Ata kanë mikrofonin, po ne a po i dëgjojmë?

Fëmijët tanë kanë nevojë të dëgjohen. Jo të këshillohen apo të korrigjohen sapo nisin të flasin. Kjo duket si një nga #tëvërtetatethjeshta, që kanë qenë gjithmonë aty, që kur roli i prindërve në familje apo mësuesve në shkolla nuk është më ai i vendimmarrësit me veto. E vlefshme për çdo prind a edukator të cilit i ka interesuar mirërritja e fëmijëve në përshtatje me kohën që jetojnë.Mirëpo… tashmë kemi përballë brezin Alpha, përndryshe fëmijët e lindur mes viteve 2010–2026. Për ta, të qenit të dëgjuar është thelbësore. E has prej vitesh vetë këtë gjë. Së pari, sepse pikërisht këtij brezi i përkasin të dy vajzat e mia; së dyti, sepse puna më lidh në mënyrë të vazhduar me këtë brez, i cili shpesh, nuk e ka fare problem të të lërë të flasësh aty 90 minuta, edhe pa dëgjuar asnjë rresht prej teje. Jua kam thënë edhe më përpara: unë bëj shumë shpesh takime e trajnime me fëmijë e të rinj. Në disa prej tyre, nis të ndërtoj mekanizmat e mi për të kuptuar çfarë do t’i mbante ata larg telefonave për të ndjekur trajnimet e mia. Nuk po akuzoja askënd në këtë rast. Ishte thjesht nevoja ime për të kuptuar çfarë duhet të bëja për të pasur vëmendjen e tyre. E gjitha kjo nisi kur, në fund të një trajnimi të tillë, unë u tregova atyre se në vlerësimin tim për grupet e ndryshme me të cilët punoja, kisha futur edhe si variabël sa kohë a sa herë ata kapnin telefonin gjatë trajnimit. E me çiltërsinë e drejtpërdrejtësinë e moshës (një moshatar me mua mund ta shprehte edhe si gati-gati jo në mënyrë fort të edukuar), një prej tyre më tha: “Nëse ne kapim telefonin, nuk do të thotë që s’kemi interes për asgjë; do të thotë që ju si trajnues nuk jeni më interesantë.” Oo… goditje me grusht m’u duk! Si t’ia bësh të jesh interesant për këtë brez që të kesh vëmendjen e tyre?
Ky është brezi i parë që po rritet në një botë ku çdo gjë është interaktive. Të qenit online, teknologjia, interneti, për ta janë mënyrë jetese, mungesa e të cilave i habit më shumë se na habiste ne, kur ishim sa ata, ikja e energjisë elektrike, e cila ishte shpikur shumë kohë më përpara. Çdo gjë që ata shohin e bëjnë online kërkon ndërveprimin e tyre. Videot e YouTube mund t’i komentojnë; në TikTok a Instagram mund të reagojnë; në lojëra si Roblox mund të ndërtojnë tërësisht botën e tyre. Çdo hapësirë online u thotë atyre se zëri juaj ka peshë. Ja pikërisht këtu dua të ndalem: Bota digjitale nuk është ajo realja. Teksa jetojmë në ditët kur çdo gjë duket se “bërtet”, nga lajmet te dëshirat tona emergjente për të kapur maksimumin, çfarë ndodh me zërin e një fëmije? E pra, të dashur miq, prindër bashkëmoshatarë ose jo, këtu qëndron thelbi. Zëri i një fëmije shpesh humbet. Mos filloni tani direkt me… sa të drejta kanë fëmijët sot, ne as i kemi çuar ndër mend, po kush po i lë ata pa folur, ata po flasin më shumë se ne… Zëri i fëmijëve sot po humbet jo sepse është i ulët, por sepse ne jemi të zënë. Na “mbyti” vrulli për çdo gjë: puna, e-maili, përmbledhja e një episodi të Big Brother-it, vrulli për të bërë viktimën e për të pasur të drejtë. Le të bëhem pak më konkrete: fëmija të thotë “mami, shiko” dhe të tregon një vizatim që ka bërë. Ai nuk po kërkon vetëm që t’i hedhim një sy vizatimit; po kërkon vëmendje të plotë. Kur vjen pranë teje dhe e nis bisedën me: “babi, dëgjo”, nuk po kërkon zgjidhje. Fëmija po kërkon praninë tonë. Për këto është folur shumë nga studiues të psikikës dhe mirërritjes së fëmijëve. Psikologu Carl Rogers e quante këtë “dëgjim empatik”, që me fjalë të thjeshta do të thotë të hysh në botën e tjetrit pa gjykim dhe pa nxitim për ta rregulluar. Kur dikush ndihet realisht i dëgjuar, ai fillon të kuptojë më mirë veten. Për një fëmijë Alpha, kjo është edhe më kritike, sepse identiteti i tij po formohet mes algoritmeve, krahasimeve dhe ekspozimit të vazhdueshëm. Edhe teoria e lidhjes e John Boëlby tregon se siguria emocionale ndërtohet mbi përvojën e të qenit i dëgjuar dhe i pranuar. Një fëmijë që ka një të rritur që e dëgjon seriozisht, ndërton një bazë të brendshme sigurie. E kjo bazë është një nisje e mirë që ai të guxojë.
