Stil jete

Si të debatosh më mirë online?

Si të debatosh më mirë online?

Nga Ian Leslie/ Ishte viti 2010 kur revista Time e cilësoi Mark Zuckerberg si njeriun e vitit. Kjo sepse Facebook u pa si një mision për të zbutur turmat ulëritëse dhe për ta shndërruar botën e vetmuar dhe antisociale në miqësore.

Sot, në 2021-shin ai vizion duket naiv. Turmat ulëritëse në internet kanë shpërthyer gjithmonë e më shumë, ditë e natë dhe disa prej tyre nxisin dhunë edhe në botën reale, veç asaj virtuales.

Po, interneti po i lidh njerëzit, por nuk po krijon ndjenjën e miqësisë. Në rastin më të keq i ngjan një makinerie që po prodhon antipatinë reciproke.

Sipërmarrësi Valley Paul Graham shprehet se “dakordimi ka tendencë t'i motivojë njerëzit më pak sesa mospajtimi". Thënë ndryshe: Lexuesit kanë më shumë të ngjarë të komentojnë mbi një artikull ose postim kur nuk janë dakord me të, sesa kur bien dakord.

Sigurisht mund të jetë joshëse të fajësosh Facebook dhe Twitter për këtë gjë, por nëse do e bënim, do humbisnim domethënien e një ndryshimi më të thellë në sjelljen njerëzore.

Antropologu amerikan Edward T Hall prezantoi dallimin midis dy llojeve të kulturës së komunikimit: kontekstit të lartë dhe kontekstit të ulët. Në një kulturë me kontekst të ulët, komunikimi është i qartë dhe i drejtpërdrejtë. Ajo që njerëzit thonë është shprehje e mendimeve dhe ndjenjave të tyre. Ju nuk keni nevojë të kuptoni kontekstin - kush flet dhe në çfarë situate - për të kuptuar mesazhin. Një kulturë me kontekst të lartë është një kulturë në të cilën pak thuhet qartë dhe pjesa më e madhe e mesazhit nënkuptohet. Kuptimi i secilit mesazh qëndron jo aq shumë tek fjalët, sesa në kontekst. Komunikimi është i zhdrejtë, delikat, i paqartë.

Shumica prej nesh, kudo që ndodhemi nëpër botë, po jetojmë gjithnjë e më shumë një jetë me kontekst të ulët, pasi gjithnjë e më shumë njerëzit po dynden drejt qyteteve të mëdha, bëjnë biznes me të huaj dhe bisedojnë e i zgjidhin punët përmes telefonave inteligjentë. Vende të ndryshme ende kanë kultura të ndryshme komunikimi, por pothuajse të gjitha i nënshtrohen të njëjtave ndryshime globale të tregtisë, urbanizimit dhe teknologjisë – forca këto që thyejnë traditën, rrafshojnë hierarkinë dhe rrisin hapësirën për konfrontim apo përballje. Nuk është ende e qartë nëse jemi të përgatitur për këtë.

Për pjesën më të madhe të ekzistencës sonë, njerëzit kanë vepruar sipas kontekstit të lartë. Paraardhësit tanë jetonin në vendbanime dhe fise me tradita të përbashkëta dhe zinxhirë komandues të përcaktuar. Sot, kudo ku të shkoni, do shikoni që ka ndërveprime në të cilat të gjitha palët ose kanë, ose kërkojnë të kenë një zë të barabartë. Të gjithë presin që mendimi i tyre të dëgjohet dhe gjithnjë e më shumë, po dëgjohet. Në këtë botë të egër, të parespektueshme, të lavdishme e të larmishme, rregullat e mëparshme të nënkuptuara në lidhje me atë që mund dhe nuk mund të thuhet janë më të lirshme dhe më fluide, ndonjëherë edhe zhduken fare. Sipas kontekstit të ulët që udhëheq vendimet tona, numri i gjërave për të cilat ne të gjithë pajtohemi, po zvogëlohet shpejt.

Ato që përcaktojnë “kulturën me kontekst të ulët”, në formën e saj më ekstreme janë fjalët e pafundme, debatet e shpeshta dhe ata që u tregojnë të gjithëve, gjatë gjithë kohës se çfarë mendojnë. Të kujton gjë kjo? Siç shprehet Ian Macduff, një ekspert në zgjidhjen e konflikteve, "bota e internetit duket kryesisht si një botë me kontekst të ulët".

Mosmarrëveshjet e ngarkojnë trurin tonë me sinjale kimike që e bëjnë të vështirë përqendrimin. Sinjalet i thonë trurit: “Ky është një sulm ndaj meje”. Ndaj në vend që të hapim mendjen për këndvështrimin e tjetrit, ne përqendrohemi në mbrojtjen e vetvetes.

