Të vërtetat e thjeshta

A do ta kapim këtë çast?

A do ta kapim këtë çast?

Në një kohë kur ankesa më e shpeshtë e të rriturve për adoleshentët është “nuk e heqin telefonin nga dora”, një sallë plot me gjimnazistë në Shkodër këtë të mërkurë më dha një përgjigje krejt tjetër. Për 90 minuta debat të drejtpërdrejtë, asnjë celular i hapur. Asnjë ekran që ndriçon fytyrat. Vetëm sy që kërkonin fjalën, duar që shtypnin pulsantin dhe argumente që “përplaseshin” me njëri-tjetrin. “60’ ARGUMENT – Vrapo drejt Argumentit” është një nismë e Shërbimit Psiko-Social pranë Zyrës Vendore Arsimore Shkodër, që mblodhi 18 gjimnazistë nga 9 shkolla të qytetit në një format dinamik me tre raunde debati. Muaji shkurt njihet tashmë edhe për Ditën e Internetit të Sigurt, e me këtë motiv u organizua edhe kjo garë. Tema të panjohura më parë, 60 sekonda për të menduar, presion, kundërargument, etikë komunikimi. Një laborator i vogël demokracie në kohë reale. Pata kënaqësi të veçantë ta moderoja këtë takim: sociologji, argumentim, teknologji, të rinj, aq më shumë në Shkodër. Si të thuash, çdo argument që ka në fokus puna ime profesionale, i mbledhur në një përvojë të vetme. Unë isha e ftuar të bëja moderuesen, por sigurisht vëzhgimin, këtë armë time shumë të fortë, nuk e lashë pa e shfrytëzuar as këtë herë. Juria, sigurisht, e mbështetur në kriteret e vlerësimit, ndoqi çdo debat dhe u përpoq të vlerësonte më të mirët për argumentimin më të fortë. Por në këndvështrimin tim, domethënia e fortë e këtij debati qëndron diku tjetër:

1. Heshtja e telefonave. Jam përpjekur ta kontrolloj sallën me sy gjatë gjithë kohës. Më falni, të nderuar mësues… ju edhe e hapët ndonjëherë celularin, mbase për t’u bërë foto nxënësve, mbase për të koordinuar punët tuaja private… por nxënësit, edhe ata që ndiqnin garën e shokëve të tyre, jo thjesht ata që ishin në konkurrim, nuk i pashë thuajse në asnjë rast të hapnin telefonin. Duhet të ndalem pak këtu. Nëse për 90 minuta të rinjtë zgjedhin të mos prekin celularin, jo sepse ua ndalon dikush, por sepse janë të përfshirë, të sfiduar, të dëgjuar, kjo është një kambanë e fortë që bie për ne. Teksa i shpallim “armiq” të përbetuar, a mund të ndodhë që rrjetet sociale, në fakt, janë veç zëvendësim i asaj që u mungon: vëmendjes, sfidës reale, përkatësisë? Shpesh, në përvojën time, më ndodh të kuptoj në vetë të parë që, kur të rinjve dhe fëmijëve u ofrojmë hapësira ku fjala e tyre ka peshë, ku mendimi i tyre merret seriozisht, ata vetë zgjedhin të heqin sytë nga ekrani. Mbase pyetja jonë nuk duhet të jetë pse ata qëndrojnë në rrjete sociale. Mendoj se pyetja e vërtetë është: çfarë po u ofrojmë ne përtej tyre? Bota e zhvilluar po flet sot për një lodhje të përdoruesve nga rrjetet sociale, për tendenca drejt “zero postime”, për ulje të interesit për formate e platforma të caktuara dhe, paralelisht, për kufizime gjithnjë e më të mëdha të përdorimit të tyre. Cili është hapi tjetër? Çfarë do ta tërheqë vëmendjen e fëmijëve tanë?

2. Ky takim u filmua për t’u dhënë edhe në një nga mediat lokale kryesore në qytet. Mendoj se më shumë se të rinjtë apo familjarët e tyre, programin duhet ta ndjekin vetë gazetarët, drejtuesit e emisioneve dhe një “tufë” njerëzish që në vendin tonë jetojnë duke folur nëpër studio. 18 të rinjtë shkodranë do t’ju mësojnë se si flitet, mbrohet apo kundërshtohet një argument, pa bërtitur, pa i ndërprerë fjalën askujt, pa fyer.

Në këndvështrimin tim, pika e tretë e fortë e këtij organizimi ishte në fund. Një pyetje e hapur, pa alternativa, pa drejtim të imponuar: si e shohin ata Shërbimin Psiko-Social në shkollë? Përgjigjet ishin të qarta, të ngrohta, të drejtpërdrejta. Meqë këtu nuk duhet të argumentonin si avokatë pro a kundër një çështjeje të caktuar, të rinjtë folën ndryshe. Ishin edhe më të vërtetë, më të bindur në atë që thoshin, më të qartë, prandaj mbase edhe u shpëtoi ndonjë fjalë në anglisht. Në këtë përgjigje ata bënë edhe humor, edhe treguan diçka nga vetja. Folën për mbështetje, për kohë cilësore, për ndihmë reale, për rënien e stigmës për të takuar një psikolog, për ndjesinë se dikush i dëgjon pa i gjykuar. Në një shoqëri si e jona, ku ende shpesh psikologu shihet si “zgjidhje për problemin”, këta të rinj shërbimin psiko-social në shkolla e përshkruan si hapësirë sigurie, si normalitet, si nevojë.

Unë do t’ju ftoja të gjithëve ta lexojmë këtë si një sinjal të fortë. Nuk bëhet fjalë këtu të duartrokasim suksesin e një shërbimi; këtë do të duhet kohë dhe mekanizma profesionalë për ta dëshmuar. Ky reagim i gjimnazistëve shkodranë, në mendimin tim, është një tregues i nevojës për vëmendje, për komunikim të sinqertë, për marrëdhënie të vërtetë me të rriturit. Edhe një herë, pra, më duket se fëmijët tanë po kërkojnë më shumë prani nga ne. Në fund të atyre 90 minutave, fituesit morën duartrokitjet. Por ndoshta fitimi më i madh ishte tjetërkund: në faktin që, kur u ofrohet hapësirë reale, të rinjtë zgjedhin dialogun përpara ekranit dhe komunikimin përpara izolimit.

Pyetja që unë kam në fund për sot është krejt e thjeshtë: a do ta kapim këtë çast?