Stil jete

Kur fillon vërtet mosha e mesme dhe kur pleqëria?

Kur fillon vërtet mosha e mesme dhe kur pleqëria?

Kur fillon vërtet mosha e mesme dhe kur fillon pleqëria? Në përgjithësi, mund të thuhet se përgjigja e kësaj pyetjeje varet nga kultura në të cilën njeriu jeton.

Në vitin 2018, gjysmë milioni njerëz plotësuan një pyetësor në internet mbi këtë temë dhe pjesëmarrësit, shumë nga mosha 20 deri në 30 vjeç, thanë mesatarisht se mosha e mesme fillonte në 40 vjeç, ndërsa mosha e vjetër (pleqëria) në 62 vjeç. Përkundrazi, ata mbi 65 vjeç mendonin se pleqëria nuk fillon para moshës 71 vjeç.

Është e qartë se përgjigjet shpesh ndryshojnë sipas moshës së personit të cilit i bëhet pyetja. Askujt nuk i pëlqen ta mendojë veten si një person i moshuar. Kur jemi 40 vjeç, na pëlqen të mendojmë se 40-ta është 30-ta e re dhe, po ashtu, njerëzit në të 70-at që janë ende në formë të mirë nuk duan kurrë të etiketohen si 'njerëz të moshuar'.

Ne gjithashtu priremi të dëshirojmë të shkëputemi nga çdo grup i stigmatizuar. Kjo do të thotë që ne i rezistojmë të cilësuarit si të moshuar, kur i shohim të moshuarit të portretizuar si të dobët, të sëmurë, joaktivë dhe madje si barrë për shoqërinë.

Në vitin 2003, studiuesit Hannah Kuper dhe Sir Michael Marmot kryen një studim në shkallë të gjerë, në të cilin pjesëmarrësve iu bë përsëri pyetja: kur fillon pleqëria? Përgjigjet padyshim ndryshonin, por ajo që Kuper dhe Marmot gjetën ishte se ata njerëz që mendonin se pleqëria filloi më herët, kishin më shumë gjasa të kishin pasur një atak në zemër, vuanin nga sëmundjet e zemrës, ose ishin në përgjithësi me shëndet të dobët fizik.

Pjesëmarrësit në këtë studim po merrnin pjesë në të ashtuquajturin Whitehall II, një studim me mbi 10,000 nëpunës që punonin në Londër.

Përgjigja ndaj pyetjes së thjeshtë se kur fillon pleqëria në fakt ofron shumë më tepër informacion për një person sesa mund të mendohet. Në fakt, kjo pyetje mund t'i shtyjë njerëzit të mendojnë për shëndetin e tyre fizik dhe, nëse kanë probleme, mund të mos ndihen aq mirë dhe të mendojnë se pleqëria do të vijë më shpejt.

Njerëzit që thonë se pleqëria fillon në një moshë më të hershme mund të jenë gjithashtu më fatalist dhe më pak të prirur të kërkojnë ndihmë për aspektin shëndetësor, ose të adoptojnë rutina më të shëndetshme, duke besuar se rënia është e pashmangshme.

Po kështu, njerëzit që mendojnë se pleqëria fillon më vonë në jetë mund të jenë më të vetëdijshëm për shëndetin dhe gjendjen e tyre fizike dhe për këtë arsye ndërmarrin hapa aktivë për të qëndruar në formë të mirë. Ata mendojnë se janë më të rinj dhe për këtë arsye veprojnë sikur të jenë të tillë dhe kjo krijon mirëqenie.

Një studim tjetër zbuloi se njerëzit që kishin ide pozitive për plakjen e tyre jetuan mesatarisht 22.6 vjet pas pjesëmarrjes në studim, ndërsa njerëzit që ndiheshin më pak pozitivë për plakjen jetonin mesatarisht vetëm 15 vjet më gjatë.

Kështu që sa më vonë të vijë për ty mosha e mesme dhe pleqëria, aq më gjatë do të jetosh.