Kafshët i përgjigjen kërcënimit me dy taktika themelore, të zbuluara për herë të parë nga biologu i Harvardit Walter Bradford Cannon në 1915-ën: me luftë ose fluturim, të ashtuquajtura në anglisht “Fight ose Flight”.

Njerëzit nuk janë ndryshe. Një mosmarrëveshje mund të na tundojë të bëhemi agresivë dhe të rraskapitemi duke u zënë, ose mund të na shtyjë të tërhiqemi dhe të gëlltisim mendimet tona nga dëshira për të shmangur konfliktin. Të dy reagimet janë jofunksionale.

Për të parë se si përgjigjen njerëzit sot mjafton të hapni komentet qoftë edhe në faqen tuaj të preferuar në rrjete sociale. Interneti është bërë për të krijuar ato "dhomat jehonë", në të cilat njerëzit hasin pikëpamjet me të cilat tashmë bien dakord, por provat tregojnë të kundërtën. Ju jeni i detyruar të hasni më shumë mendime që ju mërzisin në Tëitter sesa në një gazetë ditore ku ka vetëm një burim informacioni. Në vend që të krijojë flluska, interneti po i shpërthen ato, duke gjeneruar armiqësi, frikë dhe zemërim.

Një arsye pse komentet me mllef janë më të shpeshta, është sepse vetë rrjetet sociale janë dizenjuar të jenë të tilla. Studimet kanë treguar se përmbajtja që i inatos njerëzit ka më shumë të ngjarë të shpërndahet sesa ajo që nuk i mërzit. Kjo lidhet më përfitimin e rrjeteve sociale nga reklamat. Prandaj, platformat online kanë një nxitje për të shtyrë njerëzit drejt reagimeve ekstreme.

Por do të ishte një gabim i madh të themi që në rrjete sociale po debatojmë shumë. Zemërimi i zbrazët që ne shohim në internet është në fakt dëshmi e mungesës së mosmarrëveshjeve reale dhe reflektuese. Është si të luftosh në tym.

Mosmarrëveshja është një mënyrë e të menduarit, mbase më e mira që kemi, dhe është kritike për mirëqenien e çdo iniciative të përbashkët, që nga martesa deri tek biznesi apo demokracia. Ne mund ta përdorim mosmarrëveshjen për t'i shndëruar idetë e paqarta në ide vepruese, çështjet e panjohur, në njohuri, mosbesimin në ndjeshmëri. Në vend që t'i lëmë mënjanë mosmarrëveshjet tona, ne duhet t'i vëmë ato në punë.

Por për ta bërë këtë, do të duhet të kapërcejmë diçka të rëndësishme. Duhet ta shikojmë mospajtimin si diçka që vjen natyrshëm, kështu do jemi më paqësor me të.

Në Lojërat Olimpike 1972 në Gjermaninë Perëndimore, një grup terroristësh palestinezë morën peng 11 atletë izraelitë. Terroristët bënë kërkesat e tyre, autoritetet i refuzuan ato. Policia e Mynihut hapi zjarr. 22 njerëz u vranë, përfshirë të gjithë pengjet. Pas asaj që u bë e njohur si Masakra e Mynihut, agjencitë e zbatimit të ligjit në të gjithë botën e kuptuan se kishin një problem urgjent. Zyrtarët që komunikonin me pengmarrësit, për të shmangur ose minimizuar dhunën, nuk kishin asnjë protokoll për të ndjekur. Departamentet e policisë kuptuan se ata kishin nevojë të mësonin aftësi negociuese.

Negociatorët e pengjeve, të cilët mund të jenë specialistë ose oficerë të trajnuar me përgjegjësi të tjera, tashmë janë vendosur përballë një game të gjerë situatash. Më të mirët nuk janë vetëm ekspertë në taktikë, ata bmi të gjitha kuptojnë rëndësinë e asaj që sociologu Erving Goffman e quajti "funksioni i fytyrës". Në termat e Goffman, "fytyra" është imazhi publik që një person dëshiron të shfaq në një ndërveprim shoqëror. Ne bëjmë përpjekje për të krijuar fytyrën e duhur për çdo takim: fytyra që dëshironi t'i tregoni një shefi do të jetë e ndryshme nga fytyra që dëshironi t'i tregoni dikujt në një takim romantik.

