Nga shkollat e reja tek masat për qarkullimin e mjeteve dhe terminalin e autobusëve, Veliaj flet për projektet për Tiranën

Ndonëse në qytete të tjera të vendit numri i nxënësve ka rënë ndjeshëm, në Tiranë ndodh e kundërta, pasi çdo ditë kryeqytetit i shtohen familje të reja, që vijnë për të jetuar e punuar e po ashtu nevojiten shkolla për fëmijët e tyre. Kryetari i bashkisë së Tiranë Erion Veliaj thotë se për vitin e ri akademik hapin dyert 10 shkolla të reja ndërkohë që të tjera janë në proces.
“Hapet një paketë tjetër prej 10 shkollash të reja, mbi ato 40 që përfunduan semestrin e kaluar. Janë 10 shkolla ku spikasin disa nga gjimnazet ikonike të Tiranës, “Besnik Sykja” dhe “Partizani”. Çdo shkollë është pak më e bukur se një që kemi bërë më përpara. Kështu që kush ishte xheloz për “Sami Frashërin”, do të shkojë tek “Partizani”. Por, për këto 10 shkollat do të thotë që do të jenë edhe 10 vatra të tjera trafiku, qarkullimi dhe grumbullimi”, tha Veliaj.
Bashkia e Tiranës ka marrë masa për të lehtësuar trafikun në mënyrë që asnjë nxënës të mos vonohet për në shkollë, e po ashtu prindërit që i shoqërojnë për në punë .
“Nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 8 të darkës, mjetet e tonazhit të rëndë nuk mund të lëvizin, kjo do të thotë trajlera, betoniere, kamionë, ndërkohë që nga ora 7 deri në orën 9 asnjë mejt mallrash. Pra, përfshi edhe ata furgonët e vegjël, nuk do të lëvizin. Unë besoj fort që ora e parë e mësimit për një fëmijë është shumë herë më e rëndësishme se një kuti patatinash, apo një paketë çamçakizësh për një një mini-markatë. Kështu që do duhet që të mirëkuptojnë. Nëse dikush i ka emergjente këto shërbime, do të duhet t’i kryejë para orës 7, ose pas orës 9.”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër edhe për studentët të cilët nisin vitin akademik tre javë më pas, bashkia po bën gati rezidencat akomoduese dhe kampuset në funksion të tyre.
Gjithashtu tanimë do të lirohen edhe hapësirat ku parkonin automjetet që vinin nga juglindja e vendit pasi është gati terminali në Lundër.
“Sapo kemi certifikuar terminalin e ri në Lundër. Do të thotë që të gjithë furgonët dhe të gjithë mikrobusët, apo autobusët do të transferohen në Lundër. Do të jenë 2 linja pastaj të autobusit të brendshëm urban, të cilët nga Lundra në drejtim të “Rrugës së Elbasanit”, ose nga Lundra në drejtim të Kopshtit Zoologjik, do bëjnë transportin e pasagjerëve. Sigurisht edhe një stacion taksish dhe biçikletash, por si çdo qyte do të duhet të ketë portat e veta. Jo porta në kuptimin klasik të qytetit, por një lindje dhe një perëndim nga ku hyn trafiku dhe me mbarimin e transferimit javën tjetër të terminalit, do të shikojmë një trafik edhe më të lehtësuar për “Qytetin Studenti” dhe ajo hapësirë e lirë të dedikohet për studentët, ose për mësuesit, ose për pedagogët që kanë mjete dhe mund të përdorin atë parkim, ndërkohë që ne po fillojmë dhe terminalin perëndimor tek kthesa e Kamzës tashmë që janë zgjidhur edhe gjithë ngërçet me pronat aty”, nënvizoi Veliaj në TCh.