Stil jete

Video/ Reklama më e veçantë e Super Bowl rrëfen historinë e vërtetë të kampiones Jessica Long

Video/ Reklama më e veçantë e Super Bowl rrëfen

Për eventin e Super Bowl të këtij viti u krijuan disa spote publicitare, por më i bukuri ishte ai i Toyota-s, kompanisë së prodhimit të automjeteve.

Në këtë reklamë shfaqet historia e vërtetë e Jessica Long 13 herë fituese e medaljes së artë të Paraolimpiadës.

Reklama zgjat vetëm një minutë. Teksa kampionia noton, një zile telefoni dëgjohet: në dy skajet e linjës ka dy gra, menaxherja e një zyre birësimi dhe nëna e ardhshme birësuese e Jessica.

"Ne gjetëm një vajzë të vogël për kërkesën tuaj për birësim, por ka diçka që duhet ta dini. Vajza është në Siberi dhe ka lindur me një sëmundje të rrallë. Këmbët e saj do të duhet të amputohen (t`i presin). E di që është e vështirë ta dëgjosh, por jeta e saj nuk do të jetë e lehtë”.

Pastaj shfaqet bebi Jessica e porsalindur që pret me fëmijët e tjerë në dhomën e Shtëpisë së Fëmijës. Skena të tjera tregojnë se ajo mëson të ecë me paterica. Ndërsa Jessica noton dhe noton, me forcën dhe vendosmërinë që do ta çojnë atë përpara drejt fitoreve të njëpasnjëshme.

Nga skaji tjetër i telefonit dëgjohet pastaj zëri i emocionuar i Long (nënës birësuese) që thotë: "Mund të mos jetë e lehtë, por do të jetë fantastike. Mezi po pres ta takoj", thotë ajo, para se të ulet në tavolinë dhe të kapë dorën e burrit të saj.

Reklama përfundon me mesazhin: "Ne besojmë se ka shpresë dhe forcë tek të gjithë ne".

Jessica është e birësuar, kjo është historia e vërtetë e saj dhe e prindërve që nuk u stepën për ta bërë të vetën e për ta ndihmuar të ectë përpara.

*Artikulli i Huffington Post u përshtat në shqip nga Tiranapost.al