Fëmijët kanë nevojë për besim!

Një javë më parë, unë nuk i solla shënimin tim vajzave të sjellshme të TiranaPost.
Për disa të vërteta të thjeshta:
1. Isha në Festvalin Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë. Mes 100 punëve atje, herë e kujtova e herë më doli nga mendja. Kur u kujtova seriozisht, ishte vërtet vonë.
2. Duke kërkuar falje publikisht, nuk besoj se ishte ndonjë gabim i madh. Shkrimet e mia janë një angazhim vullnetar që gjithsesi nuk arrijnë të bëhen virale, ndaj thellë-thellë jam e bindur që pak kush e ka vënë re këtë.
3. Një javë më parë isha krejt e bindur se të bësh për fëmijët, nganjëherë është shumë më e rëndësishme se të flasësh për ta.
Tani që festivali ka mbaruar (por që "Fruta e perime" vijon të më buçasë në kokë), ja ku jam sërish këtu.
Me një bindje të madhe, që më forcoi edhe më shumë ky festival.
Fëmijët prej nesh duan besim! Kaq e thjeshtë!
Pashë shumë mama të trazuara, që shpesh shohin te e tashmja e fëmijëve të tyre, mundësitë që nuk i patën vetë. Mama që kur fëmijët nuk jua përmbushin pritshmëritë, mërziten më shumë sesa kur fëmijët e tyre mërziten kur ato nuk i lënë të bëjnë gjërat që ata ndjejnë.
Pashë edhe mama që mbështetën fëmijët në këtë përvojë plot emocione, e fëmijët e tyre ishin më të qeshurit gjatë atyre ditëve ku pak rëndësi ka kush e fiton çmimin. Emocionet dhe shoqëritë që krijohen janë më të rëndësishmet.
Mirëpo, nuk po dua të flas për mamat/ prindërit sot.
Dua të ndalem te vullnetarët e festivalit tonë.
Përvoja nisi vite më parë me Jetën, që tashmë është koordinatore, me Arseldin, Abelin, Hanën, Jursin, u pasua nga Marnisa, Klajsa, Andia e u përcoll këtë vit edhe te Klevi, Hea, Edeni e Noeli (që me shumë mundësi do ta bëjë viral këtë shkrim, se është më vip-i ndër ne)😁
E pra e vetmja gjë që me cilësinë e producentes ekzekutive ia jap këtyre të rinjve ku më i vogli është 14 vjeç, është veç besimi.
Kaq mjafton që ata të bëhen motorrë të punës, kryerjes së detyrave, vrapues në skenë e në prova, miq të solistëve, korigjues të keqkuptimeve, mendje e krahë mbrojtës të një festivali që kur djersijnë për të, e duan edhe më fort.
Kush më njeh, e di mirë se unë nuk e ndaj fort atë që mendoj, me atë që them, apo atë që bëj.
Unë besoj shumë te fëmijët, te aftësitë, talenti e shkathësia e tyre.
Unë besoj shumë se ata kanë të drejtat e tyre që i gëzojnë më fort po jua mësuam bashkë me përgjegjësitë.
Unë besoj shumë se duke folur e duke bërë mundem me iu mësu atyre se veç me përkushtim mundemi me i arritë gjërat.
E kur i shoh kaq të përgjegjshëm, e njëkohësisht të gëzuar, nuk më vjen thjesht t'iu them FALEMINDERIT!
Dua t'iu them publikisht se veç në përkushtimin e tyre unë shoh të ardhmen e një Festivali që do vazhdojë shumë gjatë.
E modestisht, kur shoh çfarë kam pas vetes, ul kokën e qetë se po ia dal edhe vetë. E asgjë s'mundet të më bëjë të ndihem më mirë se kaq.