Të vërtetat e thjeshta

Fundjava që ndryshoi shkrimin tim

Fundjava që ndryshoi shkrimin tim

Një bisedë e dëgjuar në rrugë nga një mikesha ime, u bë shkas për shkrimin e sotëm.

Ajo dëgjoi monologun e një mamaje ndaj vajzës diku adoleshente, e më nisi një mesazh zanor.

"Manjola, shkruaj edhe për këtë. Si mundet një prind t'ia shajë kaq shumë vendlindjen fëmijës së vet? Si mundet të presë që ai fëmijë të rritet në paqe me veten, nëse mbart gjithë këtë mllef ndaj vendit të tij?

Çfarë janë këto sjellje nihiliste, kjo gjuhë urrejtjeje, këto nerva me vendin?

Edhe unë e mendoj shpesh këtë. Sidomos në rrjete sociale, por edhe në biseda të drejtpërdrejta, më ndodh ( edhe juve patjetër) të has me opinione ndaj Shqipërisë në përgjithësi, e zonave të caktuara në veçanti, ku mllefi, nervi, mallkimi, fjala e rëndë thuhen me shumë lehtësi.

Do të kisha rreshtuar këtu plot argumente se pse kjo është e dëmshme...pse për çdo gjë të padrejtë a të gabuar që ndodh, fajin nuk e ka vendi, por njerëzit.

Do të kisha folur për ndikimin e keq që kjo mënyrë ka te fëmijët, të cilët nuk mund të rriten e të edukohen me patriotizmin si mall konsumi, po aq më pak me mllefin ndaj vendit të vet. Gjuha e sharjeve nuk mundet assesi të edukojë.

Mirëpo, vizitat që bëra këtë fundjavë, ma ndërruan linjën e shënimit tim. Në dy ditë nga Gruemira në Fishtë, fatmirësisht njohjet e mia më treguan se realiteti ka edhe kaq shumë shembuj të mirë.

Në Gruemirë njoha Kaltrinën, një vajzë 9 vjeçare që prindërit e kishin marrë me vete në një festë për vjeljen e rrushit..ajo ishte përfshirë aq shumë, po e shijonte aq shumë e mikpriste secilin prej nesh..sa unë mendova se ajo ishte vajza e shtëpisë aty, jo thjesht një vizitore që prindërit ia kishin dhënë këtë mundësi. Sihana në fakt ishte vajza e shtëpisë, diçka 2 a 3 vjeçe. Mami atë e kishte veshur me kostum popullor, njëlloj si valltarët e rritur. Ata e morën të kërcente bashkë me ta, në ritmet e muzikës që ajo zonë e ka me aq gjallëri e ngjyra.

Aty takova Hersin..s'e kisha parë që kur këndonte " Zogu e djali" në festivalin e fëmijëve më shumë se 20 vite më përpara...deri këtë të enjte, kur ajo me bashkëshortin e saj italian, tashmë të dy artistë profesionistë, mbushën oborrin me nota të muzikës tradicionale shqiptare. Hersi më tregoi që të gjithë fundjavën do ta kalonte në Kukës, në vendlindjen e saj, duke bërë art e respekt për traditën...sepse si tha ajo.."nuk e di sa nevojë ka Kukësi për mua, por unë kam shumë nevojë për të."

Ndërsa në Fishtë, bashkë me familjen time vizituam një bujtinë të re, reklamimin e të cilës, të rriturit janë kujdesur ta bëjnë dy vajza të vogla. Nuk kisha parë ndonjëherë një video më të sinqertë se ajo e dy vogëlusheve, që vraponin nëpër bujtinë për të treguar përvojën e bukur që mund të kalohej aty.

Duke ngrënë mëngjesin pranë deleve, pashë fëmijë që prindërit e tyre iu tregonin bukuritë natyrore, gatimet e zonës, patat pranë liqenit, kuajt...

Ndaj vendosa të tregoj për ta. Për prindërit e tyre që sigurisht nuk e kanë të lehtë, e që iu duhet të punojnë shumë, por ama po i rrisin fëmijët me dashurinë për vendin, për punën, e për njerëzit. Desha të tregoj për fëmijët e dikurshëm, që sot kthehen, sepse lidhja me vendlindjen është e fortë dhe e bukur, e shpesh edhe shpërblyese.

E ndoshta, këtë duhet ta bëj më shpesh. Ta bëjmë të gjithë në fakt. Të flasim më shumë për shembujt e mirë, mundësitë e duhura, hapësirat për t'u shfrytëzuar që fëmijët tanë të njohin sa më mirë vendin tonë. Kështu ata do ta kuptojnë se vendi do të jetë edhe më i mirë, nëse vetë ne do të përpiqemi edhe më shumë