Stil jete

5 shenja nga dallon dashuria toksike nga e shëndetshmja?

5 shenja nga dallon dashuria toksike nga e shëndetshmja?

Katie Hood, CEO e “One Love Foundation” ka treguar diferencën mes dashurisë toksike dhe asaj të shëndetshme. Për ty që ke dyshime, për ty që sapo ke nisur një lidhje, ose për ty që sapo je ndarë.

Ka 5 ndryshime mes dy dashurive për të cilat Katie Hood ka folur në konferencën e saj në TED Talk.

Intensiteti. Hood shpjegon se në fillim marrëdhënia është emocionuese, e fortë, intensive dhe nuk duket toksike kur dashurohesh, por bëhet e tillë me kalimin e kohës. Në fillim doni të shihni njëri-tjetrin, të jeni së bashku, të takoheni vazhdimisht. Por pastaj diçka ndryshon, kur partneri bëhet kontrollues, ai është gjithmonë i pranishëm dhe ndiheni të mbytur nga sjellja e tij. Është e rëndësishme t'i kushtoni vëmendje ndjenjave tuaja në fillim të një marrëdhënieje. A jeni rehat me ritmin e intimitetit tuaj? A mendoni se keni hapësirën tuaj, e cila ju lejon të merrni frymë? Është gjithashtu thelbësore të mësoni se si të përdorni zërin për të shprehur nevojat tuaja. A respektohen kërkesat tuaja?”

Izolimi. “Të them të drejtën, izolimi është një nga shenjat më të injoruara dhe të keqkuptuara të dashurisë jo të shëndetshme. Pse? Sepse çdo marrëdhënie fillon me një dëshirë të fortë për të kaluar kohë së bashku. Izolimi ndodh kur i dashuri fillon t'ju largojë nga miqtë dhe familja. Dashuria e shëndetshme përfshin pavarësinë, dy njerëz që duan të kalojnë kohë së bashku, por të qëndrojnë në kontakt edhe me njerëzit e tjerë dhe aktivitetet e mëparshme”.

Xhelozia e verbër. Një nga ndjenjat më të diskutueshme është xhelozia, e cila nëse nga njëra anë është normale në çift, nga ana tjetër kur është fiksim bëhet problem serioz në marrëdhënie. Një nga shenjat më të forta të një marrëdhënie jo të shëndetshme është xhelozia e verbër. “Xhelozia e verbër përfshin posesivitetin dhe dyshimin, akuza të shpeshta për flirtim me njerëz të tjerë. Xhelozia e verbër përmban kërcënim, dëshpërim dhe zemërim. Dashuria nuk duhet të na bëjë të ndihemi të frikësuar”.

Denigrimi. Shenja e katërt që na lejon të kuptojmë ndryshimin midis dashurisë toksike dhe dashurisë së shëndetshme është mënyra përmes së cilës partneri na denigron. Si ndodh kjo? Mund të jetë duke pretenduar se po të bën të qeshësh, ndërkohë që në fakt po të ofendon.

Paqëndrueshmëria. Një tjetër shenjë e rëndësishme e dashurisë jo të shëndetshme është një marrëdhënie vazhdimisht e paqëndrueshme. Debate të vazhdueshme dhe pastaj bërja e paqes janë sfilitëse për marrëdhënien dhe çiftin.

*Burimi Cosmopolitan