Në Itali ishte vendosur me ligj temperatura maksimale (mesatare) që duhej mbajtur në shtëpitë gjatë dimrit duhet të ishte 20 gradë, me luhatje maksimale të lejuar dy gradë.
Me krizën energjetike të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës, qeveria Draghi e uli atë në 19 gradë, që është temperatura që zakonisht rekomandohet për të kombinuar mirëqenien fizike dhe respektin për mjedisin.
Pa ngrohje, temperaturat do të uleshin shumë më tej, deri në atë pikë sa të bëheshin të dëmshme për njerëzit dhe të justifikonin rritjen e vdekshmërisë të llogaritur nga Economist.
Gazetari shkencor i BBC-së, James Gallagher, i cili mori pjesë në një eksperiment në Universitetin e Uellsit Jugor për të studiuar efektet e të ftohtit në trup, tregon se çfarë ndodh me trupin kur bëhet shumë ftohtë.
Studiuesit e vendosën atë në një mikrodhomë dhe ulën temperaturën deri në dhjetë gradë, duke monitoruar parametrat e tij kryesorë jetësorë.
“Dhjetë gradë është temperatura mesatare në të cilën njerëzit që nuk kanë mundësi për të ngrohur shtëpitë e tyre, jetojnë në dimër”, thotë profesor Damian Bailey.
“Duket e butë, por është një sfidë e vërtetë fiziologjike”, shton ai. Temperatura në të cilën funksionon trupi i njeriut në fakt është shumë më e lartë, është 37 gradë dhe ruajtja e saj kur ka një ndryshim të ngjashëm termik është e rëndë për organizmin.
Gallagher e filloi eksperimentin në një temperaturë prej 21 gradësh. Kur ambienti u ftoh në 18 gradë, qimet në trupin e tij literalisht u ngritën përpjetë.
“Shkenca na thotë se 18 gradë është pika e kthesës ku trupi fillon të punojë për të mbrojtur temperaturën e tij të brendshme”, shpjegon profesor Bailey.
Një nga truket e para që ka trupi është vazokonstriksioni: enët e gjakut mbyllen për të mbajtur gjakun të ngrohtë për organet thelbësore për mbijetesën. Është arsyeja pse skajet e gjymtyrëve bëhen të bardha dhe të ftohta. Temperatura e duarve dhe këmbëve të Gallagher ra mesatarisht me dy gradë.
Në të njëjtën kohë, presioni i gjakut rritet dhe gjaku bëhet më i trashë, duke rritur rrezikun e goditjes dhe sulmit në zemër, të cilat në fakt janë më të shpeshta në dimër. Ritmi i frymëmarrjes dhe rrahjet e zemrës rriten gjithashtu pasi trupi juaj djeg më shumë kalori. Është puna shtesë që trupi duhet të bëjë për të ruajtur temperaturën e tij bazale. Dhe ai paguan pasojat.
Gjatë eksperimentit, Gallagher iu nënshtrua një testi njohës dhe kishte më shumë vështirësi për t`i zgjidhur ushtrimet sesa një test i ngjashëm i kryer në 21 gradë të temperaturës së ambientit.
“Më pak gjak arrin në tru, kështu që ka më pak oksigjen dhe më pak glukozë dhe kjo ka një ndikim negativ”, thotë Bailey.
“Testet sugjerojnë qartë se i ftohti është më vdekjeprurës se nxehtësia, ka më shumë vdekje të shkaktuara nga valët e ftohta sesa ato të shkaktuara nga valët e të nxehtit”, shton ai. Edhe pse tendenca e mediave është të paralajmërojnë rreziqet nga vapa.
Këto nuk janë faktorët e vetëm të rrezikut: i ftohti lehtëson mbijetesën dhe përhapjen e viruseve dhe dobëson reagimin tonë imunitar (dhe arsyen pse sëmuremi më shumë në dimër). Gazetari i BBC-së qëndroi në dhjetë gradë vetëm për gjysmë ore, por nuk kishte veshje të ngrohta për t`u mbuluar.
Është e qartë se duke u veshur ose duke qëndruar nën mbulesa mund të mbroni pjesërisht veten nga i ftohti. Por një temperaturë më e ulët se 18 gradë është ende e vështirë për trupin. Dhe kjo shpjegon rritjen relative të vdekshmërisë.