Aktualitet

Stafi i Alpha Bank Albania dhuron gjak nën moton ‘’Të dua jetë!’’

Stafi i Alpha Bank Albania dhuron gjak nën moton ‘’Të dua

Nën moton “Të dua jetë!’’, stafi i Alpha Bank Albania në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar, organizoi në datë 14 shkurt, për të dhjetin vit radhazi, ‘’Ditën e Dhurimit të Gjakut’’.

Znj. Erjona Çela, Drejtore e Biznesit Bankar me Pakicë dhe anëtare e Drejtorisë së Bankës tha: “Përgjatë 22 viteve që Alpha Bank operon në Shqipëri, ne si institucion kemi mbështetur vazhdimisht nisma në fushat mjekësore, edukative, sociale, mjedisore, kulturore, sportive etj. Pjesë e kulturës sonë korporative është edhe angazhimi vullnetar i stafit tonë, i cili është gjithmonë prezent në çdo nismë të ndërmarrë. Unë jam e lumtur që ky është viti i dhjetë që stafi i Bankës jep një kontribut kaq të vyer dhe human siç është dhurimi i gjakut. Do të doja të ftoja të gjithë shoqërinë shqiptare të bëhen dhurues të rregullt gjaku, pasi gjaku i dhuruar nuk është kurrë i mjaftueshëm’’. 

Sipas Kryqit të Kuq Shqiptar në vendin tonë nevojat vjetore për gjak janë rreth 30.000 njësi gjak ndërkohë që mblidhen rreth 20.000 njësi; rreth 600 pacientë me talasemi kanë nevojë të marrin gjak çdo muaj, pa llogaritur këtu të aksidentuarit që kanë nevojë urgjente për gjak, apo pacientët që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.

Për të ndërgjegjësuar edhe më shumë komunitetin rreth rëndësisë së dhurimit të gjakut, Alpha Bank Albania ndërmori edhe një fushatë ndërgjegjësuese në kanalet sociale të komunikimit, duke ftuar të gjithë t’i bashkohen kësaj nisme për të shpëtuar jetë./Tiranapost.al