Të vërtetat e thjeshta

Jeta, një proces i pafund mësimi!

Jeta, një proces i pafund mësimi!

Këtu dua të ndalem këtë javë. Te gabimi që ne, si të rritur, bëjmë duke menduar se vetëm ajo që funksionon(te) për ne duhet të vlejë edhe për fëmijët tanë. Ne nuk po e përditësojmë veten, në një kohë kur përditësimi është fjalë kyçe në shumë dukuri e pajisje që na kushtëzojnë sjelljen tonë. Është edhe një nevojë e domosdoshme, sepse na duhet të kuptojmë çfarë ndodh dhe si të përballemi.

Që të mos kemi keqkuptime që në fillim. E kam fjalën për të vijuar të kemi kureshtje, të kuptojmë zhvillimet që ndodhin, të forcojmë aftësitë tona. Jo për t’u fokusuar te dukja që na bën bashkëkohorë, por te mendimi. Parakusht për këtë është që ne, të rriturit, duhet të vijojmë të mësojmë. Të kuptohemi, kjo pikësëpari na vlen ne si individë: për veten, marrëdhëniet tona, profesionin që bëjmë dhe rolin që duam të luajmë në jetën tonë. E meqë jemi te rolet… aq më shumë për atë si prind.

Ne shpesh po iu servirim si vlerë fëmijëve tanë vetëm atë që ne dimë prej kohësh. Por kjo nuk mjafton. Madje, ndonjëherë bëhet pengesë e fortë e zhvillimit individual të fëmijëve tanë. Ta konkretizoj pak:

E keni vënë re sa më pak flasin fëmijët dhe të rinjtë me prindërit e tyre apo me të rriturit në përgjithësi? Ata nuk ndihen të kuptuar, të pranuar, të paparagjykuar… ndaj zgjedhin rrugën më të thjeshtë: flasin pak, tregojnë pak, na thonë atë që ne duam të dëgjojmë… ose, më të guximshmit, e përmbyllin debatin me një “ti nuk e di, ti nuk kupton”.

E keni vënë re si flasin ose shkruajnë shpesh nxënësit e vlerësuar më mirë në shkollat tona? Politikisht korrektë. Përsërisin librin ose atë që tha mësuesi. Kështu meritojnë vlerësimin më të mirë dhe shpesh edhe simpatinë e mësuesit. Ne vijojmë të prodhojmë fotokopje dhe shpesh jemi edhe krenarë për këtë gjë. Për të mos folur për bërjen e detyrave me ChatGPT, ku shpesh mësuesit i gëzohen “ekselencës” së nxënësve dhe nuk e dallojnë nënqeshjen e tyre se ia hodhën edhe kësaj here.

A ia keni vënë mendjen çfarë ofrojnë mediat te ne? Çdo gjë që duket se po prodhohet për argëtim ndahet fare pak nga banaliteti. Çdo gjë që duket se po prodhohet për edukim mban paksa erë “vjetërsi”…edhe zhurmë, shumë, shumë zhurmë.

Për të mos u kthyer prapë te brendia e rrjeteve sociale që promovohet më shumë: nga çdo anë trumpetim dukjeje, dhune, paragjykimi, bullizmi, vreri… lekë të arritura shpejt, pa shumë shpjegim se si… dhe mjete (lexo rraqe, rrecka)… mjete për t’u pasur që kënaqin syrin, por shpirtin e trurin assesi…

Është shumë e thjeshtë të themi sot: ky brez nuk mëson, këta fëmijë janë dembelë, me ta nuk flitet, nuk janë korrektë, nuk dinë të marrin përgjegjësi, nuk i kënaq asgjë…

Pas secilit nga këto pohime, duhet ta pyesim veten: po ne, çfarë po bëjmë?

A po iu japim atyre shembujt e duhur? A po përpiqemi t’i kuptojmë, apo të paktën t’i dëgjojmë? A po ua nxisim individualitetin? A po iu krijojmë hapësira të shprehen pa u ndjerë të “alienuar” nga turma që thërret për modele të ngjashme?

A nuk ju duket se, nga njëra anë familja, nga tjetra shkolla, nga njëra anë media e nga tjetra bota online, po krijojmë në mënyrë të vijueshme forma shabllon ku po duam patjetër t’i fusim fëmijët tanë? Epo, nëse fëmija ynë është katror, ndoshta duhet ta ndihmojmë të ndihet dhe të shprehet si i tillë, jo ta detyrojmë të bëhet trekëndësh.

Dhe që të mund ta bëjmë këtë, pikësëpari na duhet ta kuptojmë vetë. Si bëhet kjo? Si fillim, duke u qartësuar se me kohën që kalon nuk duhet vetëm të rritemi në moshë, por edhe të rrisim dijen, ta kombinojmë atë me përvojën dhe të japim më të mirën që mundemi për pasuesit tanë. Kjo nuk do të thotë të bëhemi miqtë e fëmijëve tanë, as t’iu japim gjithmonë të drejtë, as të prishim kufijtë, as të zbehim autoritetin. Duhet vetëm të vijojmë të përpiqemi të kuptojmë veten, ata, mjedisin që na rrethon, dhe ta bindim veten se jeta është më e bukur kur përpiqesh, dhe edhe më shpërblyese.