Çfarë na mëson pëlqyeshmëria e Kosovës ndaj Edona James?
Sot, më shumë se kurrë është shumë më e lehtë të matësh popullaritetin dhe pëlqyeshmërinë. Mjafton të shëtisësh për pak minuta në Facebook, Instagram dhe TikTok që të kuptosh se Edona James e “Big Brother Vip Kosova” është shumë e pëlqyer në sytë e publikut.
Edona James nuk ka një histori të zakonshme. Ka lindur djalë, edhe pse kurrë nuk është ndjerë si i tillë. Në moshën 16-vjeçare, fakti që jeton jashtë Kosovës ia ka bërë më të lehtë shndërrimin në vajzë.
Tashmë, 35 vjeç është transgjinore. Por le të kthehemi tek pëlqyeshmëria në publik, e cila është një surprizë për këdo që e njeh mentalitetin shqiptar. Vendet e vogla si Kosova, disi më të izoluara, më tradicionale, por edhe praktikantë të besimeve fetare e kanë të vështirë të pranojnë e jo më pastaj të admirojnë dikë që ka zgjedhur jo thjesht një orientim homoseksual, por të ndryshojë seks, gjini, identitet. Edona ia ka dalë të fitojë zemrat e publikut dhe shifrat flasin vetë.
Dy herë më e preferuara e publikut. Thyerje e rekordit të klikimeve në TikTok, më shumë se çdo banor tjetër, me plot 347 milionë shikime dhe e preferuar në çdo sondazh online. Në sytë e publikut shihet si fituese. Ka tek tuk ndonjë koment përjashtues, mes gjithë atyre që shkruajnë: “Edona the best”. “Edona do fitosh” apo, “Edona, Big Brother s`do kish kuptim pa ty”.
Pëlqyeshmëria ndaj një transgjinoreje nuk është një lajm i mirë dhe që duhet t`i përkasë vetëm një komuniteti të caktuar. Popullariteti i saj është një sinjal i mirë për shoqërinë në përgjithësi.
Bazuar në komentet në rrjet, Edonën e duan për natyrën e saj, humorin, pozitivitetin, vërtetësinë. E kjo na jep një shpresë se gjithmonë e më shumë njerëzit po e vlerësojnë njëri-tjetrin për atë që janë e jo për zgjedhjet që bëjnë. Orientimi seksual në fund të fundit është një zgjedhje personale. Kaq! Edona, me imazhin e përcjellë, dashur pa dashur ka bërë më shumë impakt se njëmijë parada.