Stil jete

Intervista/ Susan Sarandon: Dashuria, si çdo muskul i trupit. Praktika e forcon

"Jeta është shumë më krijuese se sa do isha në gjendje unë vetë ta krijoja të tillë. Mendoj që duhet të shikojmë panoramën e plotë të gjërave dhe të mos shqetësoheni për vogëlsirat. Kam një tatuazh rreth kyçit të dorës së djathtë që duket si tel me gjemba, por në fakt është ANDAND që do të thotë: 'Një Agim i Ri, Një ditë e Re'. Pra të zgjohesh çdo ditë duke e ditur se ke një shans të fillosh përsëri nga e para dhe të falësh e të lësh pas çfarë ka ndodhur dje".

Intervista/ Susan Sarandon: Dashuria, si çdo muskul i trupit.

Për jetën, për dashurinë, për fenë, për politikën, aktorja Susan Sarandon ka dhënë një intervistë të gjatë për “The Talks”. Ajo tregon se si çdo ditë e kthen jetën e saj përmbys për të nisur nga fillimi dhe se si kësaj filozofie i ka dedikuar një tatuazh.

Intervista e plotë:

A është e nevojshme ta ktheni jetën tuaj përmbys here pas here?

Jeta është me kokë poshtë. Unë e shoh jetën time si një organizëm dhe jo si një rrugë lineare ku arrin në një pikë të caktuar, arrin gjëra të caktuara dhe ndalesh. Duhet ta shikoni jetën dhe marrëdhëniet tuaja si pjesë e një lloj organizmi që merr frymë, si një gjë e gjallë. Jo si një makineri, por si një lloj bime që vazhdon të rritet. Një nga talentet e mia më të mëdha është se kur diçka përballem me diçka të panjohur, jam në gjendje ta njoh atë dhe të ndryshoj drejtimin derisa t`i jap zgjidhjen e duhur.

Jam i sigurt që kjo ju ka hapur shumë dyer në karrierën tuaj.

Po, jeta është shumë më krijuese se sa do isha në gjendje unë vetë ta krijoja të tillë. Mendoj që duhet të shikojmë panoramën e plotë të gjërave dhe të mos shqetësoheni për vogëlsirat. Kam një tatuazh rreth kyçit të dorës së djathtë që duket si tel me gjemba, por në fakt është ANDAND që do të thotë: 'Një Agim i Ri, Një ditë e Re'. Pra të zgjohesh çdo ditë duke e ditur se ke një shans të fillosh përsëri nga e para dhe të falësh e të lësh pas çfarë ka ndodhur dje.

Si e arrin ti këtë?

Gjëja më e mirë është të jesh kurioz, të bësh një jetë autentike dhe ta vendosësh veten në shumë situata të reja me njerëz që kanë ide sfiduese. Jeta bëhet gjithnjë e më interesante teksa mëson se kush je dhe dëgjon zërin e brendshëm.

A e bën kjo filozofi edhe jetën më të lehtë?

Jo domosdoshmërisht më të lehtë, por më të mire po. Unë jam në një fazë të jetës time ku fëmijët e mi po më edukojnë mua. Unë po mësoj shumë gjëra përmes tyre. Po rilexoj libra që ata po lexojnë për herë të parë, gjë që është vërtet e mrekullueshme. Argëtohemi duke i lexuar në të njëjtën kohë. Flasim për muzikë, filma, filozofi. Pasi shpenzova disa nga vitet e jetës sime për t`i rritur, ata janë në gjendje të ndikojnë tek unë dhe të hapin mendjen time për gjëra të caktuara.

A mendon akoma se është e mundur të ndryshosh botën?

Unë kam ardhur në jetë mes viteve ’60 dhe ’70 dhe për shkak se bota po ndryshonte, ekzistonte një besim se SHBA do të ishin pjesë e revolucioneve të ndryshme. Me kalimin e viteve prireni të harroni idealizmin dhe besimin e asaj kohe. Me kalimin e moshës bëhet gjithnjë e më e vështirë për ju që të besoni në veprim. Ekziston një sasi e caktuar naiviteti që ju mundëson të mendoni se mund ta ndryshoni botën, por patjetër që mund të keni një efekt.

Përse jo?

Ekziston një histori fantastike për Dr. Benjamin Spock, pediatër në kohët e Luftës në Vietnam. Të gjithë po lexonin librin e tij për kujdesin për foshnjat dhe fëmijët në atë kohë, por diçka ndryshoi kur pa tre nëna të reja me foshnjet e tyre në krah që protestonin në shkallët e Shtëpisë së Bardhë për Luftën në Vietnam. Mendoi me vete: Po unë çfarë po bëj? Ai e kuptoi se nuk ishte e mjaftueshme të punonte e të fliste vetëm për shëndetin e foshnjeve, ai duhej të fliste edhe për luftën.

