Stil jete

Pse gratë myslimane në Londër po bëjnë kurs që të lajnë të vdekurit?

Pse gratë myslimane në Londër po bëjnë kurs që

Nga Faima Bakar/ Dy javë më parë, kalova gjithë të dielën time duke mësuar se si të laj dhe t'i mbuloj njerëzit e vdekur. Nuk isha vetëm. Me mua ishin 50 gra të tjera, të gjitha të etura për të mësuar të njëjtën gjë.

Ky ritual i shenjtë islam - i quajtur Ghusl Mayyit - përqendrohet rreth larjes të të ndjerit me sapun dhe ujë.

Në Londër, këto kurse organizohen të dielën e fundit të çdo muaji nga shoqata bamirëse për shëndetin mendor dhe humbjen “Mbështetja e Njerëzimit”.

Në çdo organizim marrin pjesë deri në 90 persona. Burrat lajnë manekinët burra, kurse gratë ato të së njëjtës gjini.

Drejtuesja e kursit Salma Patel, e cila ka drejtuar seanca të tilla për tre vitet e fundit, përdor një manekin, të kompletuar me një paruke, për të shpjeguar me kujdes çdo hap. Ajo e trajton kukullën e pajetë sikur të ishte vërtet njeri, duke ngritur butësisht çdo gjymtyrë dhe duke i ndarë flokët për të treguar se si duhet larë dhe gërshetuar.

Patel ka larë qindra trupa të vërtetë gjatë pandemisë. Kishte raste kur kishte mbingarkesë. Njerëzit përgjithësisht nuk janë të zotët të lajnë familjarët e tyre, kështu që dikush do ta bëjë. Ndaj edhe janë krijuar këto kurse, për të qenë të përgatitur edhe shpirtërisht, mendërisht, përveçse teknikisht.

Tasneem, 40 vjeç tha se ka ardhur pasi kur vdiq nëna e saj, një familjare u ofrua t`ia bënte këtë shërbim të fundit. Ajo tregon se do të jetë gati që në një rast tjetër, të ndihmojë dikë gjithashtu.

“Është si parapagim. Ne ia bëjmë dikujt këtë shërbim të fundit, dhe dikush tjetër do ta bëjë për ne”, thotë ajo.

I gjithë procesi bëhet duke mos e parë trupin e pajetë dhe duke mos e prekur.

Një nga mendimet që mund t`u shkojë njerëzve në kokë, është se pas vdekjes, dikush do t`ia grisë atë që ka veshur dhe do ta shohë lakuriq për ta pastruar. Ky kurs e bën të qartë se jo. I gjithë procesi kryhet me një leckë, pa e parë apo prekur trupin e pajetë, për të ruajtur privatësinë edhe pas vdekjes. Larja që bëhet është shumë modeste.

Pas seminarit, besimi im u forcua më shumë. Kujtova se trupi im i përket Zotit dhe tek Ai do të kthehet. Megjithëse mund të mos jetë një e diel e lehtë apo relaksuese, është diçka përulëse dhe reflektuese të mendosh për banjën tënde të fundit.