Stil jete

Çfarë janë armët termobarike që thithin oksigjenin dhe pastaj shpërthen gjithçka

Çfarë janë armët termobarike që thithin oksigjenin

Akuzat se Rusia mund të jetë duke përdorur armë termobarike në Ukrainë kanë rritur frikën për shkatërrimin e mundshëm që mund të vijë nga sulmet me të ashtuquajturat bomba vakuumi.

Përdorimin e këtyre armëve e ka deklaruar Oksana Markarova, ambasadorja e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara. Ajo tha se ditën e hënë ushtria ruse kishte përdorur një bombë vakuumi, e cila thith oksigjenin nga ajri për të shkaktuar më pas një shpërthim të madh. Markarova nuk dha detaje shtesë, por kanë qenë mediat e huaja që kanë investiguar në mënyrë të pavarur dhe kanë marrë informacione rreth armëve termobarike. Rreziku shtohet pasi CNN ka fotografuar armë të tilla duke hyrë në Ukrainë.

“Është thjesht një armë e tmerrshme, shkatërruese”, thotë David Johnson, një kolonel i Ushtrisë Amerikane në pension.

Çfarë janë armët termobarike që thithin oksigjenin
Shpërthimi i një bombe të tillë në 2016-ën

Po çfarë është bomba e vakuumit?

Armët termobarike, ose bombat vakuum, janë një lloj municioni me dy faza që krijojnë shpërthime të mëdha. Ajo lëshohet përmes një rekete ose predhe artilerie. Faza e parë përhap në zonën ku hidhet një aerosol të ngjashëm me benzinën e avulluar. Faza e dytë e goditjes më pas ndez mjegullën e aerosolit, duke krijuar një shpërthim të madh, flakë, një valë të madhe presioni dhe një vakuum oksigjeni.

Johnson tha se municionet termobarike nganjëherë njihen si 'arma bërthamore e një njeriu të varfër', sepse ato mund të zhdukin çdo njeri që gjendet në rreze. Viktimat mund të vriten nga shpërthimi ose nga vala goditëse shoqëruese e zjarrit, por mund të vdesin edhe nga çarja e mushkërive për shkak të mungesës së oksigjenit.

Lloji i armës termobarike që është vërejtur me autokolonat ruse brenda Ukrainës njihet si raketahedhëse e shumëfishtë TOS-1A. Ai ka një rreze prej rreth 4 km dhe një rreze shpërthimi që shtrihet rreth 304 metër. Kjo armë avullon gjithçka që gjen përpara.

Çfarë janë armët termobarike që thithin oksigjenin
E hedhur brenda një ndërtese në Siri në 2017-ën

A janë përdorur më parë armë të tilla?

Këto lloje të armëve termobarike kanë qenë në zhvillim që nga vitet 1970. Ato u përdorën nga trupat ruse në Çeçeni në vitet 1990. Forcat amerikane përdorën gjithashtu armë termobarike në Afganistan në vitin 2017 për të shkatërruar komplekset e shpellave dhe tuneleve, tregoi Johnson.

Armët ndonjëherë quhen 'shpërthyes bunkeri' sepse ato mund të shkatërrojnë në mënyrë efektive barrierat mbrojtëse.

Nëse një bombë e tillë hidhet brenda një hapësire të mbyllur, ndërtese për shembull, asgjë dhe askush nuk do të mbijetonte brenda asaj hapësire.

“Edhe nëse nuk vdes menjëherë nga shpërthimi, vdekja mund të jetë më e ngadaltë prej presionit të mungeës së oksigjenit, të cilin e thith kjo armë”, thotë koloneli.

Sa të rrezikshme janë këto armë?

Pavarësisht nga shkatërrimi i tmerrshëm që mund të shkaktojnë municionet termobarike, nuk ka ligje që ndalojnë përdorimin e tyre në luftë, megjithëse ato dënohen gjerësisht nga organizatat joqeveritare. Përdorimi i armëve të tilla kundër civilëve është i ndaluar nga Konventat e Gjenevës dhe mund të përbëjë krime lufte.

“Ndërsa nuk është e qartë nëse forcat ruse kanë përdorur tashmë bomba me vakuum në Ukrainë, kam frikë se është vetëm çështje kohe”, tha Johnson.