Stil jete

Shqiptarët “refuzojnë” ChatGPT, përdorimi më i ulët në rajon

Shqiptarët “refuzojnë” ChatGPT, përdorimi më i

Anketa e fundit nga barometri i Ballkanit zbuloi se përgjithësisht, shqiptarët nga Shqipëria ishin më pak të lidhur me botën dixhitale. Risia e viteve të fundit me Inteligjencën Artificiale dhe ChatGPT-ja nuk gjen përdorimin ndër qytetarët e vendit, sipas anketës së Barometrit të Ballkanit 2024 që u realizua nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.

Nga të pyeturit në Shqipëri vetëm 4% pohuan se kanë përdorur ChatGPT. Kosova dhe Maqedonia e Veriut kishin përqindjen më të lartë të qytetarëve përdorues të Inteligjencës Artificiale me 20 dhe 13% secila. Në të kundërt të Shqipërisë, qytetarët e Kosovës ishin përdoruesit më të mëdhenj të Inteligjencës Artificiale në Rajon. Në Malin e Zi rreth 7% e popullsisë e përdorin Inteligjencën Artificiale dhe në Serbi, 6%.

Gjithashtu Shqipëria ka përqindjen më të ulët të qytetarëve që blejnë mallra dhe shërbime online. Sipas anketës në vitin 2024, vetëm 27% e qytetarëve shqiptarë kishin kryer blerje online përkundrejt 36% që ishte mesatarja rajonale. Në të kundërt kryeson Kosova, ku 44% e qytetarëve të saj kanë deklaruar se kanë kryer blerje online 12 muajt e fundit. Gjithashtu në Bosnjë 38% e qytetarëve kanë deklaruar se kanë kryer blerje online dhe 37% e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut.

Në nivele pak më ulëta ishin Mali i Zi dhe Serbia ku përkatësisht 32 dhe 35% deklaruan se kishin kryer blerje nga interneti. Shqipëria gjithashtu kishte përqindjen më të ulët të qytetarëve që ndjekin Netflix (Një sipërmarrje amerikane që ofron transmetime kryesisht filma dhe video sipas kërkesës, me mbi 277.7 milionë abonime me pagesë në më shumë se 190 shteteve në korrik 2024).

Anketa ka gjetur se 12% qytetarëve shqiptarë e shikojnë Netflix, përqindja më e ulët në Rajon. Në të kundërt Kosova kishte përqindjen më të lartë në rajon me 38% e të anketuarve që ndjekin transmetuesin e amerikan të filmave dhe videove me pagesë. Pas Kosovës, Netflix ka shikueshmëri të lartë në Malin e Zi ku 25% e qytetarëve e ndjekin këtë rrjet, të ndjekur nga boshnjakët 20% dhe maqedonasit me 17%. Gjithashtu Serbia ka shikueshmëri të ulët të këtij rrjeti, me vetëm 14%.

Në përgjithësi qytetarët e Shqipërisë kanë treguar një familjaritet të ulët me shërbimet dixhitale, përveç, shërbimeve qeveritare që siç tregon anketa jemi përdoruesit më të mëdhenj në rajon për shkak se shumë prej tyre ofrohen online.

Artikull publikuar fillimisht te Revista Monitor