë në shtëpi? Le të bëjnë rrëmujë..."pastë kush me e ba"- thoshte gjyshja ime...ajo gjyshe që thoshte edhe se " me rritë një fëmijë, është si me hapë një pus me gjilpërë".

E kam fjalën që po, e di: kjo kërkon durim, vëmendje, kushte të përshtatshme. Këto veç s'janë asgjë më shumë se ajo që fëmijëve iu duhet për t'u rritur shëndetshëm...e sigurisht shumë më pak se ajo me të cilën rrezikojnë të përballen ata në kohët e sotme...vetminë.