Çfarë fshihet pas një maske?

Dje kam parë shumë fëmijë të veshur me maska e kostume, edhe nga ata që kërkonin karamele në komshinj, edhe nga ata që shkuan në shkollë ashtu si princesha a Stitch. Në disa shkolla u bë paradë kostumesh, në disa të tjera u bë njoftimi në formë zyrtare ( lexo në grup whatsapp ku veç mësuesi kujdestar ka të drejtën e fjalës) se kostumet ishin të ndaluara.Besoj edhe ju i hasët këto sjellje edhe këtë vit.
Por...a e keni vënë re sa shumë njerëz bëhen me nerva me Halloween? Pse vënë fëmijët maska? Mirë fëmijët, po të rriturit pse?
Ça është kjo festë e frikshme? Si mund të tallesh me vdekjen? Pak festa kemi ne që të marrim festat e Amerikës?
U mbushën dyqanet e lokalet me gjëra për Halloween....
Le t'i marrim gjërat me radhë.
Halloween është një festë që kremtohet më 31 tetor çdo vit, kryesisht në vendet anglishtfolëse si SHBA, Kanada, Mbretëria e Bashkuar dhe Irlandë, e që është përhapur edhe në shumë vende të tjera të botës.
Fillesat e saj gjenden në një festë kelte që kremtonte fundin e verës dhe fillimin e dimrit. Keltët besonin se në natën e 31 tetorit shpirtrat mund të ktheheshin në Tokëz pasi kufiri mes të vdekurve e të gjallëve ishte disi i paqartë. Me kalimin e kohës festa u përfshi edhe në kalendarin e Kishës Katolike, si nata para Ditës së Shenjtëve. Me kohën që kalonte emri u shkurtua në Halloween dhe siç ndodh rëndom, komercializmi e solli atë në pragun e derës të çdo familjeje. Pra Halloween është në fakt një përzierje e traditave fetare, besimeve popullore, globalizmit dhe dëshirës së lashtë sa bota, që ca njerëz të argëtohen e ca të tjerë të fitojnë nga kjo.
Ndaj pikë së pari: le të mos bëhemi me nerva, aq më pak të përhapim ndasi të pavend. Në rastin më të mirë, mund të zgjedhim të mos e festojmë, s'ka pse ta bëjmë një festë një arsye për tu ndjerë keq askush.
Së dyti, ky është një rast që nuk duhet të tingëllojë kaq i papërshtatshëm te ne që edhe 30 e kusur vite pas lejimit të fesë, babagjyshin e bredhin ia atribuojmë Vitit të Ri...apo muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, e kthejmë në fushatë zbritjesh për më shumë shërbime e mallra (!)
Por le mos ndalem gjatë këtu.
Dua t'ju ftoj ta shohim pak me syrin e fëmijëve.
Në një vend si ky i yni, mundësitë e fëmijëve për të luajtur e ndërvepruar me njëri-tjetrin janë gjithnjë e më pak. Prindërit kanë frikë/s'kanë kohë/nerva/mundësi që t'i ndjekin në lojra në grup apo mjediset ku ata të rrinë mes tyre që janë kaq të kufizuara.
Me gjithnjë e më shumë detyra e kurse, teknologji e celularë...me gjithnjë e më pak programe të kushtuara moshës së tyre në gjuhën shqipe, me një nënvlerësim e gati-gati përbuzje të traditave tona, festave shqiptare e formave krijuese të argëtimit...epo pse ata duan të festojnë Halloween, duhet të jetë shqetësimi ynë i fundit.
Pas çdo maske, ata po kërkojnë argëtim, pas çdo shëtitjeje për karamele, është në fakt dëshira për shoqërizim, për kohë me moshatarët, për aventurë.
Ndaj le të gjejmë si t'i argëtojmë fëmijët tanë, t'iu krijojmë hapësira të njihen me traditat tona, le t'i ndihmojmë të shprehin aftësitë e tyre krijuese, të njihen e kalojnë kohë fizike reale mes vedi. Këtu duhet t'i orientojmë përpjekjet tona. Koha jonë për t'u ankuar, le të marrë fund bashkë me festën "pa kuptim" të këtij Halloween-i.