Stil jete

Kjo grua jetoi në Gjibraltar 7500 vjet më parë! ADN-ja e saj tregon edhe se ku jetuan paraardhësit e saj

Kjo grua jetoi në Gjibraltar 7500 vjet më parë! ADN-ja e saj

Në vitin 1996, arkeologët hynë në një shpellë në Gjibraltar, ku gjetën një varr me kocka njerëzore. Midis tyre ishte një kafkë.

Arkeologët e dinin se varri ishte shumë i vjetër. Ai u zbulua nën shtresat e sedimentit që përmbante kocka peshqish, zogjsh, gjitarësh dhe objektesh të gdhendura. Kafka ishte dëmtuar, por gjithsesi ata e morën për t`ia bashkuar koleksionit të Muzeut Kombëtar të Gjibraltarit.

Mosha e kafkës mbeti një mister për shumë vite. Deri pak kohë më parë. Në vitin 2019, rezultatet e një studimi historik vërtetuan përmes analizës së ADN-së se kafka i përkiste një gruaje që jetoi 7500 vjet më parë, duke e bërë atë mbetjen më të vjetër të një gruaje të gjetur në Gjibraltar, deri më sot.

Kjo grua jetoi në Gjibraltar 7500 vjet më parë! ADN-ja e saj

Analiza zbuloi gjithashtu se prejardhja gjenetike e kafkës vinte nga lindja e Gadishullit Iberik.

Ekipi i Muzeut Kombëtar të Gjibraltarit punoi për të krijuar një rindërtim anatomik mjeko-ligjor të fytyrës së saj. Kompjuterët skanuan kockat e thyera dhe përdorën programet e klonimit dhe rikthimit 3D për të rikrijuar pjesët e humbura dhe të dëmtuara, duke përfshirë nofullën. Duke kombinuar të dhënat nga skanimet me analizën gjenetike, një ekip në muze kaloi gjashtë muaj duke krijuar pamjen e saj të gjallë.

Modelin e krijuar e quajtën Calpeia. U frymëzuan nga termi klasik për Gjibraltarin, i njohur në kohët e lashta si Mons Calpe.

Shkëmbi i njerëzimit

I ndodhur në majën jugore të Gadishullit Iberik, Gjibraltari nuk është i panjohur për praninë e mbetjeve të lashta të hominidëve. Zbulime të shumta emocionuese nga Gjibraltari kanë hedhur dritë mbi historinë e hershme njerëzore.

Kockat e Calpeia u gjetën në një shpellë në Europa Point, që ndodhet në skajin më jugor të gadishullit. Aty pranë ndodhet Kompleksi i Shpellës së Gorhamit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, dikur shtëpia e popullsisë së Neandertalit të Gjibraltarit, të cilët janë me interes të veçantë për arkeologët. Neandertalët jetonin në këto shpella vetëm 32,000 vjet më parë.

Historia e kafkës

Kur kafka e Calpeia u gjet në vitin 1996, ishte e pamundur të mblidheshin më shumë informacione prej saj. Klima e lagësht e Gjibratarit çon në një përkeqësim të shpejtë të ADN-së dhe mundësitë e nxjerrjes së materialit gjenetik të dobishëm dukeshin të pamundura në atë kohë. Analiza e ADN-së ishte në fillimet e saj dhe dëmtimi i kafkës e vështirësonte studimin.

Deri në vitin 2019, studimi i ADN-së së lashtë kishte bërë përparime të mëdha. Revista Science publikoi analizën e gjenomit të 271 banorëve të Spanjës, Gjibraltarit dhe Portugalisë, duke përfshirë edhe kafkën e vitit 1996.

Rindërtimi i fytyrës së Calpeias

Rezultatet u thanë studiuesve shumë: Kafka i përkiste një gruaje që jetoi rreth vitit 5400 p.e.s.—shumë mijëvjeçarë pasi Neandertalët e Gjibraltarit ishin zhdukur. Ajo ishte me lëkurë të çelur, me flokë dhe sy të errët. Ajo ishte gjithashtu intolerante ndaj laktozës (një tipar i zakonshëm për atë periudhë).

Ajo jetoi në një kohë kur bujqësia dhe blegtoria po përhapeshin në të gjithë Gadishullin Iberik. Intoleranca e saj ndaj laktozës tregon se prodhimi i qumështit ka shumë të ngjarë të mos ishte pjesë e kulturës në të cilën ajo jetoi.

Mosha e Calpeia-s kur ajo vdiq nuk mund të përcaktohet saktësisht nga kafka. Mund të ketë qenë diku midis moshës 25 deri në 40 vjeç.

Vetëm 10 për qind e gjenomit të Calpeias vjen nga popullata e gjetur në Gadishullin Iberik, ndërsa 90 për qind e mbetur e ka origjinën e saj në Anadoll, Turqia e sotme.

Ka të ngjarë që Calpeia ose prindërit e saj të kenë udhëtuar nga Anadolli në Gjibraltar përmes detit.

Nëse njerëzit e Calpeias do të kishin udhëtuar nga toka, përparimi i tyre drejt perëndimit do të kishte marrë vite ose breza të tërë në kohë. ADN-ja e tyre do të ishte përzier me popullatat lokale gjatë rrugës, duke e bërë gjenomin e Calpeias më të larmishëm.