Dashuria nuk duhet fituar!

Mua më bezdisin shumë disa sjellje të të rriturve. Këtë besoj e ka kuptuar kushdo që lexon shënimet e mia.. ( ej, e di që për pak bëhet një vit që "shkarravis"#tëvërtetatëthjeshta të miat në këtë hapësirë..si ecën koha)
E pra një nga ato që më bezdis shumë është kur ne të rriturit i vëmë fëmijët në sprovë për të fituar dashurinë tonë.
- Nuk të kam xhan po bëre këtë, të dua po u solle kështu, s'të dua po u solle ashtu...
Dua të besoj se e kemi thjesht mënyrë shprehjeje, pra jo se vërtet ka një "bursë sjelljesh" që vlerësojnë dashurinë tonë.
Por edhe nëse është veç mënyrë shprehjeje, ne e dimë mirë fort sa rëndësi ka fjala. Në këto mendime, më kujtohet një shprehje nga Gordon Neufeld, me të cilën jam shumë dakord:
"Fëmijët nuk duhet të përpiqen të fitojnë dashurinë tonë, ata duhet të rehatohen brenda saj".
Profesor Neufeld është një psikolog zhvillimor kanadez , i njohur për punën e tij mbi teorinë e lidhjes dhe zhvillimin e fëmijëve. Ai është bashkautor i librit “Hold On to Your Kids” (së bashku me Gabor Maté, këtë të fundit e gjeni në çdo scroll Instagrami nëse çështjet e edukimit të fëmijëve ju interesojnë). Neufeld ka themeluar gjithashtu Neufeld Institute, një institut edukativ që ofron trajnime për prindër, mësues dhe profesionistë dhe puna e tij ka ndikuar gjerësisht në mënyrën se si kuptohet rritja, edukimi dhe mirëqenia emocionale e fëmijëve dhe adoleshentëve.
Teksa ne e kemi krejt të thjeshtë të themi se sa më shumë fëmijët rriten, aq më shumë ndikohen nga shoqëria, ky studiues me një përvojë më shumë se 40-vjeçare, na nxit të shohim për diçka tjetër. Ai thekson fort se prindërit dhe të rriturit ( gjyshër, teze e daja, kushërinj, kujdestarë, mësues) duhet të jenë figura themelore emocionale në jetën e fëmijëve, në vend që ata të orientohen kryesisht nga bashkëmoshatarët. Neufeld këmbëngul se lidhja emocionale mes prindit dhe fëmijës është themeli i rritjes së shëndetshme. Fëmijët kanë nevojë të ndihen të sigurt, të pranuar dhe të lidhur me prindërit e tyre. Kjo afërsi nuk i bën ata të varur, përkundrazi u jep forcën për t’u rritur dhe për të përballuar botën.
Kur fëmijët ndihen pranë prindërve, ata janë më të qetë, më bashkëpunues dhe më të hapur për udhëzim. Neufeld thekson se disiplina dhe edukimi funksionojnë vetëm kur mbështeten në marrëdhënie, jo në frikë apo presion. Një fëmijë që ndihet i lidhur emocionalisht është më i gatshëm të dëgjojë dhe të mësojë.
Mbajtja pranë e fëmijëve nënkupton prani emocionale: kohë cilësore, dëgjim të vëmendshëm, përqafime dhe ndjeshmëri ndaj nevojave të tyre. Këto momente të vogla ndërtojnë besim dhe siguri emocionale, të cilat janë baza e zhvillimit të tyre.
Siç thekson Gordon Neufeld, marrëdhënia vjen përpara edukimit. Kur fëmijët ndihen të lidhur me ne, ata rriten më të fortë, më të sigurt dhe më të shëndetshëm emocionalisht.
E dua shumë këtë teori. Kam vite që përpiqem ta bëj ditë pas dite.
Unë jam prind i dy vajzave, teze e një nipi, nusja e xhajës e dy djemve dhe një vajze, shoqja, trajnuesja, mentoruesja, mësuesja e shumë e shumë fëmijëve. Në më shumë se 25 vite punë, mund të kem parë në sy më shumë se 10.000 fëmijë anembanë Shqipërisë.
Me këtë përvojë, edhe me pafund referenca nga studiues në mbarë botën , ndjej t'ju them: ju lutem, mos e sprovoni fëmijën të fitojë dashurinë tuaj! Jepeni atë pa kushte! E nëse përpiqemi përditë t'i shohim, të flasim e veçanërisht të dëgjojmë fëmijët, t'i duam me gjithë zemër, më besoni, do të na e shpërblejnë!