Me njerëzit që u besojmë dhe i njohim mirë, nuk shqetësohemi aq shumë për fytyrën, por me ata që nuk i njohim - veçanërisht kur ata njerëz kanë një farë pushteti mbi ne - ne vëmë në veprim “funksionin e fytyrës”. Kur dikush e vë në punë "funksionin e fytyrës", por nuk arrin fytyrën që dëshiron, ndihet keq. Nëse përpiqeni të dukeni autoritar dhe dikush ju trajton pa respekt,ndiheni në siklet dhe madje poshtëroheni.

Njerëzit e aftë në “artin e mosmarrëveshjes” nuk mendojnë vetëm për fytyrën e tyre. Ata janë të përshtatur mirë edhe me fytyrën e tjetrit. Në çdo bisedë, kur personi tjetër ndjen që fytyra e tij e dëshiruar po pranohet dhe konfirmohet, do të jetë shumë më të lehtë për të dëgjuar atë që ke për t`i thënë.

Askush nuk e di këtë më mirë sesa negociatorët me pengmarrësit. Shpesh, negociatorët kanë të bëjnë me individë që kanë marrë veten peng: njerëz që janë ngjitur në majën e një ndërtese të lartë dhe po kërcënojnë të hidhen. Pengmarrësi është zakonisht në avantazh, është emocionalisht i zemëruar, i dëshpëruar, thellësisht i pasigurt dhe i detyruar të veprojë në mënyrë të paparashikueshme.

Negociatorët mësohen të qetësojnë fillimisht dhe sigurojnë pengmarrësin se gjithçka është ok, para se të shkojnë në negociata. Edhe këtu futet “funksioni i fytyrës”. Sa i fuqishëm ndihet një person. Pengmarrësit për shembull duan që rëndësia e tyre të njihet, pra të pranohet statusi i tyre. Kur një pengmarrës ndihet i dominuar, ka më shumë të ngjarë të përdorë dhunë.

Kjo është arsyeja pse funksioni i fytyrës është kaq i rëndësishëm. Është në interesin e një negociatori që homologu i tij të ndihet sa më i sigurt. Negociatorët e aftë gjithmonë përpiqen të krijojnë kundërshtarin që ata dëshirojnë.

Biseda ku ka një ekuilibër të pabarabartë mes fuqisë:

Një prind thotë: "Pse erdhe në shtëpi kaq vonë?" Vajza adoleshente mendon: "Ju po më trajtoni si një fëmijë i vogël".

Një politikan thotë: "Ekonomia po rritet më shumë se kurrë." Një votues mendon: "Ndalo së m`u drejtuari sikur të jem idiot".

Kur një debat bëhet i paqëndrueshëm dhe jofunksional, shpesh ndodh sepse dikush në bisedë ndjen se nuk po merr “fytyrën” e merituar. Kjo ndihmon për të shpjeguar përhapjen e frymës negative në mediat sociale, të cilat ndonjëherë mund të duken si një konkurs statusi. Mediat sociale duket se u japin të gjithëve një shans të barabartë për t'u dëgjuar. Në realitet, mediat sociale synojnë të shpërblejnë një pakicë të vogël me vëmendje masive, ndërsa shumica ka shumë pak. Sistemi është i manipuluar. Se është e vështirë që njerëzit e zakonshëm, pra jopublikë të fitojnë shumë ndjekës.

Deri më tani, kemi folur vetëm për një aspekt të “funksionit të fytyrës”: statusin. Sidoqoftë, ekziston një komponent tjetër, i lidhur ngushtë me “face ëork” pra “funksionin e fytyrës”, i cili ka të bëjë me atë që njerëzit ndiejnë se janë.

Elisa Sobo, një profesoreshë e antropologjisë në Universitetin Shtetëror të San Diegos, ka intervistuar prindër që refuzojnë vaksinat për fëmijët e tyre. Shumë prej këtyre njerëzve ishin të zgjuar dhe të mirëarsimuar, por pse i injoronin këshillat e zakonshme mjekësore që bazoheshin në shkencën e shëndoshë? Sobo arriti në përfundimin se për këta individë kundërshtimi i vaksinave nuk është vetëm një besim, por një "akt identifikimi", domethënë, ka të bëjë më shumë me identifikimin brenda një grupi. Ka njerëz për shembull që refuzojnë të shikojnë një serial Netflix-i që po e shikojnë të gjithë, vetëm sepse po e shikojnë të gjithë dhe duan të jenë pjesë e grupit që nuk po i kushton rëndësi.

Sipas William Donohue, ajo që tërheq pjesëmarrësit në një konflikt shkatërrues është zakonisht një luftë për atë që ata janë. Kjo ndodh në situata pengmarrjesh, në politikë, në debate martesore.