Kam përshtypjen se ato gra nuk e mësuan kurrë këtë gjë?

Jam e sigurt që jo. Po ndikimi i tyre në demokraci ishte i madh. Ato influencuan mbi një njeri që u bë një zë i fuqishëm kundër luftës. Shumë shpesh këto padrejtësi ndodhin për shkak të varfërisë, për shkak të racizmit, sepse njerëzit nuk kanë zë, kështu që kur ata dalin dhe duan të dialogojnë, veçanërisht nëse ata mund ta bëjnë këtë gjë në një forum publik, ndryshimi vjen vetvetiu. Por mund të mos jetë diçka që e shihni menjëherë.

Po nëse nuk i shikon rezultatet në kohë reale si mund të motivosh njerëz të tjerë që të luftojnë për një kauzë të caktuar?

Në një botë që po ndahet në copa, nëse doni të keni shpresë, duhet të bashkoheni me një lloj organizate që ka një synim. Të gjeni kohë për të takuar një person tjetër dhe të përpiqeni ta dëgjoni dhe ta ndihmoni është kaq shëruese për veten tuaj.

A ka ndryshuar mënyra jote e të dashuruarit me kalimin e viteve?

Gjithçka ndryshon. Sa më gjatë jeton, aq më shumë gabon, sa më dhembshuri të keni, aq më shumë falni. Prioritetet ndryshojnë sipas mënyrës se si e përcaktoni dikë dashurinë dhe çfarë kërkoni nga dikush. Ju shpresoni të shkoni drejt diçkaje që është një lloj dashurie dhe besnikërie jo posesive. Është si çdo muskul tjetër i trupit. Sa më shumë praktikë, aq më e mirë bëhet dashuria dhe aq më e hapur mund të jetë. Ajo që mendoni mbi dashurinë ndryshon kur je 18 e kur je 48 vjeç. të shpresojmë që ndryshon.

Dhe cili është përkufizimi që ti i bën tani?

Dashuria është një respekt për virtytet e çdo personi. Dashuria është bujari e shpirtit. Nëse me të vërtetë e doni dikë, përfshihet patjetër besimi dhe ndershmëria. Dashurinë mund ta praktikosh çdo ditë pa pasur një partner. Mendoj se dashuria ka të bëjë së pari me një mirënjohje të thellë për jetën tënde. Nëse jeni në gjendje të njihni të shenjtën tek çdo person, do keni mundësinë të krijoni marrëdhënie të mira me çdo njeri. Mendoni për ndryshimin që një buzëqeshje i jep dikujt dhe përpiquni të mos zemëroheni kur dikush nuk është i interesuar t'ju ndihmojë. Nëse përpiqeni të shihni njerëzimin tek ai person, kjo e bën jetën tuaj shumë më të mirë, sepse nuk po e merrni personale. Unë e shoh dashurinë si të zonjën për të transformuar gjithçka në çdo kohë.

Tingëllon si diçka fetare…

Unë e konsideroj veten një person shpirtëror, por nuk praktikoj ndonjë fe të caktuar. Është shumë mirë që njerëzit gjejnë rehati në besim, por nuk e kuptoj pse shumë fe pretendojnë se janë e vetmja dhe përjashtojnë njerëzit që besojnë ndryshe. Kjo është një shenjë e keqe.

Kjo është pjesë e natyrës njerëzore. Është njësoj si polika amerikane. Të gjitha palët mendojnë se kanë të drejtë dhe gjithë të tjerët e kanë gabim.

Ekziston një polarizim i madh në SHBA dhe nuk e di se çfarë do mund t'i bashkojë njerëzit së bashku, por nuk kam zgjidhje tjetër veçse të mbetem optimiste. Kur isha në Jug duke punuar më erdhi një djalë që më kërkoi autograf. Në parakrah kishte tatuazh Amendamentin e Dytë për të drejtën për të mbajtur armë. Jam e sigurt që e dinte qëndrimin tim rreth kësaj çështjeje, por gjithsesi patëm një bisedë interesante bashkë.

Vërtet?

Po, i bëra pyetje në lidhje me armët, ai u përpoq të më shpjegonte dhe unë e dëgjova. Ajo që duhet të bëjmë tani është të paktën të dëgjojmë njëri-tjetrin. Ky do të ishte vetëm fillimi. Dhe kam shumë besim te të rinjtë. Shikoj fëmijët e mi, shikoj djalin tim të vogël, ai është i mrekullueshëm. Kështu që do të shohim.

*Artikulli i The Talks u përshtat në shqip nga Tiranapost.al. Ndalohet ribotimi pa lejen e editorit