Stil jete

Bora, vajza e Xhevdet Ferit: Babain tim s`e harroi askush! E vërteta për homazhet

Bora, vajza e Xhevdet Ferit: Babain tim s`e harroi askush! E vërteta

Kur artisti Xhevdet Feri ndërroi jetë dhe nuk pati një ceremoni zyrtare homazhesh, disa media e interpretuan si një dëshirë të fundit dhe revoltë të Xhodës kundër sistemit, qeverisë…

Vajza e tij, Bora Feri, në një rrëfim për herë të parë pas humbjes së tij, në dy-vjetorin e ndarjes nga jeta të babait, tregon për TiranaPost dy arsyet që e shtynë atë dhe nënën, Xetën, të mos mbaheshin homazhet. Njëra lidhet me një histori me Xhodën, teksa shikonin në televizor një funeral, kurse tjetra lidhet me ato të dy, Xetën dhe Borën që ikja e tij e parakohshme dhe e papritur, i kishte shkulur shpirtin nga vendi.

Si fillim Bora tregon se askush nuk e dinte që ai po ikte.

“Xhoda nuk ishte i sëmurë. Xhoda u diagnostikua me një tumor, të cilin e operoi suksesshëm, por si pjesë e protokollit ishin edhe disa seanca kimioterapie, të cilat ai i bëri të plota dhe siç duket pati një komplikacion të rrallë, që i prekën indet e mushkërisë. Situata e fibrozës i precipitoi shumë shpejt, sepse ka ikur brenda tre javëve. Nuk është se pati njeri kohë të përgatitej me idenë që Xhoda po ikën apo që Xhoda ishte i sëmurë. Ishte mirë dhe pastaj nuk ishte mirë dhe iku”.

Më pas tregon dy arsyet pse morën vendimin për të mos mbajtur homazhet zyrtare:

“Unë edhe Xhoda kemi pasur mundësi që të flasim për vdekjen edhe kur ai ka qenë gjallë. Ai thoshte: “Nuk kam frikë nga vdekja”. E kishte pranuar si pjesë të jetës, ndërsa mua më terrorizonte mënyra dhe ftohtësia me të cilën ai fliste për këtë. Atij i dukej patetike e gjithë kjo. Ceremoniali që rrethon ikjen e një personazhi publik. Mbaj mend që Ludoviku na detyroi të gjithëve që të shikonim funeralin kombëtar që iu bë Johnny Hallyday në Francë dhe mbaj mend që Xhoda ishte mizerabël përpara televizorit. Ai nuk e perceptonte dot që dhimbja e familjarëve, se njeriu që ikën, ikën në fund të ditës dhe nuk i intereson fort se çfarë bëhet mbrapa, por dhimbja e familjarëve të jetë në vijë të parë, që të tirret e të tirret e të tirret, ose që njerëzit t`i përdorin si objekt bisede dhe komunikimi. Kështu që nuk na u duk e udhës. Dhimbja jonë ishte shumë e madhe. Ishte sinqerisht shumë e madhe. Vinim të gjithë nga situata delikate. Unë sapo isha bërë nënë. E kisha vajzën tre muajshe kur iku Xhoda dhe ishte për mua e paperceptueshme që ta nënshtroja veten edhe mamin ndaj skrutinizimit publik. U interpretua gjerësisht nga audienca popullore si qëndrim i Xhodës kundër pushtetit”.

Bora, vajza e Xhevdet Ferit: Babain tim s`e harroi askush! E vërteta

Dhe në fund sqaron se, edhe pse pa qëllim të keq nga mediat, u interpretua gabim. Xhoda nuk ishte as anti-establishment, as anti-qeverisë dhe as anti-politikës apo jetës publike.

“Xhoda nuk ishte anti-establishment. Xhoda ka qenë pjesë aktive e establishment-it. Ai është njeri që e ka emrin e vet në autorësinë e legjislacionit që ka riformuar kulturën në vend. Është krijues i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Është bashkë me kryeministrin Rama iniciator, flamurtar i reformës për Teatrin, që mbas 20 vitesh ndoshta do shohë dritën e diellit. Kështu që Xhoda ka qenë pjesë e establishment-it. Ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Ka qenë dekani më i ri i Akademisë së Arteve. Produktet e Xhodës janë në treg sot edhe bëjnë art. Kështu që nuk mundet kurrsesi që ai të ishte anti-establishment. Ishte market-player. Ishte pjesë integrale e establishment-it”.