Që mendimet tona të ngatërrohen me ndjenjën tonë për atë që jemi, nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe, por është diçka për të cilën duhet të jemi të vetëdijshëm, kur përpiqemi të bëjmë që dikush të bëjë diçka që nuk dëshiron ta bëjë. Pavarësisht nëse i themi të lërë duhanin, një punë apo të votojë për kandidatin tonë të preferuar. Qëllimi ynë duhet të jetë të vlerësojmë mendimin ose veprimin e diskutueshëm larg nga ndjesia e njeriut për veten e tij.

Një debat konstruktiv është ai që gjen një mënyrë për të ndihmuar kundërshtarin e tij të arrije të përfundimin se edhe nëse thotë apo bën diçka ndryshë, përsëri do jetë vetvetja.

Një mënyrë për ta arritur këtë është që mosmarrëveshja të largohet nga audienca.

Për shembull, në konfliktet në vendin e punës, para një grupi kolegësh, njerëzit përqendrohen më shumë në atë sesi duan të duken, sesa në zgjidhjen e problemit.

Nëse është e rëndësishme për mua të dukem si kompetente, unë mund të reagoj me zemërim ndaj çdo sfide ndaj punës sime.

Nëse dua të shihem si e mirë dhe bashkëpunuese, mund të përmbahem dhe të mos kundërshtoj as atëherë kur duhet. Kjo është arsyeja pse, kur lind një debat në punë, pjesëmarrësit shpesh propozojnë ta zgjidhin në një zyrë më vete.

Mënyra më e mirë për të ulur “rrezikun e identitetit” është krijimi i një kulture në vendin e punës në të cilën njerëzit nuk ndiejnë shumë nevojë për të mbrojtur fytyrën e tyre; një kulturë në të cilën mendime të ndryshme inkurajohen , priten gabime, rregullat e sjelljes mirëkuptohen dhe të gjithë besojnë se të edhe të tjerët kujdesen për qëllimin kolektiv të përbashkët.

Është e habitshme se sa shpesh njerëzit bëjnë atë që askush nuk e pëlqen: kur, pasi kanë arritur një pozitë mbizotëruese, shkelin brutalisht të tjerët në punë, online, në shoqëri, por edhe në shtëpi, duke plagosur ndjenjën e vetvetes së palës tjetër. Duke vepruar kështu, ata mund të fitojnë një kënaqësi të shpejtë, momentale, por gjithashtu krijojnë kundërshtarin që nuk duan ta kenë.

Dhe njerëzit e plagosur janë të rrezikshëm. Njerëzit e poshtëruar nuk e harrojnë këtë dhe disa e nxjerrin inatin në formë hakmarrje ndaj të ngjashmeve (pra ata që ngjajnë me njeriun që i ka poshtëruar).

Kjo shkon edhe më tej. Shkencëtarët politikë William Zartman dhe Johannes Aurik zbuluan se si, kur vendet më të forta ushtrojnë pushtet mbi vendet më të dobëta, ato më të dobëtat aderojnë në një periudhë afatshkurtër, por kërkojnë më vonë mënyra për t’u hakmarrë.

Vdekja e konsensusit: si konflikti u kthye në politikë

Politikania amerikane Alexandria Ocasio-Cortez tregon se si të zhvilloni një bisedë me dikë që nuk pajtoheni plotësisht.

“Një nga këshillat më të mira që mentori im më dha është ‘gjithnjë jepi dikujt mundësinë e artë të tërheqjes’, konkretisht: jepi dikujt dhembshuri të mjaftueshme, mundësi të mjaftueshme në një bisedë që të ndihet mirë, edhe nëse do ndryshojë mendje. Dhe është shumë e rëndësishme të jesh në gjendje të bësh këtë gjë, sepse nëse thjesht i thua, ‘Oh si e the këtë gjë?! Ju jeni racist! ’, Po e detyroni atë person të thotë:‘ Jo nuk jam ’. Etj. Dhe kjo nuk të çon askund".

Kur jemi në një debat me dikë, duhet të jemi duke menduar se si ata mund të ndryshojnë mendjen e tyre dhe të duken mirë akoma. Shpesh kjo është shumë e vështirë për t`u realizuar në mosmarrëveshje e sipër.

Sidoqoftë, duke treguar se ne kemi dëgjuar dhe respektuar këndvështrimin e bashkëbiseduesit tonë, ne e bëjmë të mundur që ata të vijnë në mendjen tonë në një moment më të vonë. Duhet të shmangim qortimin dhe mospajtimin e vazhdueshëm.

Në fund fare duhet të mbajmë mend se këta njerëz kanë arritur diçka që ne nuk e kemi arritur: kanë ndyshuar mendim.

*Ky është një përkthim i realizuar nga Tiranapost.al dhe ndalohet rreptësisht ribotimi i tij