“Unë jam bullizuar”, “Edhe unë”, “Edhe unë”, edhe kushedi se sa e sa të tjerë mendojnë dhe ndjejnë se janë bullizuar. Ka një problem përcaktimi në fakt të asaj që quhet bullizëm.
“Bullizmi është një dëshirë për të dëmtuar tjetrin + një veprim që lëndon + një disbalancë në forcë midis personave + një përsëritje (në mënyrë tipike) + një përdorim i padrejtë i forcës + një kënaqësi e dukshme e agresorit si edhe një ndjenjë e përgjithshme e të qenit mbizotërues ndaj viktimës”.
Ky është përkufizimi zyrtar.
Megjithatë nëse dikush ndjen se është bullizuar, askush tjetër s`ka të drejtë ta vërë dyshim.
Në një nga puntatat e programit të saj, Arbana Osmani tregoi njëherë historinë personale sesi në një gjimnaz të Tiranës ishte bullizuar për qytetin nga vinte.
“Edhe unë kam qenë pre e bullizmit. Kjo vajza që shikon ti në televizion që duket sikur i ka të gjitha gjërat, i bën të gjitha, jo, edhe unë kam qenë e pasigurt si ti kur kam qenë në gjimnaz. Edhe mua më kanë sharë si ti në gjimnaz. Erdhi kjo nga Burreli, u bë kjo. Dhe u bëra me thënë të drejtën. Edhe atyre që më kanë thënë atëherë u bë kjo, një shkelje syri nga kamera. Kështu edhe ti atyre gocave”, tha Arbana.
View this post on Instagram
Kjo deklatatë bëri zhurmë në atë kohë, u bë lajm ngado dhe pak kohë më vonë, nga “Big Brother”, një tjetër program i drejtuar nga Arbana, e bullizuar doli Beatrix Ramosaj. Ajo herë pas here shfaqet në Instagram me video ku thotë se u bullizua në rrjet për shkak se jetën private, e bëri publike në program. Shumë e kanë mbështetur, të tjerë kanë përsëritur komentet që jane tipike në rrjet ndaj personazheve të njohur e që ndonjëherë duket si copy-paste.
“Kjo video është për të gjithë personat aty jashtë ku bashkë me mua kanë vuajtur nga bullizmi. Unë zgjodha të hesht duke menduar që e gjithë kjo ishte pasojë e pjesëmarrjes në një program ku jeta private bëhet publike, por ASGJË nuk është nje justifikim për Cyber Bullying. Unë nuk e meritoj, ti nuk e meriton, prandaj mos u nënshtro! Le të jetë ky një mesazh force që ti nuk je vetëm, por jemi bashkë. Duke i dhënë dorën e duke përkrahur njëri-tjetrin ta bëjmë këtë një botë më të mirë. #stopbulling”
“Hey miq virtualë. Sot do të doja t’ju ndihmoja pak më shumë! Përulësisht ju ftoj të ndani me mua historitë tuaja në përballje me bullizmin dhe dhunën. Si e keni tejkaluar? Çfarë ju ka ndihmuar? Shpresoj që kështu mund të frymëzojmë dhe ndihmojmë njëri-tjetrin! Pres me padurim t’ju lexoj, jam e bindur se kam shumë për të mësuar! E juaja, Trixa”.
View this post on Instagram
Më e reja në këtë kauzë është Luana Vjollca. Pasi mori një pauzë nga televizioni, iu rikthye muzikës. Po jo si zakonisht. Përpara çdo klipi muzikor, Luana me figurë dhe zë po tregon historitë personale. Dhe kauza që e nisi projektin është pikërisht bullizmi. Ajo tregon sesi bullizohej për peshën e vogël, pastaj për kilogramët e shtuara dhe në fund për ndërhyrjet estetike pak këtu e pak aty që presioni në rrjet e detyroi të bënte.
“Tema që ka qenë shumë gjatë në jetën time është bullizmi dhe është një fenomen që shtohet. Kjo është një etapë e jetës sime që unë e kam përjetuar dhe e kam kaluar pa u marrë me to publikisht. Nuk i kam kthyer përgjigje memeve, komenteve që janë bërë për mua, kam zgjedhur të hesht por në vetminë time e kam vuajtur. Më ka ndikuar njësoj edhe tek pamja e jashtme që diskutohem kaq shumë, kur je e dobët masivisht quhesh anoreksike, në presionin e kësaj ti mundohesh të shtosh ca kile, por papritmas ti quhesh shumë e bërë, pastaj ti do të jesh perfekte dhe e lëviz pak portretin tënd, e prek pak buzën tënde, e rregullon pak vetullën dhe pastaj quhesh plastikë dhe silikon dhe kjo është e trishtë se ku të çon ty shoqëria”.
Nëse bota ka lëvizjen #Metoo dhe vajzat e gratë po flasin hapur për ngacmimin seksual në vendin e punës, Shqipëria është ende në fazën e Bullizmit. Ajo e para kërkon më shumë guxim. Mbase s`i ka ardhur koha.
Ajo që mbi të gjitha ka rëndësi është se vajzat e njohura shqiptare duhet t`i kujtojnë vetes se jeta publike dhe fama ka edhe çmimin e mungesës së qetësisë. Se ashtu siç ka njerëz që nuk të duan, ka edhe që të duan. Gjithsesi këto vajza meritojnë një falenderim nëse ia dalin të sensibilizojnë miliona ndjekësit e tyre. Të shpresojme që do të ketë më pak bullizëm, i cili kurdoherë që në shkollë e kopshte ndodh dhe për hir të së vërtetës fëmijët në Shqipëri janë shumë më të hapur dhe pranojnë ndryshimet sesa të rriturit. Një brez i ri shumë më paqësor duket se po vjen.