SPORT

“Super Liga Europiane”- Skandali që mund të ndryshojë fytyrën e futbollit përgjithmonë

“Super Liga Europiane”- Skandali që mund të ndryshojë

Një “bombë” e vërtetë ka shpërthyer në arenën e futbollit europian ditën e sotme teksa 12 gjigandë të këtij sporti kontinental kanë shpallur planet për t’u larguar nga kompeticioni prestigjioz “Champions League” për të krijuar një tjetër kompeticion ku këto klube do e kenë vendin e garantuar përtej performancës dhe rezultateve dhe që do të sjellë më shumë fitime, pasi do të ketë më shpesh përplasje mes ekipeve të mëdha.

Manchester City, Manchester United, Arsenal, Liverpool, Chelsea, Tottenham, Real Madrid, Barcelona, Atletico Madrid, Milan, Inter dhe Juventus kanë firmosur marrëveshjen 23-vjeçare për këtë format të ri. I menjëhershëm ka qenë reagimi i UEFA-s që ka pezulluar përkohësisht të gjitha kompeticionet kontinentale dhe ka hedhur në gjyq të gjithë ekipet të cilat kanë planifikuar këtë shkëputje në mënyrë unilaterale.

Imediat ka qenë dhe reagimi i politikës duke filluar nga kryeministri britanik Boris Johnson dhe presidenti francez Emmanuel Macron që deklaruan se një lëvizje e tillë do të dëmtonte imazhin e futbollit dhe do të sillte të ardhura vetëm tek aksionerët pa marrë parasysh traditën dhe mbështetjen e tifozëve.

Rrallëherë në historinë e këtij sporti kanë qenë kaq të bashkuar tifozët e ekipeve rivale në Angli, Itali, Francë, Spanjë dhe Gjermani. Të gjith asosacionet zyrtare kanë premtuar bojkot në rast se ky kompeticion merr jetë dhe janë shprehur se mbështesin dënimet që mund të japin federatat për ekipet e tyre për t’i dënuar për këtë veprim. Nga ana e tyre federatat po kërcënojnë me përjashtim të ekipeve që kanë iniciuar “Super Ligën Europiane” çka nënkupton se viti tjetër mund të gjejë yjet e United, Real Madrid, Inter, Juventus etj., në kategorinë e pestë të këtyre vendeve. Nga ana tjetër FIFA dhe UEFA e kanë bërë të qartë se nuk do të lejojnë asnjë lojtar që merr pjesë në këtë kompeticion të regjistrohet për të luajtur në kampionatin Botëror 2022 dhe kampionet e tjera ndërkombëtare të organizuara nga këto forume.

“Super Liga Europiane”- Skandali që mund të ndryshojëPamje nga Old Trafford (Manchester United) Baneri shkruan: U krijua nga të varfërit u vodh nga të pasurit.

“Super Liga Europiane”- Skandali që mund të ndryshojëAnfield Road (Liverpool) "T'iu vijë turp"

“Super Liga Europiane”- Skandali që mund të ndryshojëProtesta përpara zonës së trajnimit të Tottenham Hotspur.

Ndërkohë, ish-futbollistë si Gary Neville, Rio Ferdinand dhe të tjerë kanë shprehur zhgënjimin e madh me situatën dhe kanë nxitur autoritetet të ndëshkojnë “pronarët lakmimtarë”.

Sipas marrëveshjes së firmosur mes këtyre klubeve vetëm hyrja në kompeticion garanton 300 milion euro, nga 110 që siguron aktualisht fitimi i Champions League. Pra, qartazi kemi të bëjmë me një tentativë të maksimizimit të fitimit nga aksionerët e ekipeve të mëdha, duke sjellë kështu rrënimin financiar të klubeve të vogla, por edhe duke shuar ëndrrën se një ekip i vogël siç ka qenë dikur RB Leipzeg, apo edhe Leicester City me anë të punës dhe fitoreve mund të ngjitet në maja.

Një gjë është e sigurt. Ky incident do ndryshojë imazhin e sportit më popullor në botë. Në rast se plani i pronarëve Perez, Glazers, Agnelli & Co. vihet në jetë, ky do të jetë një sport vetëm për ekipet elitare dhe i fokusuar tek elementët e “show” si p.sh. dokumentare televizive dhe koncerte në pushim mes pjesëve.

Në rast se UEFA dhe FIFA dënojnë ekipet “rebele” vitin e ardhshëm mund të kemi finale Champsions League mes West Ham dhe Atalantës. Në fund të fundit pse jo? Futbolli duhet të jetë një sport për të gjithë dhe jo vetëm për elitat.

tiranapost.al