Të vërtetat e thjeshta

Ashensori i dashurisë, ose rrugëtimi i bebit në trupin e mamit

Ashensori i dashurisë, ose rrugëtimi i bebit në trupin e mamit

A iu del bishti fëmijëve, po të pijnë kafe? Kështu e pyeti Hana e vogël mamin e saj teksa ajo po e ushqente. Përgjigjia e mamit, artistes Edona Reshitaj, më pëlqeu shumë.

Jo, nuk del bishti. Kafeja nuk është e përshtatshme për fëmijët. Po e pive të dhemb barku, të bën të ndihesh keq, por nuk të del bishti, kjo nuk është e vërtetë.

Kur e pashë videon e postuar nga Edona, qesha e i shkruajta menjëherë: ja ku u gjet për çfarë do ta bëj këtë javë shënimin tim :)

E kështu nisa të mendoj se sa shumë rrengje iu punojmë ne fëmijëve. Në vend që t'iu japim përgjigje me #tëvërtetatëthjeshta, shpesh i biem shkurt pa llogaritur dëmet që sjell kjo gjë.

Frika se do të ndodhë ajo që kemi thënë me përgjigjen tonë është e keqja më e vogël. Mungesa e besimit dhe prishja e urave të komunikimit me fëmijët mund të jetë realisht shqetësuese. Kam folur për këtë edhe më parë, mund të gjeni disa përshtypje edhe në një nga shkrimet e para të kësaj hapësire.(link i "Shtëpia e bebit po pastrohet).

Me pak a shumë këtë nevojë për të dhënë përgjigje sa më pranë të vërtetës, e kam gjetur veten edhe kur fëmijët më kanë pyetur: Si bëhen bebet?

Shumëkush do të tregonte në këtë rast historinë me lejlek... E frymëzuar nga kultura perëndimore, kjo fabul është shumë e përhapur në botë edhe për emrin e mirë që ka lejleku:)..një gjallesë monogame, që jeton pranë ujërave, elegante dhe e bardhë, që kthehet në folenë e tij pranë shtëpive të njerëzve. Andersen shkroi një përrallë për këtë çështje në fundin e viteve 1800, e bota e mori këtë simbolikë, kthyer tashmë në levë marketingu.

Mirëpo, të kuptohemi, nuk kam asgjë me lejlekun e as kulturën që ndërtoi këtë fabul. Thjesht kur më pyesin mua, mendoj se në shekullin që jetojmë, përgjigjia duhet të jetë pak më pranë të vërtetës. Këto historitë " të solli lejleku, të gjetëm te lulja.." unë nuk i kam qejf.

E kështu kam krijuar një përgjigje tjetër.

Unë iu them fëmijëve që në fillim, ideja për to, lind te mendja e prindërve. Prindërit e mendojnë gjatë që duan një bebe, edhe si do të kujdesen për të. Pastaj bebi "zbret" te zemra. Që të rritet i fortë e i shëndetshëm ai duhet të marrë shuuumë dashuri nga prindërit. E kështu shkon të shohë nga afër vendin ku do rrijë gjithmonë, edhe kur të jetë i madh sa trupi i mamit nuk e zë dot më. Pastaj zbret te barku bebi...te shtëpia e bebeve që mami "kujdeset" ta mbajë pastër çdo muaj. E më në fund, kur bebi është aq i madh e i fortë sa të lindë, hop, zbret te dera e trupit të mamit dhe aty një mjek i rritur e ndihmon të dalë. Dera është shumë kollaj nëse ke lindje cezariane...unë i kam treguar edhe shenjën vajzave të mia...përndryshe mund të thuash që dera është në fund të barkut të mamit, e hapet veç kur bebi është gati të lindë. :)

Si lëviz bebi nga mendja, te zemra, te barku e te dera? Ooo po mami e babi krijojnë një "ashensor dashurie"...me të lëviz bebi, nuk e dije ti?

Ja kjo është përgjigjia ime. Mendoj se kështu i them atyre dy të vërteta të mëdha, me të cilat do të doja të edukoja çdo fëmijë...bebet janë përgjegjësi e prindërve, ndaj ata duhet të mendojnë mirë para se të vendosin të bëhen të tillë...e mbi të gjitha se dashuria mund t'i bëjë bebet të rriten të fortë, të shëndetshëm e për ta, ka gjithmonë një vend në zemrën e prindit.

Ja ku jua thashë edhe juve, pa pretendimin të rrëzoj mite. Por nëse edhe ju si unë, nuk doni t'i thoni fëmijëve se dikush a diçka i solli në familjen tuaj apo te mami i vet...epo mund t'iu tregoni " rrugëtimin e bebit me ashensorin e dashurisë". Kur të rriten e të kuptojnë se si funksionon ky ashensor, mbase do të buzëqeshin..por do të kenë edhe besim se ju, i thoni gjithmonë të vërtetën. Të thjeshtë, të përshtatur me moshën...ashtu siç vetëm prindërit dinë ♡