Të vërtetat e thjeshta

A do edhe ti një byzylyk vere

A do edhe ti një byzylyk vere

Është ditë plazhi. Fatmirësisht një nga ato vendet ku muzika është e ulët e mundesh të shijosh pushimin e qetë...

Nga çadra pranë dëgjoj një vajzë që i afrohet pushuesve: A doni byzylykë vere? I bëj vetë.

Më bëri përshtypje e ia vura veshin e sytë...ajo kaloi nga çadra në çadër...por byzylykë nuk kishte me vete...Thjesht po merrte porosi😊

Pastaj u kthye te çadra e saj e i dha porosi gjyshit që atë natë do kthehej në qytet.

"-Gjysh, ke me shku te x dyqan në qytet e do të më blesh një kuti që ka mjetet për të bërë 15 byzylykë.

10 i kam të porositur që sot, kështu që e kam siguruar shumën sa kam me të dhënë ty. Sa të ma sjellësh kutinë, i bëj, i shes e t'i jap lekët menjëherë."

Sa shumë e desha atë fëmijë, dëshirën e saj për të krijuar, edhe për të bërë biznes, edhe guximin për të folur me "klientët" plazhistë, edhe planin e saj të biznesit.🤩

Ne të rriturit shpesh i lëmë fëmijët jashtë bisedave me objekt punën e paratë, e aq më shumë të atyre ku duhet qartësuar se puna është mënyra më e mirë, e ndershme dhe e sigurtë për të fituar lekët.

Por në fakt, mirë do të ishte t’iu mësojmë fëmijëve për lekët.

Ka disa arsye për këtë.

Kur fëmijët mësojnë të kuptojnë vlerën e parave dhe si të menaxhojnë ato, rriten duke qenë më të përgjegjshëm dhe më të vetëdijshëm për shpenzimet.

Edukimi financiar që në fëmijëri i ndihmon të shmangin zakonet e këqija, si shpenzimet e tepruara ose borxhet e panevojshme.

Aftësitë për të kursyer, buxhetuar, për të krahasuar çmimet a për të bërë blerje të zgjuara janë të vlefshme gjithë jetën.

Kur fëmijëve iu shpjegojmë se si punojmë ne të rriturit për të fituar para, iu mësojmë të vlerësojnë më shumë atë që kanë.Ne duhet t'i bindim fëmijët që paratë janë një mjet për të përmbushur nevojat dhe dëshirat, jo qëllimi i vetëm i jetës.

Po, si mund ta bëjmë këtë?

Të fillojmë me koncepte të thjeshta, si dallimi midis kursimit dhe shpenzimit. Mund t'iu japim një "buxhet" javor për t’i menaxhuar vetë dhe t’i ndihmojmë të mendojnë si ta përdorin. Mirë është që i’i përfshijmë ata në blerjet e vogla, duke i pyetur: “A e ke nevojë apo e do?

Sapo të jemi të bindur se kanë vëmendjen e aftësinë për ta ndjekur bisedën tonë, le t'iu flasim hapur për rëndësinë e punës dhe si fitohen paratë.

Do të ishte mirë që t'iu mësojmë fëmijëve të jenë bujarë dhe të ndihmojnë të tjerët, duke dhënë një pjesë të kursimeve.

Si ta bëjmë këtë? Ja psh..ne sot porositëm tri byzylykë vere, nesër do na vinë e shoqja jonë e plazhit, sapo nxori edhe fitim nga krijimet e saj artizanale🤩