Detyrat e shtëpisë, janë të mësueses a të prindërve?

Kështu pyeti një prind në takimin e radhës në shkollën ku ndjek mësimet fëmija i tij.
Mësuesja që ma tregoi, një e njohura ime, tha se në klasë u krijua ilaritet, por problemi mbetet.
Në shkollat shtetërore, mësimi mbaron shpejt, detyrat e shtëpisë përcillen nga shkolla në familje apo shpesh në shërbimin passhkollor.
Me thënë të drejtën, kam dëgjuar variante nga më të ndryshmet për cilësinë e tyre, por ky nuk është qëllimi im. S'kam as tagrin e as kapacitetin e instrumentat për vlerësim. Ajo që di të them, është se shpesh prindërit e mbyllin bisedën duke thënë se "afterschool" është zgjidhje për ata që s'kanë ku t'i lënë, një lloj "parkim fëmijësh".
Nga ana tjetër në sistemin arsimor 9-vjeçar privat, fëmijët rrinë më gjatë. Në shumë prej tyre detyrat e "shtëpisë" bëhen në shkollë, apo ndonjë tek-tuk mbetet për në shtëpi.
Mësuesit me të drejtë thonë se fëmijët lodhen gjithë ditën e është e pamundur të mbyllin çdo gjë në shkollë. Prindërit, me të drejtë thonë se ata vijnë vonë nga puna e nuk është e drejtë që fëmijët ta zënë sërish pasditen e vonë me detyra.
Fëmijët, si në një tavolinë ping-pongu, kalojnë nga mësuesit tek prindërit me detyra, që shpesh kthehen në një angari për të gjithë. E kështu arsyeja e parë pse bëhen këto detyra, nuk është më të nxënit, por një formalitet që shqetëson o njërën palë të rriturish, o tjetrën. Ama fëmijët i bezdis në çdo rast. Shpesh e tërë dita e tyre kalon nën kërcënimin "bëj detyrat ose..."
Tani pyetjet që shtroj unë janë shumë të thjeshta:
Në ciklin e ulët të arsimit nëntëvjeçar, kur fëmija më shumë se dijet në vetvete, duhet të marrë pavarësi, të mësojë përgjegjësinë, të socializohet e të ndjehet pjesë e grupit, a mos është më mirë që sistemi ynë arsimor t'iu përshtatet këtyre pritshmërive?
Teksa kemi hequr vlerësimet me nota, apo mundësinë e moskalimit të klasës në këtë cikël, a mos është koha të rishohim edhe qasjen ndaj detyrave?
A janë detyrat ndëshkim për fëmijët, angari për prindërit, bela për mësueset?
Janë detyra, duhen bërë, prandaj quhen ashtu. Por unë mendoj se më shumë se t'iu mësojmë fëmijëve, të bëjnë detyra për "t'i hequr qafe", do të vlente për ta të edukoheshin me parimin se detyra duhet bërë mirë, por mbi të gjitha duhet bërë vetë.
A duhet ulur sasia e detyrave, a duhet ndryshuar forma e kërkesës? A mund të jenë shkollat tona, nën shembullin e shumë vendeve të zhvilluara, një formë edukimi me parimin "mësimi si lojë, loja si mësim"?
Ndaj ftesa ime për reflektim është kjo: le të mendojmë pak si prindër e mësues, çfarë është më e mirë për fëmijët tanë? Nga cila formë përfitojnë më shumë? Po të nisim sot, fëmijët tanë të rritur, do të jenë më të përgjegjshëm, më të pavarur, e me thënë të drejtën, unë besoj se edhe më të zotë.