Pas përballjes miqësore në fushën e Air Albania ditën e djeshme Shqipëri-Itali, skuadrat për përfaqësuesit e tyre u mblodhën në një tjetër pritje miqësore.
Takimi u organizua nga Ambasada Italiane.
Të pranishëm ishin të gjithë futbollistët, stafet e dy ekipeve kombëtare, përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit, anëtarë të Komitetit Ekzekutiv si edhe pjesëtarët e stafit të Kombëtares A me trajnerin Silvinjo dhe ndihmësit e tij, Pablo Zabaleta e Doriva.
“Nëse do të shikoni historikun e marrëdhënieve që kemi pasur duhet ta kuptoni që nëpërmjet futbollit ne kemi pasur shumë lidhje. Edhe që të gjithë ju të rinjtë e sotëm, duhet ta dini që këto marrëdhënie kanë filluar që në vitin 1938, kur për herë të parë dy kampionët në fuqi atë kohë, Tirana dhe Bari luajtën një ndeshje miqësore edhe pse ishte kohë luftërash. Dhe pastaj kemi vazhduar, ne ju kemi dhënë futbollistë të mirë në të ato kohë”, tha Anila Basha anëtare e Komitetit ekzekutiv të FSHF-së.
Ndërsa, Ambasadori i Italisë në Shqipëri, z. Fabrizio Buçi tha:
“Ju falënderoj për këtë ditë të bukur sporti, sepse futbolli bashkon popujt dhe vendet. Ju përfaqësoni Italinë dhe Shqipërinë, por kur jeni në fushë ju thjesht jeni disa djem që doni të argëtohen, duke kaluar disa orë me futboll. Shqipëria është një nga ato vendet ku një italian nuk ndihet sikur ishte si i huaj, këtu është shtëpia juaj falë edhe kësaj miqësie dhe marrëdhënieve të veçanta që ekzistojnë mes Italisë dhe Shqipërisë. Ju keni luajtur në transfertë por ishte njëlloj si të luanit në shtëpi, sepse Shqipëria është njësoj si shtëpia jonë, ashtu si edhe Italia është si një shtëpi për shqiptarët”.
Shqipëria U-16 do të luajë edhe një miqësore të dytë me Italinë U-16 më datë 23 shkurt në stadiumin “Elbasan Arena”, në orën 12:00.