Stil jete

Si ta kuptosh se ke ngecur në rrjetën e një partneri narcizist?

Ka dashuri të palumtura, që në vend që të krijojnë gëzim, shkaktojnë dhimbje. Janë dashuri toksike me partner egocentrikë dhe narcizistë. Si ta kuptosh që ai është narcizist? Ti e telefonon dhe ai nuk të përgjigjet, fshihet pas heshtjeve të gjata ndëshkuese. Një narcisist e ul, e denigron figurën tënde duke të të bërë të ndihesh në faj gjatë gjithë kohës. Narcizisti vepron në një mënyrë shkatërruese. Ai të fut në spiralen e një varësie emocionale nga e cila duhet të kesh shumë forcë për të dalë.

Si ta kuptosh se ke ngecur në rrjetën e një partneri narcizist?

Në programin italian “Sopravvissuta”, rrëfehen histori grash që i kanë mbijetuar martesave të palumtura. Dhe pas historive të tyre të dhunës së të gjitha formave, fajësimit të vetes deri në një moment të caktuar dhe dhënies fund të martesës, moderatorja Matilde D`Errico fton psikologen Silvia Michelini për të treguar më shumë mbi profilin e një burri dhunues që zakonisht lidhet me personalitetin e tij narcizist dhe egocentrik.

Si ta kuptosh se ke ngecur në rrjetën e një partneri narcizist?
Matilde D`Errico

“Nga dhuna ekonomike, tek ofendimet, e deri tek dhuna fizike. Zakonisht, disa burra ofendojnë dhe lëndojnë gratë e tyre, ato që thonë se i duan. I poshtërojnë, me raste edhe i kërcënojnë, herë të tjera ushtrojnë dhunë fizike mbi to. Janë po të njëjtët burra që me të tjerët, jashtë mureve të shtëpisë, transformohen në engjëj. Në sytë e të tjerëve janë tërheqës dhe karizmatikë. Si shpjegohet? Lidhet me dyfytyrësinë e narcizistit, djall që maskohet me fytyrën e engjëllit.

Narcizistët janë njerëz që vuajnë nga një çrregullim personaliteti. Janë njerëz të ngecur në një moshë të caktuar dhe funksionojnë sipas asaj moshe. Thënë ndryshe, ata rriten në trup, por brenda mbeten fëmijë të lënduar që kanë nevojë për një lloj shpërblimi nga bota e jashtme.

Një narcizist është manipulator. Maskohet si i rritur për të nxjerrë më pas “armët” e tij dhe për të kapur viktimën e radhës. Janë njerëz bosh që kanë nevojë të kenë kontroll mbi dikë tjetër për të mundësuar kështu mbijetesën e tyre. Është si ky virusi që po jetojmë. Që kap qelizat e trupit për t`u ushqyer dhe për të siguruar mbijetesën, pasi jashtë organizmit të një njeriu nuk mund të jetojë. Pra edhe një narcizist është pikërisht kështu: një vazo bosh që mbushet nga marrëdhëniet me të tjerët. Vazo bosh dhe e thyer, sepse mbushet dhe zbrazet shumë shpejt. Ndaj ka nevojë vazhdimisht të mbushet. Në momentin që narcizisti shikon viktimën që ndihet keq prej tij, atëherë ndihet i gjallë duke parë efektin që i ka shkaktuar. Kjo është prova e tij e ekzistencës. Këta burra nuk ndryshojnë kurrë”, thotë psikologia Silvia Michelini.

Si ta kuptosh se ke ngecur në rrjetën e një partneri narcizist?
Silvia Michelini

Tiranapost.al