Këto pra nuk fliten për herë të parë në epokën që ne jetojmë, por paradoksi ynë është ai që s’po pushoj së thëni: sot kemi më shumë mjete për të komunikuar se në çdo epokë tjetër, por komunikimi real në familje e shkollë nuk është në të njëjtin nivel. E fëmija, nëse nuk dëgjohet nga prindërit a mësuesit, e kërkon vlerësimin e tij online. Aty vendimet i merr algoritmi. Lidhja emocionale pushon së funksionuari kur reagimi është digjital. Ne shpesh mendojmë se jemi mirëkuptues, e i ndërpresim, u themi se i kuptojmë, se s’kanë pse mërziten për kaq… (këtë, p.sh., unë e bëj rregullisht duke u përpjekur të zhdramatizoj çdo gjë… jap fjalën që do e përmirësoj). E kështu, në fakt, sinjali që dërgojmë është se ndjenjat e tyre janë ngarkesë e tepërt në ditët tona plot me gjëra që “bërtasin”. E këtu bëjmë një gabim të madh, sepse një fëmijë që nuk dëgjohet mund të ndalojë së foluri, mund të zgjedhë të flasë diku tjetër, por kurrë nuk do të ndalojë së ndjeri. Nëse jeni sadopak familjar me të drejtat e njeriut, zor të mos e keni dëgjuar se dëgjimi i fëmijëve dhe përfshirja e tyre në vendimmarrje është e drejtë themelore, e parashikuar edhe në Konventën për të Drejtat e Fëmijës. Ka një nen aty edhe për këtë. Ndër breza, të dëgjuarit nuk është më veç çështje se si edukohen njerëzit, por edhe çështje dinjiteti. Për brezin e fëmijëve tanë, të njohur si Brezi Alpha, dëgjimi është kundërpeshë ndaj zhurmës. Dëgjimi filtron presionin social dhe ndikon drejtpërdrejt në vetëbesimin “e shkretë” që kaq shumë vihet në provë në këtë mjedis ku çdo gjë vetëm krahasohet. Vetëbesimin, të dashur lexues të mi, nuk ta japin pëlqimet online, aq më shumë kur je fëmijë. Ta jep një i rritur që mbyll ekranin e laptopit, merr telekomandën e ul zërin e televizorit, lëshon nga dora celularin dhe i thotë: “Po të dëgjoj.” E dyshoj shpesh, por gjithnjë e më shpesh më rezulton se nganjëherë të vërtetat janë aq të thjeshta sa duken gati-gati naive. Fëmijët tanë nuk kanë nevojë për më shumë zë. Atë e kanë mjaftueshëm. Zëri i tyre ka nevojë për më shumë veshë.
p.s.: tashmë në trajnimet e mia, shumica e kohës është që ata të flasin, e vëmendjen ndaj tyre ta bashkoj me përvojën time për të mësuar së bashku. Edhe unë po kërkoj vëmendjen e tyre. Edhe tuajën. Ndaj shkrimi sot po shoërohet më një foto më të kuruar, se është mjet për ju… Do t’ju tregoj në vijim si po funksionon.;)