Ç'emër t'i vëmë kësaj-pasiguria që të bën të ndihesh gjallë në librin 'Keqkuptimi'

Nga Manjola Lloja Bushati/ "Ç'emër t'i vësh kësaj?" Ka një shprehje në shqip kur diçka është e paqartë, e papritur, e dyzuar, në fijen e perit për të qenë e keqkuptuar.
Ashtu si personazhi kryesor i librit deputues të Ledia Xhoga, "Keqkuptimi". I vetmi personazh që rropatet faqe pas faqeje, duke u përpjekur të gjejë "emrin" e vet.
Përballë saj, çdo personazh tjetër duket se dallgët nga kapërcen i ka më të qarta, jo domosdoshmërisht më të qeta, por më të qarta po.
Ndërsa përkthyesja që lidh realitetet e ndryshme, përjetimet e ndryshme, që fal shpesh më lehtësisht tjetrin se veten, që jeton përmes dyshimit. ..epo do i duhet pak më shumë kohë, ndoshta edhe autokontroll që të dalë mbi dallgët.
Ku i dihet, mbase për t'u zhytyr prapë.
Ndoshta nuk kemi kulturën e letërsisë bashkëkohore amerikane, e shumë nga përshtypjet tona i formëson kinemaja hollivudiane. As mos prisni një gjë të tillë nga ky libër. Autorja e rritur e shkolluar në ShBA, nuk sjell asgjë nga fryma, show, apo xixat që ne presim kur jemi përballë një prodhimi amerikan.
Aq më pak parashikueshmërinë. "Keqkuptimi" të lë në "siklet" deri në faqen e fundit. Kur e mbaron së lexuari pastaj, fillon një siklet tjetër.
Krejt natyralisht, ngjarjet e personazhet vinë edhe në Shqipëri. Ky është një nga ato rastet, kur si lexues kam frikë se do zhgënjehem. Por jo, ky nuk është ai rast.Ditët nga Tirana në Berat janë faqe që më bëjnë të ndihem qytetare e botës, përshkrimi aty ndihmon historinë, nuk është qëllim në vetvete, "detyrim" për të përfshirë atdheun në veprën e parë që po shkruan.
Ka një fill pasigurie e dyshimi tërë libri. Kjo gjë të krijon një lloj tensioni, edhe padurimi për të lexuar kapitullin që pason.
E pas çdo faqeje, kupton se pasiguria është kaq njerëzore, e nuk ndihesh më vetëm..kupton se historia e dikujt në cepin tjetër të botës mund të jetë lehtësisht edhe e jotja, pasiguria e tij, dyshimi yt, frika e tij, meraku yt.
Çfarë duhet të bëjë njeriu (i shkretë)?
Të mendojë për tjetrin, të shtyhet për të? Apo të rrijë mbyllur në fatin e vet?
A është gabim të rrish vetëm, a duhet të zgjatesh drejt tjetrit?
A është e mira ime, edhe e tjetrit?
A është mirë të rrish vetëm, a është gabim të lësh mendjen e lirë?
Ku fillon hapësira e tjetrit, kush i cakton kufinjtë? A na ndihmon koha, a na pengon hapësira?
A mundemi me e pasë tjetrin aq afër, si në një marrdhënie all inclusive?
A duhet të mbyllim sytë, a duhet të themi çdo mendim, a duhen filtra, a na mbron sekreti?
A duhet ta kemi frikë fantazinë tonë?
A duhet të kërkojmë ndihmë?
A ka secili hallin e vet? A i ngjan halli, hallit?
Mund të vazhdoj gjatë me pyetjet që më sjell në mendje ky libër. Nuk kam ndërmend të them a gjeni aty përgjigjet që prisni, apo edhe përgjigje të çdo lloji .E nuk ka fare rëndësi gara në këtë pikë. Sigurisht shumë më shumë vëmendje për autoren seleksionimi si pretendente për çmimin "Booker Prize 2025"..ama libri..libri e ka bërë historinë e vet, sipas mendimit tim.
Mua psh, "Keqkuptimi" më kujton kohën e gjimnazit kur përpija librat e Kafkës, Kamysë, Sartrit. Kohën kur zgjodha studimin e shoqërisë, mbi artin e gazetarinë që kisha menduar për vite me rradhë që do të ishin zgjedhja ime. E më besoni, një konfirmim se kam bërë zgjedhjen e duhur, ishte shumë qejf të ma jepte një libër i njê autoreje shqiptare.
Do të doja ta lexoni librin, e pastaj ta flisni me dikë tjetër që e ka lexuar. E në mos gjetshi dikë që e ka lexuar, jepjani ju. Edhe prisni. Prisni ta lexojë. Pastaj flisni. S'ka gjë më të bukur sesa të komunikosh me tjetrin, edhe me frikën se s'do biesh dakort, edhe me dyshimin për atë që ai mendon, edhe pse asgjë mund të mos ndodhë, edhe me rrezikun e keqkuptimit.
p.s.: ky shënim nuk është kritikë mbi librin, janë thjesht mendime hedhur në pritjen që dikush ta lexojë librin, e pastaj të mund ta flas me të.