
A e kujtoni atë lojën "fluturon-fluturon" që luanim fëmijë duke ngritur gishtin pasi kishim thirrur emrin e diçkaje?
Atë po luanin vajzat e mia para pak ditësh. Çudi si këto lojëra kaq naive në dukje, i mbijetojnë kohëve e kalojnë nëpër breza, por edhe qejf t'i shohësh të "zihen" me njëra - tjetrën. Nuk e kisha krejt vëmendjen derisa zërat e tyre u ngritën disi.
Ngjarja u zhvillua pak a shumë kështu:
Kur e madhja tha se fluturon dreri, e vogla i tha që s'është e vërtetë, sepse dreri nuk fluturon. Fluturon dreri i babagjyshit, ia ktheu e motra, me shpresën se fitoi.
Por përgjigjja e vajzës sime 7 vjeçare më bëri shumë përshtypje, ndaj vendosa ta ndaj me ju.
E vogla ime pra, vijoi duke thënë se dreri i babagjyshit është personazh, si vetë babagjyshi.
Motra e saj pyeti sërish me zërin e çuditur duke dashur ta mbante lojën deri në fund: po kush është i vërtetë pra, nëse Babagjyshi është personazh?
E Buna tha me plot siguri: I vërtetë? Mami është e vërtetë!♡
Ia kam treguar shumë kujt që kam takuar këto ditë këtë histori. Sigurisht jo për t'u krenuar, thjesht m'u duk si shembulli më i mirë për të treguar se sa e rëndësishme është prania e prindërve në përditshmërinë e fëmijëve. Unë kam thuajse një vit, që me përvojën e punës e leximeve, po edhe me atë në vetë të parë si prind i dy vajzave, kam ndërtuar këtë hapësirë komunikimi me ju. #tëvërtetatëthjeshta, siç e thotë edhe vetë fjala, nuk synojnë të bëjnë sqarime të thella, apo "zbulime" shkencore. Janë vëzhgime e ndjesi, përvoja e mendime për të thënë atë që në fakt e kanë thënë plot e plot studiues, psikologë e edukatorë këtë gjë.
Nuk dua të bëhem përsëritëse. Po mbyllet një vit ku javë pas jave përpiqem modestisht të tregoj se prania e prindërve në jetën e fëmijëve është një nga faktorët më të rëndësishëm për zhvillimin e tyre. Sjellja, qëndrimet dhe vlerat që ne prindërit shfaqim çdo ditë ndikojnë drejtpërdrejt në formimin e personalitetit të fëmijëve. Prania jonë është shumë më e rëndësishme sesa këshillat e përsëritura. A jam unë një prind i mirë? Më besoni, kam 16 vite që punoj fort për këtë. A bëj unë gabime? Përditë përpiqem të bëj më pak. Sigurisht që ka gjëra për të cilat jam penduar a do të doja t'i kisha bërë më mirë. Por kur ime bijë tha se "mami është e vërtetë", më besoni kur ju them se u gëzova shumë. M'u duk si një shenjë se jam në rrugën e drejtë. Jam prani e fortë për vajzat e mia, jetoj mes dilemave si të kujdesem për to, duke i lejuar të bëjnë përvojat e gabimet e tyre, si t'iu jap dashuri, pa u bërë posesive, si t'iu jap shembull të njëjtë me atë që flas e shkruaj, e si mos të harroj kurrë që janë fëmijët e mi, por s'janë unë, as vijimi im. Nuk është e lehtë, as e favorizuar nga kohët që jetojmë. Por po bëj çmosin të jem e vërtetë. Jo veç për të vlerësuar me dhurata sjelljen e mirë, si një babagjysh, por mbi të gjitha për të dhënë shembull, vëmendje, dashuri. Mbase tingëllon naive,(si loja "fluturon-fluturon") edhe e përsëritur, por na duhet të jemi aty e të vërtetë për fëmijët tanë. Çdo njeri në jetë në një mënyrë a tjetrën po kërkon vëmendje. Ne prindërit, jemi fatlumë që kemi mundësinë t'ia japim fëmijëve tanë. Duhet ta ngulisim fort në kokë këtë. Në jetë ka kohë për të gjitha, por jo njëkohësisht. Siç Michelle Obama thotë, jeta është një libër që s'e lexon dot njëherësh, por ndarë në kapituj. E kapitulli i prindërimit, edhe pse i gjatë e shpesh më i lodhshëm se ç'e mendonim, duhet "lexuar" me kujdes e vëmendje. Edhe me prani.
Nëse ka gjëra për të përmirësuar në sjelljen tonë në vitin e ri, kjo padiskutim është më e rëndësishmja. Qofshim prindër të vërtetë për fëmijët tanë!