Stil jete

Brigitte Macron lexon letrën e një adoleshenteje që po shkund Francën: Jam e konsumuar tërësisht nga trishtimi...

Brigitte Macron lexon letrën e një adoleshenteje që po shkund

“Jam konsumuar tërësisht nga trishtimi. Një melankoli e thellë, zotëron brenda meje dhe çdo ditë unë qaj. Qaj, sepse jam vetëm, sepse jam e trishtuar, e tejngarkuar... disa herë e pyes veten se si do të ishte nëse do të zhdukesha. A do i mungoja dikujt realisht, ashtu si jam? Nuk mund ta duroj më. Ndjej trupin dhe shpirtin tim të ndrydhen brenda vetes dhe e vetmja gjë që dëshiroj, është të largohem. Të arratisem diku larg, në një vend ku interneti nuk ekziston. Një vend ku do të mund të isha e qetë dhe të shpëtoja prej kësaj për gjithmonë. Me gjasa, ju nuk do e lexoni kurrë këtë letër, por ju lutem më ndihmoni. Jam e humbur, krejtësisht e dëshpëruar.”

Këto fjalë nuk janë të miat. Janë fjalët e një nxënëseje 16-vjeçare që donte të më transmetonte dëshminë e saj, dëshmia e një adoleshenteje të abuzuar.

Në Korrik të 2019, përpara Ministrave të Arsimit të shteteve të G7, me ftesë të Jean-Michel Blanquer, tentova të isha përfaqësuesja e atyre, të cilët nuk dëgjohen. Kisha marrë me vete dëshmi nga fëmijë dhe adoleshentë të cilët ishin përballur me bullizmin në shkollë dhe kishin përjetuar pasojat e dhimbshme dhe tragjike të këtij fenomeni. Më i riu prej këtyre fëmijëve ishte 5 vjeç. Gjithashtu, kisha marrë me vete fjalët e prindërve, të cilët janë krejtësisht të demoralizuar dhe të pafuqishëm përballë kësaj murtaje. “Çfarë të bëjmë?”- më pyeste një nënë. Çfarë mund t’i thuhet një fëmije, kur ai kërkon që ta lesh të vdesë?? Ju nuk mund të rrini pa i dëgjuar këta njerëz. Ata nuk u kërkojnë thjesht të bëheni përfaqësues të tyrit, por të bëni diçka në mënyrë që ky fenomen të marrë fund. Fatkeqësisht, situata nuk është përmirësuar përgjatë muajve të fundit. Karantina që përjetuan dhe vazhdojnë të përjetojnë disa shtete, ka shënuar një rritje drastike të ngacmimit dhe bullizmit kibernetik (online). Shkollat kanë një rol qendror për të luajtur dhe një numër i madh iniciativash janë ndërmarrë, veçanërisht në Francë. Do të përmendja këtu ata vullnetarë që kanë marrin rolin e ambasadorëve për fëmijët, profesorët të cilët i janë nënshtruar një trajnimi specifik kundër këtij fenomeni, si edhe qendrat kundër ngacmimit që janë ngritur në çdo akademi të vendit.

Në pjesën më të madhe të tyre, rrjetet sociale nuk kanë reaguar në mënyrën më të duhur kundër ngacmimeve kibernetike. Është tejet e rëndësishme që kur një fëmijë ose adoleshent, raporton ngacmim kundër tij, rrjetet sociale të bllokojnë menjëherë materialin abuziv dhe të denoncojnë aktin e ngacmimit. Ata e dinë se çfarë duhet bërë. Përse, nuk e kryejnë detyrën e tyre, në mënyrë sistematike?

Organizimi i kësaj “Konference të Parë Ndërkombëtare kundër Dhunës dhe Ngacmimit në Ambjentet e Edukimit”, përfshirë dhe ngacmimit online, është një shenjë esenciale, e vullnetit tonë të përbashkët për të vepruar. E di, pasi kam folur me liderë të shteteve të tjera, që dhe ata janë gjithashtu të gatshëm për t’u mobilizuar. Dëshiroj t’u propozoj që të bashkojmë fuqitë tona. Të jeni të bindur, në këmbënguljen time për të vazhduar këtë betejë, si dhe në angazhimin e plotë dhe pa rezerva të Presidentit të Republikës Franceze.

Ju falenderoj!

Fëmijët dhe adoleshentët duhet ta dinë, që mund të mbështeten tek ne dhe ne do të jemi këtu për ta./ Përktheu për Tiranapost Kristofor Hasko

*Artikulli nuk lejohet të ripostohet pa burimin e Tiranapost.al

Ne punojmë dhe shpenzojmë kohë për të sjellë artikuj me interes dhe e gjykojmë vjedhjen pa të drejtat e autorit të padrejtë.