Influencerë apo mentorë, si t'i ndihmojmë të rinjtë të ndërtojnë jetën e tyre

Pak ditë më parë postova një story ku thashë se pas një pamjeje të kuruar me produkte cilësore, qëndron një jetë e mbushur me përgjegjësi. Më pas, një tjetër, ku ndava mendimin se më e rëndësishme se të përdorësh produkte cilësore është të kesh mundësinë t’i sigurosh ato vetë, me punën tënde.
Nuk i bëj rastësisht këto postime. Gjithmonë vëzhgoj reagimet.
Në një studio televizive, debatova me një vajzë në të njëzetat, e cila mendonte se është më mirë të ndjekësh një influencere që “të kënaq syrin” me jetën e bukur që shfaq, sesa të lexosh apo dëgjosh diçka që të vë në mendime. Ndërkohë, në një tjetër studio, më prezantuan si influencere.(!)
M’u deshën disa ditë për t’i përpunuar të gjitha këto. Sidomos duke pasur parasysh që shumica e ndjekësve të mi janë 18–44 vjeç, dhe reagimet e tyre shpesh janë shumë ndryshe nga ato të bashkëmoshatarëve të mi në biseda më të drejtpërdrejta.
Shpesh ndjej tek ata një lloj stepjeje përballë fjalës “përgjegjësi”. Madje, çdo përmendje e saj përkthehet lehtësisht si ankesë. Nëse tregon realitetin, duket sikur i heq “xixat” botës online. Lidhja me realitetin bëhet e vështirë , ndoshta sepse modelet që konsumohen çdo ditë janë të mbushura me produkte, filtra dhe editime.
Ajo që më duket më domethënëse është se ata e dinë që këto modele nuk janë reale, e megjithatë, zgjedhin të ndikohen prej tyre.
Rrjetet sociale janë bërë më shumë një hapësirë arratisjeje sesa reflektimi. Është më e lehtë të konsumosh një imazh të bukur sesa të përballesh me një mendim që të sfidon. Është më komode të admirosh një jetë të kuruar sesa të mendosh për rrugën që të duhet për të ndërtuar tënden.
E në këto dilema, të rinjtë duhet t'i orientojmë të zgjedhin.
Padyshim, përmbajtja që të kënaq syrin të jep një ndjesi të shpejtë, ndërsa ajo që të vë në mendime të kërkon më shumë kohë, përqendrim, ndonjëherë edhe përballje me veten.
Unë vazhdoj të besoj që më e rëndësishme është kjo e dyta.
Roli i të rriturve në hapësirën publike nuk është thjesht të ndikojnë, por të shërbejnë si mentorë. Jo të ofrojnë modele të paarritshme, por orientim, kontekst dhe shembuj realë të rrugës që ndërtohet me kohë. Edhe studimet në Psikologjinë e Zhvillimit tregojnë se të rinjtë përfitojnë më shumë nga figura që i ndihmojnë të kuptojnë procesin dhe jo vetëm rezultatin. Ndoshta kemi më pak nevojë për “influencues” dhe më shumë për njerëz që nuk të premtojnë një jetë perfekte, por të ndihmojnë të ndërtosh një tënden.
Edhe nëse kjo rrugë nuk është gjithmonë më e lehta për t’u pranuar.
P.s.: një javë më parë nuk nisa shkrim për rubrikën time #tëvërtetatethjeshta në Tirana Post.
Edhe kjo ishte pjesë e vëzhgimeve të mia.
Pak kush më pyeti pse jo.
Epo...unë nuk jam influencere. Jam mentore. :)