Të vërtetat e thjeshta

Fëmija im s'mund të jetë një start-up

Fëmija im s'mund të jetë një start-up

Gjithçka nisi kur një mikeshë e imja në botën e biznesit më tha që në Shqipëri po hasin vështirësi të mëdha bizneset që tregtojnë veshje për fëmijë. Ata po detyrohen ta ndryshojnë profilin e tyre për shkak të kërkesës gjithnjë e në rritje të produkteve që edhe pse targetojnë fëmijët, ngjasojnë shumë me ata për të rritur.

Pra kjo përshtypja ime, edhe e juaja besoj, që po i rrisim fëmijët si "me zor" paska edhe një ndikim të madh ekonomik nga pas. I hyra leximeve e kuptova se jo vetëm që ka lidhje direkte me ecurinë e bizneseve, por madje shoqëria paska ecur shumë më përpara. Jo thjesht nguti për të rritur fëmijët ndikon biznesin.

Studimet e bëra në këtë drejtim, bëjnë një krahasim disi të frikshëm duke e parë zhvillimin e fëmijëve krahasuar me ecurinë e një biznesi në hapat e parë (!)

Nga njëra anë fëmijët tashmë shpesh ekspozohen shumë herët ndaj përvojave, përgjegjësive apo informacioneve që tradicionalisht i përkisnin moshave më të rritura. Kjo ndodh jo vetëm përmes ndikimit të teknologjisë dhe përdorimit të internetit që në moshë të vogël, por edhe prej presionit për të arritur sa më parë rezultate përmes kurseve që zhvillojnë talentin e aftësitë e ndryshme që në fëmijëri. Nga ana tjetër, moda dhe shoqëria e konsumit, prirjet që prindi e fëmija të përshtasin veshjet me njëri-tjetrin dhe produktet, veprimtaritë apo veshjet që dizenjohen si për të rritur por të targetojnë fëmijët. (Keni dëgjuar psh. për ditëlindjen e 7-të të vajzava që festohen në spa të dedikuara atyre?)

Studimet sociale e quajnë tashmë këtë fenomen si "rritshmëri/adultifikim" të fëmijëve dhe heqin paralele ngjashmërie me tendencat në biznes.

Bizneset e reja orientohen fort drejt rritjes sa më të shpejtë e madje shpesh agresive. Kjo gjë po ndodh shpesh pa kaluar fazat e nevojshme të pjekurisë.

Bizneset e reja nisin menjëherë me identitete e marketing të fortë, sofistikim që në ditët e para, blejnë ndjekës falls në rrjetet social, zgjedhin influencer që nuk justifikojnë as pagesën e as produktin... po ndërtojnë identitete dhe brande shumë njësoj si fëmijët që shfaqin sjellje, paraqitje apo fjalor të “rriturish” shumë herët.

Fëmijët që priten të sillen si të rritur, edhe bizneset ndihen nën presionin e të qenit, apo të paktën të dukurit gati për të vepruar si kompani të mëdha, edhe pse nuk kanë përvojën e kapacitetet për ta përballuar këtë.

Ka disa shkaqe të përbashkëta që e nxisin këtë sjellje të gabuar.

Teknologjia, fajësohet sërish e para. Informacioni i menjëhershëm dhe kultura e të dukurës dhe krahasimit përmes rrjeteve sociale duket se luajnë një rol kyç në këtë ngut për t'u rritur. Modelet që na përplasen çdo ditë sa hapim sytë janë ato të një suksesi të shpejtë, si njëbrirëshi perfekt, plot ngjyra, konkurues e që dominon kudo tregun në mbarë botën.

Sigurisht që e gjitha kjo lë shumë pasoja. Studimet nënvizojnë se shpërthimi fillestar me rrënjë në sipërfaqe i bizneseve përbën një rrezik të madh që kështjella prej rëre të bjerë shpejt e njëbrirëshi të kthehet po shpejt në një kalë që i varen patkonjtë.

Por meraku im shumë më i madh në këto kohë kur fëmijët krahasohen e studiohen si bizneset, sigurisht nuk janë këta të fundit.

Unë merakun e madh e kam te fëmijët. Te ata që ky presion për pjekuri të parakohshme, po i dënon me humbjen e fëmijërisë, kohës së lojës, zhvillimit natyror emocional e social e çdo ditë e më shumë po i përball ata me probleme të vetëbesimin, stresin e mos angazhimin e duhur në shoqërizim, si fëmijë.

Teksa kemi kaq shumë ngut për t'i rritur fëmijët tanë me bindjen (e gabuar) se po bëjmë më të mirën për ta, jemi prapë shumë vonë për të bërë në fakt më të mirën për ta. Ju do të thoni mbase, po kush po e thotë këtê?

Fatmirësisht, gjithnjë e më shumë ekspertë po kërkojnë të ndryshojnë këtë gjë. Personalisht e gjej veten të dakordësoj me studiues e specialistë nordikë, të cilët jo rastësisht i përkasin vendeve ku niveli i arsimit dhe mirëqenies së fëmijëve klasifikohet si më i miri në botë.

Ata këmbëngulin që fokusi i rritjes së fëmijëve duhet përqëndruar tek zhvillimi i qëndrueshëm, i natyrshëm dhe me ritmin e duhur.

Unë dua shumë të ndjek këtë metodë, modestisht do t'ju ftoja edhe ju.

Një hap në radhë, sipas moshës, sipas prirjeve, sipas kushteve.