Gjuha shqipe nuk mund të jetë 'fakultative'

Mami, ti e ke bluzën të shkruar në gjuhën shqipe!
Kështu më tha tërë habi vajza ime e vogël duke më dhënë në fakt, nisjen e këtij shënimi që e kam ndërmend prej kohësh.
Ja t'ju jap pak konteks.
Në një periudhë shumë të ngarkuar pune, në një qytet larg shtëpisë, unë pata shkuar në një dyqan veshjesh për të marrë nja dy bluza. Njëra prej tyre (kjo e historisë sonë) ka të stampuar "Kujdes mikrofonin". Mua m'u duk shumë e këndshme, edhe e lidhur me punën që po bëja atë kohë.
Ajo që mua më shpëtoi atëherë, ishte fakti se bluzat ishin prodhuar në mbështetje të pjesmarrësve në një reality show shumë të famshëm në vend.
Mund të them tani që nuk do ta kisha blerë po ta dija, po kjo s'ka rëndësi. E rëndësishme është që në tregun tonë, veç një "ngjarje e tillë kombëtare" mund të bëjë që të mbijetojnë në treg artikujt cilësorë të përdorimit të përditshëm.
Përndryshe, në treg prodhimet që "flasin" shqip zakonisht janë të një cilësie të ulët. Ato "mbijnë" në prag të festave të nëntorit, për t'u shfaqur prapë ashtu tërë rrudha e pa fort estetikë në rastin e ndonjë ndeshjeje të kombëtares. Nuk dua të fajësoj asnjë tregtar. E kam provuar vetë në shpinën time, sa e vështirë është të çosh përpara një markë shqiptare. Në një treg të vogël e të parregulluar mirë si ky i yni, me një popullësi shpesh inferiore e paragjykuese, dikush që prodhon shqip, nuk e ka fare të thjeshtë. Mirëpo, ja që prodhimet shqip janë të domosdoshme. E nuk po flas këtu as për ushqimet e as për industri që mund të forcojnë ekonominë. Të padiskutueshme ato. Por unë dua të ndalem te prodhimet shqip që edukojnë e argëtojnë e si përherë meraku im janë fëmijët. E për ta duhet të kujdesen patjetër të rriturit.
Librat për fëmijë, muzika për fëmijë, shfaqjet artistike në shqip, duhen mbështetur patjetër.
Këtu duhet dorë institucionesh.
E fortë. Edhe këmbëngulëse, edhe e mbështetur në përvojën e dhjetra pasionantëve që në Shqipëri jo gjithmonë iu ndizen " dritat" e vëmendjes publike.
Teksa Panairi i Librit do të mbyllet sot, dua shumë të besoj se nuk do të përsëritet rasti i një viti më parë ku nuk pati vlerësim për letërsinë për fëmijë. Nuk mund të jemi kaq indiferentë.
Shtëpi botuese ekskluzivisht për fëmijë si "Pupëz" e shkrimtares Rudina Çupi, përvojat e vazhdueshme të Rovena Rozhanit, librat herë rastësorë e herë të mirëmenduar për fëmijë të autorëve të rinj e me përvojë meritojnë vlerësim e vëmendje.Sepse lexuesit e tyre meritojnë vëmendje.Gjuha jonë meriton të gjithë vëmendjen tonë.
Në disa qytete të Shqipërisë organizohen festivale fëmijësh, por këngët e tyre nuk arrijnë kurrë në ekran. Talenti i fëmijëve pjesëmarrës po. Në skena plot xixa spektakli, fëmijët "përdoren" në formate e materiale muzikore e artistike aspak të përshtatshme për moshën e edukimin e tyre e rrallë e më rrallë me materiale në shqip. Nuk ka prodhime për fëmijë në shqip. As programe, as filma.Ju do të thoni është treg i lirë e privat. Patjetër. Por media publike prandaj është. Për të krijuar hapësira informuese, argëtuese e edukuese për çdo grupmoshë e kategori qytetarësh. E fëmijët nuk mund të jenë qytetarë të dorës së fundit. E mos thoni që nuk ka interes. Shihni rradhën e gjatë në pritje për një biletë te Teatri i Kukullave. Fëmijët e duan. Por duhet t'jua japësh mundësinë ta duan.
Prodhimet për fëmijë nuk mund të mos jenë në shqip. E këtu na duhet të ndërhyjmë fort. Si prindër e mësues. E të ushtrojmë presion mbi institucionet që hartojnë politikat e zhvillimit dhe edukimit. Kjo nuk do të thotë thjesht të mbështesësh artistë e edukues pasionantë. E nuk mjafton që ditën e Alfabetit Shqip ta shtosh në listën e ditëve pushim. Kjo do të thotë të mbështesësh të sotmen e sidomos të ardhmen e vendit. Shqipja nuk mund të jetë "fakultative".